– Mirëdita, doktor Evi Dani!
Jam 41 vjeç, i martuar.
Dëshiroj të di, a është i dëmshëm përdorimi i viagrës, në çfarë doze mund të përdoret e në çfarë distance kohore?
Jam në pritje të një përgjigjeje nga ana juaj, sepse nuk jam shumë i informuar. Faleminderit.
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog, Poliklinika Qendrore, 0682213329:- – Viagra apo grupi i ilaçeve që kanë mekanizëm të njëjtë me viagrën, janë nga preparatet që tashmë u bënë 15 vjet që përdoren dhe kanë efekt të mirë. Efekti dhe konsumimi i saj arrin në disa miliarda dollarë, për shembull, viagra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vitin që shkoi, arriti konsumin prej 3 miliard dollarësh. Megjithatë, viagra, si në të gjithë botën, duhet dhënë me këshillën e mjekut se ajo ka problematikën e saj, duke sjellë deri në raste fatale vdekjen e pacientit i cili nuk e ka marrë sipas këshillave të mjekut. Personat që vuajnë nga sëmundjet kardiake, që kanë kaluar infarkt akut miokardit, që marrin disa lloj ilaçesh për kurimin e zemrës, që kanë disa probleme në shikim, në pamje apo që kanë disa sëmundje gjaku, janë të këshilluar në mënyrë absolute të mos përdorin preparate të tilla.
– Një vizitë e kujdesshme e mjekut specialist është më se e domosdoshme, sepse ai ju ndihmon duke përcaktuar gjendjen, shkallën e dëmtimit që ju keni dhe do të përcaktojë preparatin e duhur për ju. Pra, përveç viagrës dhe preparateve të tjera, mjeku do të përcaktojë dozën e duhur, si dhe do të bisedohet për koston e mjekimit. Pra, ju do të përfitonit efektin e preparatit në bazë të dozës dhe njëkohësisht, do të merrni preparatin me kosto më të lirë. Tashmë, një viagra kushton 15 mijë lekë të vjetra apo Cialisi, që kushton më shumë dhe është 18 mijë lekë të vjetra. Këshillohuni patjetër me mjekun përsa i përket përdorimit të këtyre preparateve. Mos ua lini në dorë farmacistëve për arsye se në Tiranë qarkullon edhe një kontigjent i madh i viagrës dhe cialisit fallco që janë me çmim shumë të lirë, por që janë të dëmshme për efektin e tyre dhe për shëndetin, përgjithësisht.