Pyetje-përgjigje për seksin…
– Doktor Evi, i vlerësoj shumë përgjigjet tuaja. Ju lutem, më thoni, pasi kam nevojë ta di… Pas masturbimit, unë urinoj shumë. Unë masturbohem shpesh. Mos është kjo pasojë e këtij fakti? Mos vallë i kam problemet e urinimit nga kjo gjë?
– Nuk e di moshën tuaj, por siç kam thënë edhe herë të tjera, masturbimi nuk është i dëmshëm, përveçse nëse ndikon në marrëdhënien në çift. Megjithatë, theksojmë se varet edhe nga mënyra se si masturboheni, sepse organet seksuale janë shumë të ndjeshme dhe delikate. Nëse nga masturbimi me forcë ndodh që të irritohen organet seksuale mashkullore të brendshme, siç është vezikula seminale, prostata etj., si rezultat mund të keni edhe urinim të shpeshtë. Gjithsesi, unë do t’ju sugjeroja të bënit një vizitë dhe analizë që të jeni më i qartë me veten tuaj dhe të kuptoni shkakun e urinimit të shpeshtë.
– Jam 30 vjeç dhe madhësinë e penisit e kam 14 cm. Dua të di, a ndikon për keq nëse dëshiroj të kem fëmijë? Arrij në orgazëm shumë shpejt, prandaj ju lutem më thoni, mos ndikon madhësia?
– Madhësia e penisit nuk ndikon në ardhjen shpejt në orgazëm. Plus që, madhësia e penisit 14 cm, nuk është aspak pengesë për pasjen e një fëmije, kështu që rrini i qetë. Nuk keni asnjë problem me madhësinë e penisit.
– Jam shumë e shqetësuar për të fejuarin tim. Vetëm për një gabim të vogël që kam bërë (jo tradhti), e shoh që hakmerret ndaj meje në gjithçka. Edhe për marrëdhënie s’i bie ndërmend. Thua ka probleme seksuale? Si ta kuptoj këtë gjë? Nuk mjafton vetëm kjo, por më thotë që urren të gjitha femrat. Si ta marr vesh çfarë ka?
– Urojmë që i fejuari juaj të mos jetë nga ai tip meshkujt të cilët hyjnë te hakmarrësit, sepse këta janë më të rrezikshmit. Nuk mund ta përcaktojmë dot nëse ka probleme seksuale apo vazhdon t’ju mbajë mëri për atë të ashtuquajtur “gabim”, nëse mund të quhet i tillë ai i juaji. Urrejtjen, këta meshkuj nuk e kanë vetëm për një femër të caktuar, por për të gjithë farën e grave dhe ofendimi më i vogël i femrave, i shtyn edhe drejt tradhtisë, por urojmë që të mos jetë ky shkaku i refuzimit të të fejuarit tuaj për marrëdhënie. Meshkujt hakmarrës kanë zakonisht këto tipare: I vënë vetes qëllim ta detyrojnë farën e grave të vuajë sa më shumë të jetë e mundur. Ata u afrohen femrave, i shtien në dorë dhe pastaj, pa pikë mëshire, i braktisin. Por, në këtë rast, nuk hyni ju, prandaj nuk mund të themi që ai bën pjesë në këtë kategori. Tregohuni më e ngrohtë me të, afrohuni duke bërë muhabet të qetë, duke i treguar se jeni shumë e interesuar për të dhe që jeni gati të flisni për çdo gjë. Përveç kësaj, mos i impononi asgjë, por afrojuni me dinakëri, që ai të mos ndihet i trysnuar.
– Kemi tre muaj që nuk bëjmë marrëdhënie seksuale, s’e di çfarë ka. E pyes dhe më thotë “jam i stresuar në punë” e kaq. Kjo gjë më shqetëson. A ndikon stresi te ndërprerja e marrëdhënieve seksuale?
– Ka një kategori meshkujsh që vërtet, kur janë të stresuar në punë, kjo gjë u ndikon edhe në jetën seksuale. Zakonisht, këta meshkuj nuk u flasin grave të tyre për këto probleme sepse duan t’u shmangen vërejtjeve e kritikave dhe aq më keq, skandaleve, mirëpo njeriu pikërisht në këto raste kërkon një mbështetje, një përkrahje dhe fillon të kërkojë jashtë familjes së tij. Prandaj bëni kujdes dhe në radhë të parë silluni si një shoqe me të; më pas tregoni nevojat fiziologjike. E kuptoj, edhe ju keni të drejtë në atë çfarë kërkoni, por përpiquni ta kuptoni. Interesohuni për punën e tij, çfarë problemesh ka etj. Bëhuni shoku, shoqja e tij dhe në këtë mënyrë do ta afroni më shumë pranë vetes. Bëhu siç mund të jetë një e dashur në fillimet e saj me një partner. Përkëdhele sa më shumë dhe afroji mbështetje, dhe do të shikoni që do jetë ai që do kërkojë intimitet me ju. Ndryshe po nuk pati rezultat, mund të ketë problem shëndetësor ose duhet shikuar seriozisht mardhënia juaj në çift.
– Unë s’e arrij orgazmën me partnerin sepse rri e kontraktuar nga frika e shtatzanisë, por ai s’më kupton. Ndërkohë, kur masturbohem, unë arrij në orgazëm. Duhet ta quaj problem këtë gjë mes meje dhe partnerit?
– Femrat, gjithmonë, gjatë momentit seksual, duke mos u përqendruar te partneri i vet, nga frika e ndonjë shtatzanie apo ndonjë shkak tjetër, nuk arrijnë në orgazëm. Është interesante që disa femra nuk e arrijnë orgazmën gjatë aktit seksual, por e arrijnë fare mirë, gjatë masturbimit. Masturbimi te femrat mund të zëvendësojë deri diku një aktivitet seksual, pra, një orgazëm në aktivitet seksual. Mënyra e masturbimit ndryshon nga njëri person te tjetri, por në fund të fundit, ato kanë një gjë të përbashkët, ngacmimin dhe fërkimin e klitorisit. Këtë gjë mund t’ia bëni të qartë edhe partnerit. Unë nuk e shikoj këtë si problem tuajin, por të partnerit tuaj. Ai duhet t’ju qetësojë dhe t’ju sigurojë që s’do të ngeleni shtatzënë. Duhet të jetë më i ngrohtë me ju, që ju të arrini të njëjtën kënaqësi.