Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Paskam jetuar gjithë jetën në mashtrim!

Çdo njeri mund të ketë historinë e jetës së tij dhe normalisht, historitë ngjasojnë e njëkohësisht, ndryshojnë nga njëra-tjetra, por historinë time nuk besoj se do ta ketë dëgjuar njeri.

Historia ime nis 32 vjet më parë, kur unë u njoha me dashurinë e jetës sime.

Sigurisht që atëhere nuk mund të dashuronim lirisht për shkak të regjimit në të cilin jetonim dhe ishin shumë të pakta historitë e dashurisë,

Advertisement

ose më saktë, njerëzit duheshin, por asnjëherë nuk përfundonin bashkë, duke qenë se ishte shumë e vështirë. Fatmirësisht, unë përfundova me njeriun që doja pas shumë e shumë peripecish. Nga martesa jonë lindi një djalë i mrekullueshëm që tashmë është te të tridhjetat. Në këta tridhjetë vjet kam kaluar periudhën më të bukur të jetës sime, pavarësisht vështirësive të jetës, kryesisht ekonomike. Ato nuk na ndaluan aspak të ishim të lumtur. Më dukej sikur askush nuk ishte më e lumtur se unë. Kisha një familje që të gjithë na e kishin zili. Edhe djali u martua dhe tashmë ishim një familje e madhe dhe e pandashme. Nuk kaloi shumë kohë kur im shoq papritur u sëmur. Pas shumë e shumë vizitash, askush nuk e mori përsipër sëmundjen e tij. Unë isha e gatshme që të bëja gjithçka për të, por ishte e pamundur, sepse kishte pësuar hemorragji cerebrale dhe raste të tilla, ishin shumë të vështira për të gjetur zgjidhje. Pas shumë e shumë vuajtjesh, ai humbi jetën. Ishte momenti më i vështirë që mund të kisha kaluar ndonjëherë. Nuk e besoja që po më ndodhte mua. Qaja e dëshpëruar, por ishte e kotë, pasi ai nuk do të kthehej më. Kisha humbur njeriun më të shtrenjtë të jetës sime, atë të cilit i kisha falur çdo gjë, njeriu që më kishte bërë të kuptoja se çfarë ishte lumturia. Përgatitëm gjithçka dhe u bëmë gati që të shkonim në ceremoninë e varrimit. Atje, një djalë rreth të 25-ve qante i dëshpëruar, por i veçuar nga të tjerët. Nuk e kisha parë kurrë. Të afërmit i njihja të gjithë, por këtë djalë nuk ma kishin parë kurrë sytë. U bëra kureshtare pasi e pashë që qante me ngashërim dhe iu afrova, e pyeta se kush ishte dhe se çfarë e lidhte me tim shoq, por ai qante e qante pa fund. Më pas mblodhi veten dhe më tha se sapo kishte humbur babanë. E përqafova duke menduar se tek po varrosnim tim shoq, i ishte kujtuar vdekja e të atit dhe ndjehej keq, por teksa po e ngushëlloja duke i thënë se edhe unë kisha humbur njeriun më të shtrenjtë, ai më tha se po flisnim për të njëjtin person. Mbeta e shokuar, i thashë se nga dhimbja po ngatërrohej, por ai më siguroi se im shoq ishte babai i tij.

M’u thanë lotët në sy dhe nuk dija se çfarë të mendoja. Nuk ishte e mundur kurrsesi që kjo të ishte e vërtetë! Nuk munda të qëndroj më aty dhe ika pa e varrosur tim shoq. Ecja ku më çonin këmbët dhe, duke i hedhur një vështrim të gjithë kohës që kisha kaluar me të, më kujtoheshin shërbimet për punë me ditë të tëra larg familjes. Aty fillova t’i lidhja gjërat, që ai kishte një punë që udhëtonte vazhdimisht jashtë qytetit dhe madje edhe me muaj nuk ishte në shtëpi, por kisha menduar dhe isha gënjyer njëkohësisht gjithë kohën me idenë se ai punonte për të mbajtur familjen e tij, ndërkohë që ai kishte dy familje të ndryshme. Kisha parë shumë telenovela dhe nuk e mendoja kurrë që këto histori do të ishin të vërteta, por ja që edhe telenovelat bazohen diku.

Ajo ditë ishte dita më e tmerrshme e jetës sime, aq sa m’u fshinë gjithë të tjerat që kisha qenë e lumtur dhe nuk i mbaja më mend, isha fokusuar vetëm në atë që po ndodhte. Ndjehesha shumë e zhgënjyer, pasi gjatë gjithë jetës sonë nuk e kisha çuar ndonjëherë ndërmend që ai do të më tradhtonte, por kisha jetuar në gënjeshtër dhe zhgënjim. U ktheva në realitet pas një dite të gjatë që kalova duke ecur nëpër çdo cep të atij qyteti ku kishim jetuar bashkë. Më vinte zor të dilja para njerëzve, më dukej sikur të gjithë e dinin, përveç meje. Më vinte turp t’i dilja djalit dhe nuses së tij përpara, por fatmirësisht, ata nuk kishin kuptuar asgjë, thjesht ishin habitur që isha larguar ashtu nga varrimi, pa thënë gjë. U mundova ta mbaja veten dhe sajova se nuk po e duroja dot dhimbjen e faktin që im shoq nuk ishte më dhe prandaj u largova. Çuditërisht, nuk kuptuan asgjë dhe më besuan.

Kaluan disa ditë dhe vendosa të harroja gjithçka, por, një ditë në shtëpi erdhi djali që kisha takuar në varrim dhe menjëherë dola së bashku me të nga shtëpia që të mos kuptonte gjë im bir, pasi nuk doja ta zhgënjeja dhe t’i tregoja figurën e vërtetë të babait të tij; doja që ta kujtonte gjithmonë ashtu siç e njihte ai. U ulëm diku dhe ai djalë më tregoi gjithçka, më tha se babai i tij jetonte me ta, por udhëtonte vazhdimisht, për shkak të punës dhe vazhdimisht, ishte me shërbime. Aty kuptova se im shoq kishte jetuar në të njëjtën kohë, me dy familje të ndryshme. E pyeta se kush ishte e ëma dhe aty zbulova se kisha qenë sërish e mashtruar. E ëma e tij ishte një mikeshë e familjes sonë që vinte vazhdimisht te ne dhe që kohët e fundit, çuditërisht, kishte filluar t’i rrallonte vizitat. Nuk më besohej ajo që po dëgjoja, megjithatë, në sy të djalit të saj u hoqa sikur nuk e njihja, pasi ai nuk kishte faj për ato që kishin ndodhur. Fëmijët janë gjithnjë viktima të të rriturve që bëjnë veprime të papërgjegjshme. Vendosa që këtë histori ta mbaja të fshehtë brenda meje dhe ta vuaja vetëm unë atë që kisha zbuluar. Nuk e mendoja kurrë që në një moshë të këtillë jeta ime të merrte këtë rrjedhë. Kam jetuar gjithë kohën në gënjeshtër, mashtrim dhe zhgënjim, duke menduar se isha e lumtur.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Adriatik Bejko (Tiku): Publiku është pasqyra jonë…!

Next Post

Ai nuk do të bëjë fëmijë me mua?

Advertisement