Përshëndetje. Unë që po ju shkruaj jam një zonjë e vjetër nga Tirana. Gjej me vend t’ju falënderoj ju, stafin e kësaj gazete të mrekullueshme, e cila na jep mundësi edhe ne pensionistëve të tregojmë historitë tona.

Unë jam 60 vjeçe, quhem Nazmije dhe jetoj në një nga lagjet periferike të Tiranës. Jetoj vetëm sepse nuk jam martuar ndonjëherë. Fati kështu deshi, sepse kur isha e re kisha shumë pretendime, por vitet kaluan dhe unë ngela vetëm. Pas vdekjes së prindërve, vetmia ime u shtua edhe më shumë sepse m’u thye e vetmja shpatull mbështetjeje. Kështu vazhdova të jetoja në shtëpinë ku më lanë prindërit, por para disa vitesh, u transferova në lagjen ku jetoj sot, për arsye se ndërrova shtëpinë me një familje që kishte nevojë për një shtëpi më të madhe dhe afër qendrës, ndërsa unë isha vetëm dhe nuk kisha nevojë për gjithë atë shtëpi të madhe. U vendosa në këtë aparatament, 1+1 dhe të them të drejtën, ndihesha shumë rehat sepse është një lagje shumë e qetë, lagje ku nuk ke frikë të lëvizësh, kur i thonë fjalës. Më fqinjët shkoja dhe shkoj shumë mirë, nuk mbaj mend të kem shkëmbyer një fjalë të keqe.

Para disa kohësh, përballë pallatit tonë, dy ortakë hapën një lokal, ku përveçse shërbenin gatime dhe pije të ndryshme për klientët e tyre, kishin edhe muzikë, e cila ngrihej në kupë të qiellit. Njërin nga këta pronarë e kam pritur kur e pa për herë të parë dritën e diellit, sepse kam punuar infermiere në maternitet dhe nga duart e mia kanë dalë shumë e shumë fëmijë në dritë. Siç po ju thoja, volumi i muzikës ishte i padurueshëm dhe ju betohem për Perëndi që neve na zinte gjumi vetëm kur muzika e tyre përfundonte. Nga ana tjetër, ata kishin qejfet e tyre dhe nuk donin t’ia dinin se kishte njerëz të sëmurë, a kishin nevojë për gjumë, a kishin probleme. Rëndësi për ta kishte që lokali t’u ecte mirë dhe fitimet të rriteshin, sepse dihet që lokalet me muzikë kanë më shumë fitime se lokalet e thjeshta. Muzika e tyre vazhdonte deri në orët e vona të natës dhe jetesa në shtëpi u bë e padurueshme. Unë u fola disa herë, gjithmonë me të butë, por kush e dëgjon një plakë të vjetër dhe aq më tepër, të vetme? Kjo gjendje vazhdoi me muaj e muaj me radhë, të gjithë flisnin nëpër dhëmbë, por asnjërit nuk ia mbante të shkonte t’u thoshte, sepse ata janë njerëz të kapur dhe i kanë krahët të ngrohtë. Ju mund ta shihni vetë sa luksoz është lokali i tyre, po të vini këtu në lagjen tonë. U tromaksëm të gjithë, aq më tepër që mosha jonë ka nevojë të shkojë “të flejë me pulat”, siç thotë fjala e vjetër e popullit.

Durova e durova sepse unë shumë mirë mund edhe të kisha denocuar në polici, por siç ju thashë, ata janë njerëz të kapur ekonomikisht dhe nuk mendoja se policia do t’u bënte gjë. Për më tepër, mendoja që një ditë do pushonin ose të paktën do ulnin volumin e muzikës, por jo, nuk bëhej fjalë, ata vazhdonin në qejfin e tyre dhe as që donin t’ia dinin për ne.

Një ditë, ose më saktë, një mbrëmje një darkë kur ata i kishte mbërthyer ahengu, zbrita poshtë dhe u futa të lokali për t’u thënë që të paktën të ulnin volumin e muzikës. Sa më pa njëri nga pronarët, erdhi me një hap të madh drejt meje dhe m’u duk si një furi që nuk e kuptova se nga erdhi. Ai më kapi nga krahu dhe më shtyu jashtë. Unë jam munduar që t’i flas gjithmonë me të mira dhe asnjëherë nuk e kam ngritur zërin kur me të drejtë mund ta ngrija sa herë të doja sepse ata po prishnin qetësinë publike dhe për këtë nuk kishin asnjë të drejtë. Edhe këtë radhë, nuk doja të bërtisja, aq më tepër në ato moment kur lokali ishte plot me njerëz, por më besoni, nuk mund të duroja më, koka po më vinte vërdallë nga muzika e lartë dhe ditën isha si e hutuar, nuk dija kur të flija dhe kur të zgjohesha, më ishte prishur komplet cikli i gjumit, dhe jo vetëm mua, për  këtë jam e sigurtë.

Ai më shtyu dhe nga shtrëngimi, a ndoshta nga shtytja, nuk e di, ndjeva dorën që m’u thye dhe dhimbja më shkoi në zemër. Ulërita me sa zë kisha në kokë, por ai nuk donte t’ia dinte, vazhdonte të më shtyne, të më shante dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, më shtyu nëpër shkallë ku edhe më ra të fikët. Se çfarë ndodhi apo ka ndodhur më vonë nuk e di sepse nuk mbaj mend asgjë. Gjithçka m’u turbullua dhe m’u duk errësirë përreth. Ashtu siç isha, rashë përtokë. E gjeta veten në një dhomë të bardhë, të cilën, kur hapa sytë, nuk e njoha, nuk e kisha parë ndonjëherë; nja dy krevatë të vegjël, të tmerrshëm, nja dy serume të varura si mos më keq, një njeri i huaj i shtrirë në krevatin pranë meje, që rënkonte dhe përpëlitej në krevat. Bëra të ngrihesha, por nuk munda dot. Pashë që krahun e kisha të vënë në allçi. Poshtë krahut më dhimbte tërësisht dhe nuk e lëvizja dot krahun fare.

Ndenja në spital për ditë me radhë. Me sa di unë, shpenzimet për spitalin i kishin bërë ata të lokalit sepse kishin qenë po ata që më kishin sjellë në spital. Kaluan disa ditë dhe unë fillova të ndihesha pak më mirë. Kisha menduar që, sapo të dilja, do shkoja t’i denoncoja që më kishin katandisur në këtë  gjendje.

Dola nga spitali, u ktheva në shtëpi dhe nuk më zinte vendi vend derisa të vija drejtësi. Gjëja e parë që mendova të bëja ishte të flsija me dikë sepse kjo situatë më kishte bërë të ndihesha vërtet shumë keq, aq më tepër që nuk e meritoja, sepse në fund të fundit, po kërkoja të drejtën time. Në polici, siç ju thashë, e kisha të kotë të shkoja më sepse atje askush nuk mund të më ndihmonte, për arsye se ata kishin shumë njohje dhe askush nuk do të kishte luajtur as gishtin më të vogël për të bërë diçka për mua, sapo të dëgjonin emrat e tyre. Në një televizion (të them të drejtën, tani nuk më kujtohet), dëgjova një reklamë që i nxiste gratë e dhunuara të kërkonin ndihmë dhe të mos kishin frikë, por të denonconin dhe të flisnin me ta për të gjitha problemet që i shqetësonin. Nuk e mendova shumë gjatë dhe u nisa për tek ata. Me pak ndihmë, arrita të gjeja adresën dhe zyrat e tyre. Të them të vërtetën, nuk e prisja që mikpritja e tyre të ishte aq e madhe sepse vetja m’u duk si e familjes së tyre. Aty, të gjithë ishin të sjellshëm, të gjithë të dëgjonin me vëmendje për problemin që kishe dhe askush nuk tallej me mua, ashtu siç kishin bërë deri atëhere të gjithë ata të cilëve u kisha kërkuar ndihmë. Më vinte shumë keq që duhej të arrija deri aty, sepse siç jua kam përmendur disa herë, njërin nga këta dy djem që më goditën e kam pritur me duart e mia ditën kur ai pa dritën e diellit për herë të parë dhe mamanë e tij unë e kam respektuar e më ka respektuar gjtihmonë, por qenka e vërtetë që, kur rriten fëmijët, nuk të pyesin më dhe nuk duan t’ia dinë më për më të vjetrit. Pasi folëm gjerë e gjatë për problemin tim, kjo zyrë apo shoqatë, quajeni si të doni, më premtuan se do më ndihmonin.

Njërin nga këta dy djem që më goditën e kam pritur me duart e mia ditën kur ai pa dritën e diellit për herë të parë dhe mamanë e tij e kam respektuar e më ka respektuar gjithmonë, por qenka e vërtetë që, kur rriten fëmijët, nuk të pyesin më dhe nuk duan t’ia dinë më për të vjetrit. Pasi folëm gjerë e gjatë për problemin tim, kjo zyrë apo shoqatë, quajeni si të doni, më premtoi se do të më ndihmonin dhe se, herët apo vonë, ky problem do të zgjidhej. Më vinte keq edhe për shumë familje të tjera shqiptare që, edhe pse janë të lodhura dhe të rraskapitura gjithë ditën nëpër punërat e tyre, për më tepër, të vrara edhe nga stresi i problemeve të mëdha që e shqetësojnë sot familjen shqiptare, janë të detyruara  të durojnë edhe zhurmat e tmerrshme në mes të natës, madje disa herë, edhe deri në orët e para të mëngjesit. Askush nuk ka të drejtë të të shqetësojë në mes të natës, aq më tepër ne pleqve, por s’ke çfarë të bësh sepse respekti në kohët e sotme ka tjetër kuptim, as që i afrohet respektit që kishim ne të vjetrit, në kohën kur të gjithë merrnin atë që meritonin dhe askush nuk të ngacmonte apo të të shqetësonte pa të drejtë.

Pra, siç ju thashë, ika nga ajo zyrë me shpresën se do të bëhej diçka dhe të paktën natën të flinim gjumë rehat. Kalonin ditë dhe nuk po merrja asnjë lajm, ata vazhdonin të luanin muzikë deri në mëngjes dhe unë mbyllja sytë e flija vetëm kur ata mbyllnin lokalin. Pak ditë më vonë, filluan ta ulnin volumin pak e nga pak dhe me atë volum mua më zinte gjumi shumë herët.

Një ditë, kur po kaloja përpara lokalit të tyre, pasi kisha bërë pak pazar, sa për vete, pashë që nga lokali doli njëri nga pronarët dhe erdhi drejt meje. Në fillim u tremba sepse mendova se do të përfundoja në spital si herën e parë, por e mblodha veten sepse për më tepër, ishte mesi i ditës dhe ai nuk kishte ç’të më bënte; kishte shumë njerëz në rrugë. Ai, sa vinte e po afrohej, ndërsa unë fillova të ecja më shumë sepse nuk kisha arsye të qëndroja aty. Në një moment, ai ma bëri me dorë dhe më thirri në emër. Ndalova dhe po prisja se çfarë do më thoshte. Ai dukej që në sy se ishte shumë i penduar dhe më tha:

– Teta Nazmije, më fal për gjithçka që ka ndodhur. E di që ke shumë të drejtë ti dhe shumë njerëz këtu në lagje që nuk ju zë gjumi natën, për shkak të muzikës së lartë. Më vjen keq që punët vajtën kështu dhe më vjen keq edhe që vura dorë mbi ju, sepse ju jeni si një nënë e dytë për mua. Kam bërë një gabim shumë të madh që nuk më falet, por edhe ju duhet ta kuptoni që unë jam shumë i dhënë pas punës dhe kur ju keni ardhur te lokali, kam qenë shumë i tensionuar. Më vjen keq që nervat e punës time jua nxora juve. Nuk e di a do të më falni sepse veprimi im është i pafalshëm. Kam pritur kaq shumë që t’ju kërkoj falje sepse nuk e dija si do të reagonit. Ju premtoj që volumi i muzikës do jetë më i ulët, ashtu siç e keni vënë re, që është ulur goxha. Do të mundohem që ju të mos shqetësoheni. Ju lutem, më thoni nëse mund të bëj diçka që të më falni…

Nuk po u besoja syve dhe veshëve, edhe pse e kisha përpara meje njeriun që më bëri të shkoja në spital dhe të qëndroja atje për ditë me radhë. Nuk e dija e kujt ishte merita që ai ndryshoi qëndrim, por një gjë ishte e sigurtë; ai vërtet kishte ndryshuar.

– Dëgjo, – i thashë, – unë nuk të mbaj inat dhe më vjen vërtet shumë keq që gjërat duhet të shkonin deri këtu, kur ne si dy miq që njihen prej kohësh, mund t’i kishim zgjidhur problemet në sy dhe pa iu drejtuar askujt, aq më tepër të përfundonim në një situatë tillë siç ishte ajo që ti e di shumë mirë se si ndodhi. Unë nuk mendoj se e bëre se e kishe me qëllim të keq, të besoj edhe kur thua që ke qenë shumë i tensionuar dhe ke shumë të drejtë sepse kjo është puna jote, por duhet të kesh parasysh që me përfitimin tënd, nuk duhet t’u bësh të tjerëve keq, sepse askush nuk ta ka për borxh të rrijë gjithë natën pa gjumë vetëm se ti do të mbushësh lokalin me njerëz dhe sigurisht, të ngresh edhe volumin e muzikës. Ne  jemi të vjetër ashtu si edhe nëna jote dhe kemi nevojë për qetësi. Prandaj, unë dua vetëm që të mos ketë volum të lartë dhe për hir të faktit që ti linde në duart e mia, unë të kam falur.

Kështu i thashë dhe u largova. Pas disa ditësh, më telefonuan nga zyra ku isha ankuar dhe më pyetën se si ishin gjërat. Pasi u tregova gjithçka që kishte ndodhur mes nesh, ata më thanë se një përfaqësues i tyre kishte biseduar me të shumë herë, e kishte bindur se kishte vepruar keq dhe se të paktën duhet të kërkonte falje. Unë i falëndërova nga zemra dhe sot e kësaj dite në atë lokal luhet muzikë, por volumi nuk është aq i lartë sa mos të të zërë gjumi.

Faleminderit edhe juve që patët durim të lexoni historinë e një plake. Ju  siguroj që kjo është gazeta më e mirë dhe më e dashur për të gjithë sepse në këtë gazetë ka vend për të gjithë, edhe për ne pleqtë, që nuk kujtohet askush. Faleminderit gazetës dhe të gjithë juve që e lexoni këtë gazetë. Me respekt, Nazmija.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *