Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us
Ia dhashë vajzën të dashurit
Lora Braha: Mihrija, ka ndikuar shumë tek unë!
Kam mish të huaj në mitër

Lora Braha: Mihrija, ka ndikuar shumë tek unë!

Ky nuk është rasti i parë, por as i fundit që motrat ndjekin shembullin e njëra-tjetrës, në rastin konkret, në muzikë. Kështu ka bërë motra e këngëtares së njohur Mihrie Braha, Lora, e cila edhe pse ushtron profesionin e ekonomistes, merret edhe me muzikë. Lora ka publikuar së fundi klipin e saj më të ri “Zemër zemër”, ndërkohë që në vazhdim, prisni edhe një bashkëpunim mes dy motrave. Në këtë intervistë e kemi pyetur Lorën gjerë e gjatë për gjëra për të cilat me siguri keni qenë kuriozë…

Arjana Bregu: – Ju nuk jeni e para që i bashkoheni shembullit te motrave që ecin përkrah në muzikë… Cili qe momenti kur vendosët të ishit aktive në këtë fushë?

Lora Braha: – Kam filluar të këndoj qysh fëmijë në aktivitete të shkolles dhe me siguri, edhe prania e Mihries në këtë fushë më ka ndihmuar shumë.

Advertisement

– “Zemër zemër” është kënga juaj e parë?

– Jo, është kënga ime e realizuar së fundmi.

– Cili ka qenë komplimeti dhe kritika e parë që ju janë adresuar?

– Të them të drejtën, nuk më kujtohen për momentin, por i marr paraysh komplimentet dhe kritikat po ashtu, sidomos nga ata që më njohin nga afër.

– Në ç’mënyrë ka ndikuar Mihria te ti?

– Në mënyrën më të mirë të mundshme, qoftë si motër, qoftë si bashkëpunëtore.

– Për çfarë e merrni si shembull dhe çfarë keni mësuar prej saj?

– Kam mësuar shumë gjëra prej saj, sidomos për shou-bizin.

– Jua kanë thënë që zërat tuaj ngjasojnë shumë?

– Po, na e kanë thënë edhe më parë. (Buzëqesh)

– Edhe bashkëpunëtorët në këngë, i keni të njëjtët?

– Në shumicën e rasteve punojmë me të njëjtin ekip bashkëpunëtorësh (realizues të këngëve, tekstshkrues, realizues të klipeve), por kërkesat ndryshojnë, varësisht nga qëllimi.

– Të dyja të bukura, në formë, bionde… Po në karakter, ku ngjasoni dhe ku dalloni më shumë?

– Në disa gjëra ngjasojmë shumë, ndërsa dallojmë në faktin se unë jam ajo që e them atë që është për t’u thënë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa hezitim.

– Edhe të vogla keni qenë të pandara?

– Po, ky fat e ka përcjellë Mihrien qysh më herët, pasi është motër më e madhe se unë dhe është përkujdesur për mua qysh e vogël. (Buzëqesh)

– Ju keni edhe motra të tjera…

– Unë kam një motër më të madhe dhe 4 vëllezër të tjerë.

– Ç’diferencë moshe keni ju dhe Mihria?

– Jo shumë të madhe, disa vite.

– Për Mihrien thuhet tashmë që i ka shpallur luftë plakjes. E keni në gen këtë luftën ndaj viteve që kalojnë?

– Fatmirësisht, nëna ime i ka shpallur luftë plakjes dhe ne motrat i ngjajmë mamit, domethënë, kemi trashëguar prej saj. (Buzëqesh)

– Ç’gjë tjetër të veçantë e keni në gen?

– Butësinë, modestinë.

– Nëse Mihria nuk do të ishte këngëtare, çfarë do të ishte bërë Lora?

– Profesioni im primar është ai që tashmë e ushtroj, pra, si ekonomiste, por më pëlqen shumë edhe skena; janë dy fusha që më tërheqin shumë.

– Aq shumë sa ngjani, nuk është çudi që t’ju ngatërrojnë me njëra-tjetrën. Ka ndodhur ndonjëherë ose e keni bërë me qëllim këtë gjë?

– Asnjëherë nuk e kemi bërë me qëllim, por meqë ngjasojmë, është e vështirë t’i ikim kësaj ngatërrese nganjëherë. Jemi motra! (Qesh)

– Gjëja e parë që mendojnë të tjerët pasi kanë parë klipin tuaj, është një bashkëpunim mes motrave. Kur mund ta shohim atë?

– Kemi bërë disa herë bashkëpunime, mund të ndodhë edhe në të ardhmen, por gjithmonë kur të kemi ndonjë këngë që është shumë e mirë dhe që na përshtatet mua dhe Mihries. Për momentin, nuk ka diçka konkrete.

– Cila është familja juaj?

– Unë jetoj me bashkëshortin tim, Arbenin dhe vajzën, Elonën.

– Një gjë që do të kishit për të korrigjuar te vetja?

– Falënderoj Zotin që më fali të tillë, nuk do të kisha korrigjuar asgjë.

– Jeni feministe?

– Ndoshta, por jo në ekstrem.

– Cilët solidarizohen më shumë në situata të vështira: femrat me shoqet apo meshkujt me shokët?

– Mendoj se femrat me shoqet.

– Çfarë kujtoni me nostalgji nga dasma juaj?

– Meqë shumica e dasmave te ne organizohen ditën e dielë, mua më rastisi që po atë ditë të martesës, të shfaqej edhe spektakli Telebingo Kosovare, produksion me të cilin kisha një kontratë pune, isha e angazhuar si moderatore e këtij spektakli. Kolegët e Telebingos më ftuan që të marr pjesë po atë natë kur ishte spektakli (edhe pse isha me leje për shkak të dasmës) që të moderoja ashtu, e veshur si nuse, me vello në kokë. U dakorduam dhe pranova të isha e pranishme për 10 minutat e para të spektaklit. Ka qenë interesante, sepse data e dasmës është mbajtur shumë strikte dhe vetëm bashkëpunëtorët e ngushtë ishin në dijeni. Ka qenë diçka e paharruar hyrja në skenë së bashku me Arbenin, sepse çdo gjë ka qenë live dhe po ashtu, moderimi e udhëheqja e këtij spektakli me vello në kokë. Pas 10 minutash u tregova shikuesve se vendi im atë natë ishte në ahengun e dasmës sonë, që ishte organizuar enkas për ne. Ishim ne (unë dhe Arbeni) që për herë të parë thyem tabutë rreth dasmave që organizoheshin te ne.

– Sot gjërat kanë ndryshuar pak rendin… Në fillim bashkëjetojnë, bëjnë një fëmijë dhe pastaj martohen. Sa jeni me këtë praktikë?

– Po, fillimisht kemi bashkëjetuar së bashku me Arbenin, jemi martuar dhe pastaj, Zoti na fali një vajzë të mrekullushme, Elonën.

– Shtëpia e ëndrrave tuaja…

– S’e kam menduar, të them të drejtën. Lus Zotin ta kemi shëndetin.

– Çfarë bie menjëherë në sy në shtëpinë tuaj?

– Ngjyrat, të cilat krijojnë ngrohtësinë familjare.

– Miqtë që ju qëndrojnë më afër…

– Kemi shumë miq të cilët na respektojnë dhe i çmojmë shumë.

– I falni armiqtë apo hakmerreni ndaj tyre?

– Nuk besoj se kam armiq, por nëse kam, nuk merrem fare me ta.

– Do të kishit qenë një grua biznesi? Nëse po, ku do të shkëlqenit?

– Nuk e di, s’e kam menduar, por ndoshta në fushën e menaxhimit.

– A është muzika një lloj biznesi?

– Mund të them që është një lloj biznesi, por ndoshta nuk është aq përfitues sa mendohet, pasi i ka edhe ai sakrificat e veta.

– Keni krijuar në kokë projekte artistike për veten e për karrierën në vazhdim apo më mirë ia lini rastësisë?

– Më mirë ia lë kohës, pasi çdo ditë ndërron diçka dhe thonë që rastësia është mbret i botës!

– Kush e ka radhën pas “Zemër zemër”?

– Do ta kisha lënë befasi për adhuruesit e mi.

 

Parfum, do të thotë… aromë

Mashkull, do të thotë… mbështetje, dashuri

Tualet, do të thotë… përmirësim

Seks, do të thotë… kënaqësi

Femër, do të thotë… elegancë, butësi

Krevat, do të thotë… pushim

Para, do të thotë… nevojë

Pushtet, do të thotë… autoritet

Tradhti, do të thotë… jo besnikëri

Bukuri, do të thotë… çiltërsi, modesti, atraktivitet

Skenë, do të thotë… performancë

Grua, do të thotë… nënë, shtylla e familjes

Politikë, do të thotë… pazarllëqe

Imazh, do të thotë… perfeksion

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ia dhashë vajzën të dashurit

Next Post

Kam mish të huaj në mitër

Advertisement