EDI RAMA

“A është i lumtur zoti Edi Rama?”, deshëm ta pyesnim atë këtë javë. Dhe me siguri, përgjigjja do të ishte “po”. Është njeriu në krye te vendit, i gjithëpushtetshëm, me shtëpi, të re, me grua të re e me një fëmijë të mbarë. Plotëson gjithë hobet e tij, që nga piktura e deri te rrobaqepësia. I patë sa bukur i kishte stiluar vetë edhe T-shirtet e tij për fushatën zgjedhore? Po pse ia bëjmë këtë pyetje kur e dimë përgjigjen, do të thoni ju? Sepse këtë javë u botuan në shtyp të dhënat e Indeksit Evropian të Lumturisë për vitin 2015 (Happiness Equality Index Europ 2015) dhe, sipas tij, Shqipëria ishte e vendi më i palumtur në Evropë. A e di këtë zoti Rama? A e di ai se shumica e shqiptarëve nuk janë të lumtur sot? A e di ai se ata, ndryshe nga ai, vazhdojnë të jenë të palumtur edhe pas zgjedhjes së tij si Kryeministër? Ka ndërmend të bëjë diçka për ta zoti Rama? Dy vjet kaluan. Nuk dëshirojmë të mbetemi të fundit edhe pas dy vitesh…

 

SAJMIR TAHIRI

Deshën të intervistonim këtë javë edhe ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri. Do të donim t’i bënim vetëm një pyetje: Kur do të fillojë të krahasohet me vetveten, kur do t’i japë fund krahasimit me kohën e Berishës? Bëjmë këtë pyetje se na bëri përshtypje që në emisionin “Opinion” ku ai ishte i ftuar këtë javë, sa herë do t’i duhej “të mbrohej” nga akuzat e të ftuarve të tjerë, ai thërriste në ndihmë Berishën dhe kohën e tij. Kështu ndodhte kur fliste për Lazaratin, por edhe kur fliste për Arben Frrokun që hante dreka me kupolën e policisë së kohës së Berishës (edhe pse ky zoti Frroku, tashmë aleat i PS-së, sponsorizoi fushatën e PS-së në Pukë dhe, sipas shtypit, hante drekë edhe me Edi Ramën më pak se një muaj më parë). E di zoti Tahiri se, po u krahasuam me të keqen, kurrë s’kemi për të ecur para, në asnjë gjë e as më pak në polici (E dimë se si ishte policia në kohën e Berishës)? Besoj se kur të bëjmë bashkë një intervistë nuk do të përmendë më Berishën dhe kohën e tij. Dakord, zoti Tahiri?

 

ILIRJAN MUSTAFARAJ

As zëvendësministrin e Brendshëm Ilirjan Mustafaraj nuk e intervistuam dot këtë javë. Shkas për këtë intervistë u bë një lajm nga ata përkujtimorët e 2 korrikut 1990. Sipas tij, zëvendësministër i Brendshëm në atë kohë që u futën shqiptarët në ambasada ishte po ai që është sot. U bëmë kuriozë dhe për të verifikuar këtë lajm, kërkuam internet CV-në e zotit Mustafaraj dhe pamë se ishte e vërtetë. Ai ka qenë zëvendësministër në atë kohë, madje ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Brendshëm që në vitin 1984, pra, që para vdekjes së Enver Hoxhës. Nuk kemi asgjë personale me zotin Mustafaraj, madje as e vëmë ne diskutim aftësinë e tij, pasi Enver Hoxha i zgjidhte mirë njerëzit që ngrinte në poste drejtuese, apo ata që mbante rrotull vetes e Byrosë Politike, siç ka qenë edhe zoti Berisha, por një fakt na bën përshtypje: Pse duhej të zgjidhej pikërisht zoti Mustafaraj si zëvendësministër? Nuk ka patur Partia Socialiste njerëz të tjerë, në mos më të aftë, të paktën të aftë si ai?! Mos ka lidhje caktimi i i tij në atë post me ndonjë “sekret” që di ai për ata që e caktuan? Kuptohet, “sekret” që ai e di si pasojë e qenies së tij si zëvendësministër i Brendshëm nga viti 1984-1990…

 

SALI BERISHA

Me siguri ju, te dashur lexues, teksa e patë zotin Berisha në Parlament të enjten, do të kishit dashur t’i thoshit dy fjalë atij. Dikush, fanatik i tij do të kishte dashur, besoj, t’i thoshte “Bravo”. Dikush që e ka kundërshtar do të kishte dashur t’i bërtiste “Mjaft, o… se e qelbe fare!”. Ndërsa ne, do të donim thjesht të pyesnim: A e dini ju zoti Berisha se rrogën e deputetit e merrni nga taksat tona dhe ne ta paguajmë atë, jo për të sharë armiqtë tuaj, as për të kërcënuar ata me vdekje, siç bëtë këtë javë, as për të bërë publike në Parlament sekretet e tyre familjare, por për të hartuar ligje e për të rregulluar jetën tonë?! Nëse ju thoni që aq ju bën për rrogën që ju japim ne dhe nuk pyesni për të, se jeni aq i pasur, po ju themi se edhe atë pasuri, e keni vënë duke vjedhur e duke grabitur e madje edhe duke vrarë gjatë kohës që paguheshit po me taksat tona. Prandaj, tashmë, duke përfituar nga fakti se kryeministri i tanishëm nuk vendos dot drejtësi e nuk bën dot siç bën gjithë bota me ata që shkelin ligjet, nëse nuk bëni dot gjë për ne, më mirë heshtni. Heshtja është flori, thotë populli dhe ju keni thënë se sovrani nuk gabon kurrë. Apo nuk mendoni më kështu, zoti Berisha?

 

ALEKSIS CIPRAS

Nuk intervistuam dot këtë javë as kryeministrin grek, Aleksis Cipras. Ishin qindra gazetarë nga gjithë bota që deshën ta intervistojnë atë këto ditë kur Greqia është në qendër të vëmendjes. Ç’mendon ai për referendumin deshëm ta pyesnim? Kush do të fitojë? Pse është i bindur që po fitoi “Jo”, Evropa do pranojë të rinegociojë me të? Apo e ka të sigurtë që do të humbë dhe ky refrendum qe një “dalje me lezet” nga loja për të, duke parë që nuk mund të përballohej presioni evropian? Veç kësaj, deshëm ta pyesnim zotin Cipras edhe se pse evropianët u treguan kaq të ngurtë me Greqinë? Është kjo një “luftë mes Gjermanisë dhe Greqisë, mes kreditorëve e borxhlinjve apo një luftë mes kapitalizmit e komunizmit? Evropianët kanë frikë se mos bëhet “rrugë” moskthimi i borxheve, apo kanë frikë se mos, duke u bërë Cipras një herë kombëtar në Greqi, do të fitojnë edhe komunistët në Spanjë e më vonë edhe në vendet e tjera të Evropës? Ja, këto deshëm t’i pyesnim zotit Cipras….

 

Blerta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *