Një libër për të kuptuar Kosovën dhe politikën e saj
Prishtinë – Këto ditë bibliotekës së Kongresit Amerikan dhe asaj ndërkombëtare iu shtua një
libër i ri, një libër mjaft domethënës dhe aktual. Është fjala për librin më të ri të autores Dr.
Ermira Babamusta “Besimi Politik në Kosovë: Dinamikat Kulturore dhe Institucionale” i cili
aktualisht është në gjuhën angleze dhe së shpejti pritet që të përkthehet edhe në gjuhën shqipe.
Ky libër është një punim shkencor 10-vjeçar, që ka qenë tezë e shkollës doktorale të Ermirës dhe
ka gjithsej 300 faqe, përmban 7 kapituj dhe është botuar në vitin 2020 nga NY Elite Press në
New York të SHBA-ve. Libri synon një audiencë të gjerë duke përfshirë këtu: të rinjtë, studentët,
profesorët universitar, shoqërinë civile, mediat, institute, grupet e interesit dhe shoqërinë e gjerë
dhe jo vetëm.
Qysh në fillim ajo që bie në sy tek libri i Ermirës është fakti se ajo e fillon librin me një dedikim
dhe falënderim për prindërit dhe familjen e saj, gjë që tregon respektin dhe vlerat sublime të
familjes për kujdesin dhe sakrificën për të, duke e ngritur familjen në piedestalet më të larta,
sepse baza themelore e shoqërisë dhe agjensi i parë i socializimit. Vërehet se profili i librit është
një trajtesë shkencore dhe akademike e Babamustës përmes së cilës identifikon, analizon dhe
hulumton çështjen e besimit politik në një demokraci tranzicionale të Kosovës që nga viti 1999 e
këtej, kronologjinë historike të saj, kthesat dhe rrugëtimet, pesimizmin dhe optimizmin e
qytetarëve në raport me institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, si dhe çështje të tjera të
cilat korrespondojnë me realitetin kosovar.
Libri në kapitullin e parë dhe të dytë trajton një çështje e cila është tepër e nevojshme në një
kohë të modernizmit, ku demokracitë ballafaqohen me shumë pikëpamje kontraverse, rritje të
populizmit dhe sfida të tjera të cilat nga prizmi Huntingtinian mund të jenë ndoshta valë e re e
demokracisë, e të gjitha këto janë si rezultat i konceptit të mungesës së besimit. Çështja e besimit
si çështje sublime, është rëndësishme për individin dhe shoqërinë për shkak se apriori ai
konsiderohet faktorë kyç në zhvillimin e raportit në mes të individit dhe shoqërisë dhe
anasjelltas.
Nga pikëpamja sociologjike besimi shihet si një mekanizëm i cili ofron një lehtësim dhe siguri
sociale. Sociologu bashkëkohorë Annthony Giddens në librin e tij “Pasojat e Modernizmit”,
besimin e sheh si tepër të rëndësishme në modernitet. Sipas tij, “besimi është një sistem abstrakt i
fondacioneve të shoqërive, (nga të qenit normal) ndërsa ankthi dhe frika janë kushti që
shkatërrimi i mekanizmave mbështesin besimin i cili provokon. Pra, besimi funksionon si një lloj
kontrate shoqërore dhe ekzistenciale ndaj gjendjes së natyrës Hobesiane”.
Prandaj besimi është qenësi dhe veti e individit dhe shoqërisë për të pasur një siguri dhe
mirëqenie më të mirë e në politikë kjo mund të zbërthehet me çelësin e komponentës së
funksionimit më mirë të një shoqërie demokratike, sepse tek e fundit siç pohon edhe vetë autorja,
“Besimi social i referohet besimit ndërpersonal midis qytetarëve, ndërsa besimi politik është
midis qytetarëve dhe elitës politike, apo besimit të qytetarëve në institucionet politike” (fq. 30).
Kjo për shkak se një besim i tillë në njërën anë rritë përgjegjësinë politike dhe publike të
institucioneve të vendit në raport me qytetarët, në anën tjetër qytetarët kanë të drejtë legjitime t’i
ndërrojnë/zëvendësojnë elitat politike të cilat udhëheqin institucionet nëse nuk kanë besim tek ta.
Duke parë rolin dhe rëndësinë që ka besimi jo vetëm në aspektin ontologjik, por edhe atë
politikë, Babamusta në studimin e saj përqendrohet “në rolin dhe rëndësinë e dy faktorëve
kryesorë socio-politikë – besimit ndërnjerëzor dhe besueshmërisë institucionale si përcaktues
kryesorë të besimit për të bazuar argumentet kryesore të librit” (fq. 26), faktorë këto të cilat
ndoshta janë fundamentale për pasur një besim më të madh në institucionet e vendit dhe të cilat
mund të përkthehen në legjitimimin e tyre, krijimin e kulturës politike, si dhe në zhvillimin e
vetë demokracisë.
Libri i Babamustës në sfondin e qasjes holistike
Diskursi dhe retorika e cila përdoret nga Babamusta në këtë libër, është mjaftë i qartë, logjik dhe
i argumentueshëm, sepse përveç tjerash, ajo në këtë libër ndërthurë argumente të shumta
shkencore, të cilat janë të pasuruara me citime, gjë që tregon për një kapital të veçantë të trajtimit
të literaturës vendore dhe ndërkombëtare. Në opusin shkencorë, ky libër ka një qasje holistike,
për shkak se trajton ndërtimin e një shteti nga faza embrionale e deri në funksionimin e tij të
plotë, përfshirë këtu sfidat dhe problemet, sidomos besimin e qytetarëve në institucionet e vendit
dhe në ato ndërkombëtare. Qasja e autores nuk është qasje e cila mund të përshkruhet vetëm nga
prizmi i shkencave politike, por gjatë trajtimit dhe shtjellimit të problemit, ajo fokusohet edhe në
aspektin psikologjik, social, ekonomik, politik dhe atë kulturor, që lë të kuptohet se ky libër është
libër studimi dhe hulumtimi i gjerë i cili kombinon qasjen teorike me atë praktike. Kjo i jep
epitet tjetër këtij libri duke e shndërruar atë në sfond të gjerë holistik dhe mjaftë domethënës ku
secili lexues mund të gjej vetën e tij.
Së këndejmi, libri në kapitullin e tretë dhe kryesor fokusohet në rastin e Kosovës, duke analizuar
dhe shtjelluar siç pohon autorja “një sfond historik dhe një përmbledhje e pavarësisë dhe
shtetësisë së Kosovës, përfshirë strukturën institucionale politike, kornizën ligjore, krijimi i
Gjykatës Speciale të Kosovës dhe roli i bashkësisë ndërkombëtare. Seksioni i politikës së jashtme
përqendrohet në sundimin e ligjit, marrëdhëniet me Serbinë dhe integrimin në Bashkimin
Evropian” (fq.39). Kapitulli trajton në mënyrë komparative periudhat historike në të cilat ka
kaluar Kosova që nga periudha e Perandorisë Osmane deri tek ndërhyrja e NATO-së në Kosovë.
Gjithashtu, ky kapitull trajton Kosovën si “një storie suksesi” e cila pothuajse ka nisur nga zeroja
dhe ka arritur që të ndërtoj institucione të pavarura dhe dalë nga dalë ka arritur deri tek shpallja e
pavarësisë me 17 Shkurt 2008 dhe deri më tani është pranuar nga shumë 113 shtete të cilat janë
anëtare në organizatat ndërkombëtare. Kapitulli vë theks të veçantë edhe rolin dhe ndihmën e
SHBA-ve, vendeve evropiane, misionin e UNMIK-ut, NATO-n, EULEX-in, OSCE-n, si dhe
organizatat tjera ndërkombëtare.
Libri i gjithashtu kushton vëmendje edhe periudhës pas pavarësisë së Kosovës, duke analizuar
çështjen e besimit politik vendor dhe ndërkombëtarë në shtatë fusha të besimit politik: (1) besimi
në qeveri, (2) besimi në politikanë (liderët në Kosovë si Presidenti dhe Kryeministri ), (3) në
sistemin ligjor (gjykata lokale dhe Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë – KSC), (4) besimi në
organet e sigurisë (policia e Kosovës, FSK, KFOR), (5) besimi në organizata ndërkombëtare
(BE, OKB), (6) besimi në shtete të tjera/ambasada (Ambasada e Amerikës, lidhjet diplomatike
me jashtë) dhe (7) besimi në media/TV. Rezultatet tregojnë një ndryshim të dukshëm midis
besimit politik në institucionet vendore nga ato ndërkombëtare. Saktësisht, vetëm 30% kanë
besim në gjykatat vendore në Kosovë, duke e krahasuar me 70% besim në Gjykatën Speciale të
Kosovës në Hagë për vitin 2018. Ndërsa shqiptarët si në vend dhe ato me vendbanim jashtë
shtetit kishin të njëjtin nivel të mosbesimit në qeverinë e Kosovës. Kurse të huajt treguan një
nivel më të lartë të besimit në qeverinë e Kosovës në krahasim me shqiptarët. Edhe pse raporti i
studimit tregon një nivel të ulët në qeverinë e Kosovës, studimi zbulon se Ambasada Amerikane
(70%) dhe Policia e Kosovës gëzojnë besimin më të lartë. Nga institucionet e huaja NATO mori
përqindjen më të lartë të besimit politik me 84%, vijuar nga BE-ja me 77% dhe OKB-ja vetëm
me 51%.
Pra, nga ky kontekst, mund të shohim se Babamusta trajton problemin e Kosovës në mënyrë
objektive, sepse përveç tjerash flet edhe për problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet
shoqëria kosovare, duke u nisur korrupsioni, besimi i ulët në Gjykatat e vendit, nepotizmi,
problemet e theksuara politike me Serbinë, zhvillimi ekonomik i vendit, migrimi, si dhe çështje
të tjera të Kosovës të cilat janë plagë të trashëguar qysh nga lufta.
Një çështje tepër e rëndësishme në libër, që zakonisht shumë rrallë e hasim në librat tjera
simotra, është edhe çështja e metodologjisë, sidomos hulumtimet e realizuara nga Babamusta, të
cilat janë tepër të rëndësishme për argumentimin e studimit, sepse në fushën e sociologjisë
terreni (empirizmi) konsiderohet si “mbreti”, përmes hulumtimeve ne mund të arrijmë deri tek
objektiviteti dhe përmes tij deri tek zgjerimi i diapazonit të diturisë e cila mund të ndikojë në
ndryshimet dhe zhvillimet tjera sociale. Andaj, vërehet se autorja ka bërë një studim unik dhe ka
marrë të dhëna origjinale me pyetësorë enkas për ekspertët. Autorja vë theks “në vitin 2012-13
kanë marrë pjesë 220 pjesëmarrës, dhe 40 të tjerë në vitin 2017-18 për të bërë krahasimet e
ndryshimit të perceptimeve të publikut mbi nivelin e besimit politik në Kosovë. Pjesëmarrësit në
pyetësorët janë zyrtarë dhe ekspertë nga 10 fusha kryesore, përkatësisht: Asambleja e Kosovës,
qeveria e Kosovës, Forcat e Sigurisë, Ministria e Diasporës, Ministria e Kulturës, Sportit dhe
Rinisë, OKB-ja, BE-ja, NATO, media/TV dhe profesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe Instituti
Albanologjik”, gjë që tregon peshën dhe vlerën e këtij studimi.
Libri Besimi Politik në Kosovë si instrument për ndërtimin e marrëdhënieve
ndërkombëtare
Shtrohet pyetja: Pse kemi nevojë për këtë libër? Është një pyetje filozofike e cila ngërthen shumë
përgjigje në vete. Përderisa libri ndikon që ne të zgjerojmë diapazonin e diturisë, ai njëherit është
miku më i mirë i njeriut, sepse formëson bazën psikologjike të edukimit të tij si qenie dhe ndikon
që të krijon ura lidhëse ndërmjet shoqërisë. Në këtë segment, shohim ky libër duhet të shihet
edhe si instrument për ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një lloj urë lidhëse në mes
të Kosovës dhe shteteve tjera, sidomos atyre që janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe shteteve
skeptike.
Një gjë e tillë është e mirë se ardhur në këtë kohë, kur diplomacia kosovare po ballafaqohet me
shumë probleme dhe sfida. Ndërsa, në anën tjetër shteti serb është duke lobuar tek shtetet që mos
të njohin Kosovën si shtet dhe tek ato shtete që tashmë e kanë njohur, që raportet t’i ngrijnë me
Kosovën. Prandaj, ky libër si dhe librat e tilla simotra duhet të promovohen akoma më shumë në
arenën ndërkombëtare, në mënyrë që opinioni publik të shoh të vërtetën nga prizmi objektiv dhe
jo nga ai subjektiv, sepse tek e fundit narracionet shkojnë dhe vijnë, ndërsa veprat janë ato që
mbesin dhe ato të cilat e ngritin një kulturë, një shoqëri në piedestalet më të larta shoqërore.
Ndërsa për arenën kombëtare ky libër sjell një punim me statistika origjinale me hulumtime
kryer në Kosovë, Angli, Amerikë dhe Strasburg.
Analiza dhe vlerësimi kritik i librit
Ky libër, thënë më gjerësisht, mund të konsiderohet si një aset me vlerë në sfondin e shkencës,
kulturës, besa edhe promovimit të shtetësisë së Kosovës, sepse mbi të gjitha ka një qasje
objektive dhe realiste, si dhe është i pasuruar me burime të shumta ndërkombëtare dhe shqiptare,
të cilat i japin nuanca të një kameleoni këtij libri. Punimi shkencor sjell një kontribut të vlefshëm
në debatin kulturor-institucional të politikë së jashtme. Autorja i përgjigjet pyetjes: A ndikohet
besimi politik nga vendimarrësit politik apo institucionet politike?
Ndoshta ajo që mungon në këtë libër dhe do të duhej të ishte marrë parasysh nga autorja është
krahasimi i perceptimeve dhe vlerësimeve të opinionit të qytetarëve të Kosovës me krahasimet e
njëjta të qytetarëve në shtetet tjera, në mënyrë që të analizohen faktet, faktorët dhe rrethanat
sociale mbi opinionet e tilla, pastaj komparacioni në mes zonave apo vendeve të tjera të cilat
kanë pasur konflikte të ngrira, në mënyrë që të shpalosen argumentet shkencore mbi atë se përse
Kosova është “sui generis/rast i veçantë” dhe nuk mund të jetë precedent për zonat ose vendet
tjera.
Pasi që zhvillimi i teknologjisë ka mundësuar që njeriu (post) modern të komunikon prej një
skaji në skajin tjetër dhe distancat gjeografike, hapësinore, kontinentale dhe ndërkontinenale të
ofrohen sa më afër, edhe libri i Babamustës si urë lidhëse në mes të kulturave dhe shoqërive të
ndryshme ka bërë që ai tashmë të gjendet në Amazon si botim shtypi dhe në Kindle, me shitje në
Sh.B.A., Angli, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Japoni, dhe Kanada. Ndërsa versioni dixhital
“eBook “(formati PDF)” mund të shkarkohet nga uebfaqja e NY Elite Press
në www.nyelitepress.com, që është një lehtësi.
Përmes këtij recensioni kemi shpalosur disa pikëpamje kruaciale të vlerësimit dhe kritikës mbi
këtë libër i cili analizon detajisht Kosovën dhe rrugëtimin e saj deri më tani, besimin politik të
qytetarëve në institucionet e vendit. Autores Dr. Emira Babamustas duke e komplementuar për
një libër frytdhënës, i dëshirojmë shëndet dhe suksese në rrugëtimet tjera akademike!
Referenca: Babamusta, Ermira. (2020). Besimi Politik në Kosovë: Dinamikat Kulturore dhe Institucionale. New York, NY: NY Elite Press