Ajo është moderatorja
e një prej emisioneve më të veçanta
të ekraneve televizive shqiptare.
“Diagnozë” e Freskida Milotit vjen tashmë prej vitesh me një larmi rubrikash ku në thelb qëndron kujdesi ndaj shëndetit dhe këshilla mjekësore, me të ftuar emrat më të njohur në fushën e mjekësisë. Ky sezon Freskidën e gjeti në Klan Plus dhe suksesi i “Diagnozë” duket se çdo puntatë prek publikun dhe njehësohet me ta. Në kohën që po jetojmë edhe Freskida kishte dyshimet e saj nëse duhej të realizonte puntatat e radhës të emisionit të saj e mesa duket ajo po kontribuon mjaftueshëm duke sjellë pjesë të munguara në informacionin ndaj këtij virusi.
Fabjola Kuburi:- Freskida, tashmë “Diagnozë” transmetohet në Klan Plus. Si ndihet Freskida e “Diagnozës” në këtë ekran?
Freskida Miloti:- Emisioni “Diagnozë” në këtë rikthim në televizionin Klan Plus mori një dimension tjetër besoj. Shumë njerëz më kërkuan të rikthehesha me këtë projekt televiziv, pas një pauze që dëshiroja të bëja. Përveç kënaqësisë së rikthimit dhe tashmë në një ekran prestigjoz, gjithashtu ndihem me fat me stafin që bashkëpunoj, për kulturën e punës që kanë në televizion.
-A është ky emisioni që përmbush ambicien tënde?
-Ky është emisioni që ka kurorëzuar disa vite punë dhe studime. Sepse ky emision do patjetër që të drejtohet nga një person që ka studiuar apo ka njohuri të mira mjekësore dhe njëkohësisht të jesh gazetare që të bëhen edhe pyetjet e thjeshta të publikut, por të dish edhe të bësh pyetjet që publiku nuk i di. Ne prandaj po sjellim një emision mjekësor, për të dhënë edhe kulturë mjekësore. Puna që bëj çdo ditë për emisionin “Diagnozë” më përmbush profesionalisht dhe emocionalisht, sepse kur marr edhe përshtypjet pozitive dhe dashamirëse të ndjekësve dhe miqve më motivojnë për diçka që kam krijuar me shumë kujdes.
-Në kohë virusesh ti je më afër se çdo gazetar me mjekët, heronjtë e kësaj lufte, a ndihesh mirë që jep kontributin shpirtëror në këtë situatë?
-Në këtë periudhë më shumë se kurrë doli në pah vlera e emisionit “Diagnozë” për rëndësinë që duhet t’i kushtojmë shëndetit tonë. Mjekët morën një dimension tjetër në këtë periudhë, sepse të gjithë panë shpresë për jetën vetëm tek ata dhe Zoti. Jam e kënaqur që jap kontributin tim si gazetare në këtë pandemi që bota kurrë nuk e ka njohur. Nuk mund të them që nuk pata frikë të dilja në punë, por mendova që emisioni tani më shumë se kurrë duhet të jetë në transmetim. Respektova rregullat dhe çdo gjë shkoi mirë. U bashkova me disa profesione të tjera që nuk mund të rrimë larg punës, por mund të mbajmë distancën mes njerëzve dhe të tregohemi të vlefshëm për atë që kemi zgjedhur të bëjmë.
-E ka refuzuar dikush ftesën tënde për në emision?
-Nuk mund të them refuzuar, por mund ta kenë shtyrë për një puntatë tjetër. Mjekët janë të justifikuar sepse mund të dalin të papritura me pacientët, ndërsa artistët janë në lëvizje. Zakonisht në emisionin “Diagnozë” kemi të ftuar emra të njohur, kështu që ndodh të kenë agjendë të ngjeshur dhe të shtyhet pjesëmarrja e tyre në emision.
– Cila ka qenë puntata më e ndjekur?
-Fatmirësisht mund të them që zakonisht ndjekshmërija është e lartë, por sidomos tani në situatën e koronovirusit ka patur kulmin e vet.
-Emisioni yt është i veçantë edhe për të ftuarit e çdo puntate. Një larmi personazhesh të fushave të ndryshme bëhen pjesë në këtë emision. Mendon se ky është çelësi i suksesit të “Diagnozë”?
-E keni thënë mirë që larmishmëria që ka ky emision e bën të dashur dhe aspak monoton, jo vetëm në gjykimin tim që shpeshherë e vendos veten në vend të shikuesve, por edhe sipas opinioneve që marr nga të gjithë. Jam e vendosur që të kem në emision vetëm emra të respektuar në fushat përkatëse. Sado mund të duket sfidë, por vetëm kështu mund të ruaj nivelin. Më mirë jam në një periudhë të shkurtër në ekran, por e di që kam bërë një punë cilësore, sesa të konsumohem. Çdo pyetje që shkruaj e mirëmendoj, përveç disa të tjerave që ia lë spontanitetit. Rubrikat “Impakt shëndet” që kam krijuar erdhi si “çudi” fillimisht, sepse shpesh më thoni çfarë mund të thonë artistët, sportistët, politikanët etj për shëndetin… në fakt shumë shpejt e kuptuan se kishte sens kjo rubrikë sepse shëndeti na përket të gjithëve. Personazhet e njohura dalin me një intervistë ndryshe nga çfarë kanë dhënë më parë, por gjatë kësaj pandemie pamë që të gjithë bënë pak nga rubrika “Impakt shëndet” sepse ftuan çdo ditë artistët për të folur për shëndetin dhe rëndësinë e tij.
-Cila është “diagnoza” e “Diagnozës”?
-Është të bësh gjithçka me saktësi dhe profesionalizëm sepse në “Diagnozë” nuk tolerohen gabimet.
-Ti ke studiuar për Gjuhë – Letërsi dhe Farmaci, e para është e lidhur pashmangshmërisht me ekranin, gazetarinë, por të qenit farmaciste me profesion të bën kaq të suksesshme në ekran dhe konkretisht në emisionin tënd?
-Unë mendoj se këta dy profesione janë bërë kuptimplote për emisionin “Diagnozë” dhe janë në simbiozë respektivisht në secilën punë që bëj.
– Cila është ikona jote e ekranit?
-Silvana Braçe është ikonë e ekranit të televizionit shqiptar. E respektoj shumë dhe e kam mike. Ajo duhet të jetë përsëri në ekran sepse njerëzit e duan shumë.
– E bukur, nënë e një djali, figurë e dashur për publikun, fatlume me pak fjalë, por nëse nuk do ishe Freskida Miloti, kush do doje të ishe?
-Të falenderoj për përkufizimin… Nuk e kam menduar kurrë të jem dikush tjetër, sepse gjithnjë kam ecur dhe zhvilluar pa marrë modele shabllone, përveç modelit të nënës sime në rritjen dhe edukimin e djalit tim. Jam përpjekur të qëndroj dhe të vlerësoj veten time për kaq sa kam, duke bërë të më duan aq njerëz të mirë dhe pozitivë që kam pranë vetes dhe që më ndjekin në ekran.
– Çfarë bën kur nuk punon?
Hmm … nuk rri kurrë pa punuar. Gjej gjithmonë diçka për të bërë. Leximin e kam të pashmangshëm gjatë gjithë kohës sepse e kam pjesë të punës, por në darkë gjej qetësi tek librat që nuk më lidhin drejtpërdrejtë me punën, gjithashtu lexoj në çdo udhëtim, që i kam të shpeshta.
– Ana pozitive dhe ana negative e të qenit pjesë e medias?
-Do të thoja vetë kaq: nëse nuk di ta menaxhosh siç duhet suksesin dhe njohjen që të dhuron media të kthehet në boomerang.
-Cili është gjesti më i dashur që ke bërë dhe që kanë bërë për ty sigurisht?
-Hmmm… të mirat nuk kam qejf t’i përmend, shpresoj t’iu kenë vlejtur aq sa kam bërë.
Njerëzit që më kanë besuar e vlerësuar që të punoj me ta dhe për ta, e çmoj shumë. Këtë e quaj diçka shumë të mirë dhe që i jam mirënjohëse.
– Nëse do ishe presidente e Republikës së Shqipërisë, nga do e nisje ndryshimin?
-Nuk do doja të merrja kompetenca që nuk më takojnë, por secili nga ne i dimë mangësitë që kemi në vendin tonë sepse në radhë të parë janë populli që i vuajnë. Por kjo nuk arrihet vetëm me postin e presidentit, duhen edhe të tjerë aktorë të mirë politikë, pra ndryshimet bëhen bashkë dhe jo vetëm. Vëmendje gjithmonë do i jepja shëndetësisë, drejtësisë dhe arsimit.
– Provo të na bësh një qeveri televizive…
-Në krye të qeverisë me emisionin “Diagnozë”(qesh) Nuk dua të krijoj hatërmbetje mes kolegëve të mi sepse në këtë periudhë jemi akoma më të ndjeshëm. Le të jemi pozitiv!
– Në fund, çfarë vërtitet në kokën e një moderatoreje farmaciste në kohën që po jetojmë?
-Në kohën që po jetojmë mendoj çdo ditë si një njeri i thjeshtë, që sa pak ia paskemi ditur vlerën çdo gjëje që na rrethon dhe që kaq papritur na largoi prej tyre pandemia COVID-19. Më mungon më shumë se gjithçka përqafimi i prindërve, që tashmë ruaj distancën edhe me ata. Kam reflektuar për të dyja profesionet që kam zgjedhur të bëj, që duhet të jem në shërbim edhe në ditët më të vështira dhe për të sakrifikuar deri në minutën e fundit, edhe si farmaciste, edhe si gazetare.