8 në 10 njerëz vuajnë nga dhimbja e shpinës në një moment të jetës së tyre. Prej saj vuajnë sidomos gratë, së pari për shkak të pozicionit të qëndrimit dhe, së dyti, nga shkaqe të tjera, siç janë shtatzanitë, çantat e rënda, mbajtja e fëmijëve të vegjël në krahë, etj. Këtu poshtë do të gjeni këshillat e ekspertëve për të evituar problemet me shpinën…

1. Shtoni konsumin e vitaminës K

Ju e dini që kalçiumi është thelbësor për të pasur kocka të forta, por studiuesit japonezë kanë veçuar edhe diçka tjetër që ju nevojitet; vitaminën K. Besohet se kjo vitaminë, që gjendet te brokoli, spinaqi dhe jeshilllëqe te tjera, ndihmon në depozitimin e kalçiumit në kocka, duke i bërë ato më të dendura. Sa më të forta t’i keni kockat, aq më të fortë do ta keni edhe trupin. Për pasojë, do të vuani më pak nga dhimbja e shpinës.

2. Lehtësoni peshën që mbani me vete

Nëse çanta apo ngarkesa që keni me vete e kalon 10% të peshës suaj trupore, ajo është shumë e rëndë. Gjithashtu, çantat duhet t’i mbani në mënyrën e duhur. Më të përshtatshme janë çantat me rrip të gjatë, të cilin e kaloni mespërmes gjoksit, si çantë postieri. Nëse nuk doni të hiqni dorë nga çanta juaj që e mbani në sup, atëhere është mirë të ndërroni sup, çdo 20 minuta.

3. Flini në pozicionin e duhur

Një dyshek i fortë mund të mos jetë zgjidhja më e mirë për shpinën tuaj. Një studim i bërë kohët e fundit zbuloi se njerëzit që flinin në dyshekë të butë, kishin më pak probleme me shpinën sesa ata që flinin në dyshekë të fortë. Po jastëku? Ai nuk duhet të jetë aq i lartë sa të prishë vijën e drejtë të kurrizit. Si mund ta dalloni më mirë këtë? Nëse flini në shpinë, mjekra nuk duhet ta prekë gjoksin. Nëse flini anash, ajo nuk duhet të përkulet drejt supit.

4. Forconi muskujt e barkut

Forcimi i këtyre muskujve bën që shpina juaj të pësojë më pak dëmtime. Bëni ushtrime për forcimin e tyre, të paktën 2-3 herë në javë. Shtrihuni në shpinë me gjunjët e përthyera e shputat e mbështetura në tokë dhe ulni e ngrini trupin. Legeni juaj duhet të ngrihet lehtësisht nga toka. Më pas, afrojini gjunjët drejt gjoksit dhe përsëriteni këtë ushtrim sa herë të mundeni.

5. Mbani pozicionin e duhur

Nëse rrini ulur në një tavolinë pune për 8 orë ose më shumë, me siguri do të keni probleme me shpinën. Sigurohuni që të uleni me shpinën e mbështetur pas shpinores së karriges (vini një jastëk pas mesit nëse karrigia nuk jua lejon diçka të tillë) dhe mbajini të dyja këmbët të mbështetura në tokë. Gjeni pozicionin më të rehatshëm, që të mos ju dhembë shpina edhe kur rrini gjatë në karrige.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *