Ambasadorin amerikan në Shqipëri, zotin Donald Lu e takova rastësisht në një dyqan te zona e Medresesë. Isha nisur të blija ca lojna për fëmijë për të cilët kinezët shquhen…

 

Kaso Kosa:  – Mund të më jepni një makinë me telekomandë dhe një karrocë me kalë, ju lutem?!

Donald Lu: – Më falni, po unë nuk jam shitësi. Unë jam thjesht një blerës si ju.

– Të më falni ju, mua! Ju kujtova si shitës kinez, por sa thatë “më falni” e kuptova që nuk jeni kinez e aq më tepër, shitës.

– Si e kuptuat?

– Shitësit kinezë asnjëherë nuk i përdorin “fjalët magjike”.

– E vërtetë! U mungon kultura e tregut, janë mësuar me sistemin socialist. Në socializëm, shitësit i përdornin ato fjalë vetëm në filma.

– Si quheni?

– Unë quhem Donald Lu. Juve ju njoh. Jeni Kaso Kosa.

– Donald Luuuu! Ambasadori amerikan? Kënaqësi që u takuam zoti Lu! Po përse keni ardhur në këtë dyqan?

– Do blej disa zbukurime, Kaso. Kemi festën e Pavarësisë së SHBA-ve.

– Ta gëzoni, zoti Lu! Mbetshi vend demokratik dhe multietnik gjithë jetën! Dhe, më falni që nuk ju njoha, por ç’është e vërteta, faji është i juaji.

– Përse është faji im, Kaso?

– Po ju rrallë dilni në televizor…

– Eh, Kaso! S’më pëlqen të dal shpesh, në fakt. Planin e të shfaqurit në televizor e kanë përmbushur dy ambasadorët përpara meje.

– Vërtet, zoti Lu, ku bëhen zoti Uidhers dhe zoti Arvizu? Na ka marrë malli për ta.

– Në Amerikë, Kaso. Në pension, me sa di unë.

– Po si ia bëjnë pa dalë në televizor ata?

– Kanë hapur nga një stacion të vogël televiziv të dy. Dalin aty përditë.

– Zoti Lu, komplimente! Gjuhën shqipe e flisni bukur. Ku e keni mësuar?

– Në Amerikë, Kaso. Gjitonë kisha shumë shqiptarë. Sidomos pe Korçe dhe Kolonje. E keni vënë re ju Kaso?! Shumica e atyre që i ka dalë Llotaria Amerikane janë nga Korça. “Të ketë ndonjë marifet në përzgjedhje?”, mendoj ndonjëherë. Nejse! Ku e lamë? A, po! Aty i dëgjoja tek llafoseshin me njëri-tjetrin dhe duke dëgjuar e duke folur me ta, mësova shqipen…

– Cilat fjalë i mësuat të parat, zoti Lu?

– T’ëmën!

– S’ju pëlqeu pyetja ime?

– Jo, jo! T’ëmën o! Këtë mësova të parën. Aty me ta mësova t’i bija edhe kitares. Mbaj mend një djalë pe Korçe Kaso që shkonte nën ballkonin e një vajze dhe luante serenatë me kitarë. Po a e di ç’ndodhi?

– Më thoni, ju lutem!

– Babai i vajzës ndërroi shtëpinë. Në shtëpinë ku jetonte vajza kishte vajtur një grua rreth të 60-ave që s’lëvizte dot se kishte nervin shiatik, e gjora. Dëgjonte gruaja sa bukur luante djali me kitarë poshtë ballkonit… Prit e prit ai djali të dilte në ballkon vajza. Hiç! U fut një natë djali nga ballkoni direkt e te dhoma e gjumit. Aty pa këtë gruan. Që mos të ta zgjas. Përfundimisht, djali u martua me atë gruan. Mori edhe “letrat amerikane” Kaso!

– I lumtë pushka dhe kitara! Po ju, i keni qejf këngët shqiptare?

– Po, Kaso, por nganjëherë habitem me to…

– Pse?

– Po ja, Kaso. E para këngë shqiptare që mësova ishte “Në bangat e shkollës moj mike. Dy emra i gdhendëm dikur”. E dëgjoja dhe habitesha. “Si mund t’i këndohet dashurisë, duke prishur bangat?!”, mendoja. “Po ky, nuk mund t’i gdhendte emrat në ndonjë shkëmb në mal?”. Pastaj, kur ardha këtu në Shqipëri i dhashë të drejtë atij djalit Kaso. Ka pas jetuar në fushën e Korçës dhe s’kishte ku të gjente mal.

– Ju pëlqen jeta në Shqipëri, zoti Lu?

– T’jua them troç, Kaso!

– Ma thoni! Me mua vetëm kështu flitet.

– Nuk më pëlqen fare! Megjithëse di shqip, politikanët shqiptarë nuk i kuptoj ç’flasin. Flasin vetëm kundër korrupsionit, por asnjë nuk vepron. Do kërkoj të iki në Kubë, Kaso, meqë edhe rivendosëm marrëdhëniet. Atje mendoj se do t’i kuptoj komunistët më tepër se ç’kuptoj “antikomunistët” këtu. Dhe tani, Kaso, po largohem. Mirupafshim Kaso dhe je i ftuar në festën tonë. Mos harro të vish…

 

Bisedoi me shaka KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *