Po sikur, për të zgjidhur krizat në çift, të aplikonim parimet ekonomike?
Këtë propozojnë dy autorët e librit “Çiftonomiks”, Paula Saçman dhe Xheni Anderson.
Për të shpëtuar, harmonizuar dhe dhënë nxitje çiftit, ato kanë përdorur parimet bazë të teorisë ekonomike, që e kanë quajtur çiftonomiks. Ja cilat janë ato:
1. Ndajini punët, sipas “specializimit”
Në parim supozohet se, që një çift që banon së bashku të shkojë mirë, duhet një ndarje e drejtë e punëve të shtëpisë, të tipit 50% njëri e 50% tjetri dhe të ndërrojnë rolet herë pas here. Por, siç e vënë re autoret e Çiftonomiksit, ndërkohë që ideja e ndarjes së detyrave është shumë e thjeshtë; ajo mbetet një nga subjektet klasike të zënkave në çift. Atëhere, çfarë duhet bërë?
Frymëzohemi nga teoria e punës e bazuar te ndarja dhe specialiteti i secilit (sipas Adam Smith). Në fakt, në një ndërmarrje, si në një jetë në çift, një marrëdhënie e bazuar te ndarja e punëve, gjatë së njëjtës kohë dhe me të njëjtën ngarkesë, i korresponon më shumë… punës në zinxhir. Cili do ta dëshironte këtë në shtëpi? Për këtë arsye, në vend që të ndahen të njëjtat punë dhe aktivitete në 50/50, është mirë që secili të bëjë atë që di të bëjë më mirë. Sigurisht, nuk bëhet fjalë këtu që njëri të bëjë vetëm punët e vështira dhe tjetri vetëm të lehtat por thjesht, t’i përshtatemi së bashku situatës për të fituar kohë që do t’i shërbejë çiftit për çlodhje dhe zbavitje.
Shembull praktik: Nëse jeni më e shpejtë se partneri në larjen e enëve, ndërsa e keni të vështirë të gatuani, ndani detyrat dhe përshtatjani ato secilit. Që të dy do të fitoni kohë. Sigurisht që ju do t’i lani enët shumë më shpesh, por nuk do të humbisni kohë duke gatuar dhe anasjelltas.
2. Kuptoni frikën nga humbja (…dhe grinduni më pak)
Frika e humbjes është një nga motorrët më shkatërrimtarë të ekonomisë. Ajo është e zakonshme, por shumë më e thellë sesa duket. Për shkak të saj, ne e perceptojmë më mirë ngritjen sesa uljen e çmimeve. Meqë të gjithë e urrejnë humbjen, kjo i shtyn njerëzit të rrezikojnë gjithçka kur ndjehen të kërcënuar. Kjo shpjegon, për shembull, ato zënkat me të vërtetë të fuqishme, kur fillon të grindesh me tjetrin dhe e ngul gozhdën deri në fund, duke thënë fjalë për të cilat shpesh pendohesh më pas.
Kështu pra, zënkat e pafund kur do medoemos të tregosh se ke të drejtë, sikur kjo të jetë e drejta e padiskutueshme, janë jo vetëm ë humbje kohe (besoj se e keni vënë re), por gjithashtu, një pasqyrim i frikës sonë nga humbja. Kjo frikë nga humbja në lojën se kush është më i forti, na bën të humbasim edhe më shumë: Gjumin, besueshmërinë, mirëkuptimin. Autoret propozojnë dy zgjidhje të thjeshta dhe efikase për të rigjetur gjumin, dinjitetin dhe qetësinë në çift:
– Të presësh të nesërmen! “Nata sjell këshillë”, thotë një fjalë e urtë popullore.
– T’i imponosh vetes rregullin e 24 orëshit. Sapo një situatë na nervozon, evitojmë reagimin e drejtpërdrejtë dhe presim 24 orë qetë-qetë. Nëse nervozizmi kalon, kjo do të thotë se nuk ia vlente të zemëroheshim kaq shumë; furtuna ka kaluar. Nëse vazhdon, të paktën kësaj radhe, mund të flasim qetë dhe të flemë gjumë.
3: Prano ligjin e ofertës dhe kërkesës (…dhe bëni dashuri më shpesh)
Në fushën e marrëdhënieve seksuale, studimet provojnë atë që supozojmë të gjithë: Çiftet e lumtura bëjnë dashuri shpesh dhe, nëse bën shpesh dashuri, ke më shumë shanse të jesh një çift i lumtur. Një gjë, pra, është e sigurtë; të bësh dashuri kur je në çift është diçka e mirë për moralin, por me rutinën, stresin, punën, fëmijët, lodhjen, etj., vendi i seksualitetit zvogëlohet pak nga pak dhe në fund, seksi “na kushton shtrenjtë”. Kujdes, kjo nuk do të thotë së marrëdhënia ka një tarifë të caktuar! Seksi na kushton… 40 minuta gjumë më pak, kur të nesërmen keni shumë punë, jeni lodhur, etj. Me një fjalë, ka shumë arsye që na bëjnë të mendojmë sa na kushton seksi, por ky është një rreth vicioz sepse, sa më pak bën dashuri, aq më shumë marrëdhënia do të na duket se kushton shtrenjtë sepse:
– Duhet rifituar ritmi, zakoni i humbur dhe kjo kërkon përpjekje e bile, njëfarë organizimi.
– Numri i paktë i marrëdhënieve rrit nivelin tonë të kërkesave. Sa më rrallë bën, aq më shumë kërkesa ke prej tij. Me këtë çmim, duhet që t’ia vlejë!
Por, siç thotë edhe Vudi Alen: “Nuk kam pasur kurrë një orgazmë të keqe. Orgazma ime më e keqe ka qenë ashtu siç duhet”. Për t’i bërë marrëdhëniet seksuale më pak të kushtueshme dhe për të qenë një çift më i lumbur dhe që bën seks shpesh, Paula dhe Xheni propozojnë tre zgjidhje (të testuara dhe të aprovuara nga çiftet):
– Të jemi më transparentë në dëshirat tona: Kështu, mbrëmjeve kur kemi shumë dëshirë, më mirë thuajani partnerit pa i rënë rrotull e rrotull. Komunikimi i mirë kursen kohë, energji, kuptohesh nga tjetri dhe kjo u pëlqen të gjithëve… në shtrat!
– Të ndryshosh zakonet. Zakonet e mira në fushën e seksualitetit humbasin shumë shpejt. Atëhere, hiqni këmishën e vjetër të natës dhe bëni një depilim të këmbëve!
– Të pranojmë dëshirat. Nëse themi ato që kemi dëshirë, me saktësi, e ndihmojmë tjetrin dhe i evitojmë nganjëherë… refuzimet e përsëritura.
4. Injorojini “thashethemet e tregut”
Në fushën e seksualitetit, të gjithë flasin shumë, por mos u tregoni naivë duke besuar gjithçka që thuhet. Çifti i përkryer nuk ekziston, ashtu si në ekonomi, ku quajmë “thashethemet e tregut” ato fjalë që qarkullojnë për sukeset dhe dështimet e kësaj apo asaj ndërmarrjeje. Shpesh, thashethemet e tregut janë të pabazuara, prandaj është mirë t’i evitoni.
Mos u fusni në siklet kur dëgjoni se filan çift bën dashuri dy herë në ditë që prej 15 vjetësh dhe mos besoni se ky çifti tjetër, që puthen e përqafohen në publik, nuk grinden asnjëherë në shtëpi… Jini, mbi të gjitha, realistë!