Franc Bregu,  është një aktor i ri por jo pak i talentuar sa kush e ka parë në “ALpazar” sezonin e shkuar apo tani edhe tek “Mos i fol shoferit” e Rudina Dembacajt nuk ka mundur mos vërë re edhe interpretimin e tij aq profesional. Franci, u ndoq me shumë kërshëri edhe në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në një interpretim fantastik përkrah artistes së madhe Roza Anagnosti. “Oskari dhe tezja Rozë” ishte pjesa që mahniti të gjithë dhe ne menduam që Franci të na mahnisë edhe në këtë intervistë, dhe më besoni që kur të arrini në fund të saj, do ndiheni të plotësuar shpirtërisht, sepse një artist këtë di të bëjë më mirë se gjithçka tjetër!

 Fabjola Kuburi:- Franc, si ndihesh në rolin e një  fëmije? Sa prej teje ka personazhi që ti interpreton?

Franc Bregu:-  Në fakt, ka qenë një ndjesi shumë e bukur të punoja me karakterin e një fëmije 10 vjeçar. Shumë herë më është dashur të risjell në kujtesë çaste nga fëmijëria ime, pikërisht nga kjo moshë, dhe kjo përveçse më ka ndihmuar, edhe më ka bërë të ndjehem mirë. Sepse çdo herë që kujtoj fëmijërinë, aq më shumë bindem që ka qenë periudha më e bukur e jetës sime. Tek Oskari ka shumë nga unë. Në të gjitha situatat, raportet e veprës, është e pashmangshme që të mos tregosh edhe veten. Është një marrëdhënie shumë e çuditshme dhe po aq e bukur ajo që krijohet mes teje dhe personazhit. Në skenë je ti, është karakteri që ti je munduar të skalitësh, janë edhe të dy bashkë. Dhe kjo është një ndjesi e pashpjegueshme, të paktën për mua.

– “Oskari dhe tezja Rozë”, pjesa teatrale ku ti interpreton fëmijën 10 vjecar Oskar, ka në thelb një dramë tragjike apo jo? Sa e fortë është si pjesë për publikun shqiptar, a ka gjetur vend në realitetin tonë kjo pjesë?

-“Oskari dhe tezja Rozë” është bazuar në novelën e Erich Emmanuel Schmitt-it, një histori në dukje e thjeshtë por që në thelb përcjell mesazhe universale. Historia e Oskarit 10 vjeçar që jeton ditët e fundit të jetës së tij në spital, mardhënia aq e ngrohtë dhe jetësore që ai ka me zonjën Rozë dhe gjithçka kumtohet nga kjo histori, ju flet dhe prek shpirtin e të gjithë njerëzve. Spektatori që e ndoqi shfaqjen, e priti shumë mirë në të gjitha netët. Duke parë reagimin e tyre, të qeshurat, lotët në fund të shfaqjes dhe gjithë energjinë që ndjehej në sallë, besoj se vepra arriti të komunikonte mirë edhe me realitetin tonë, ku më shumë se gjithçka, ka nevojë pikërisht për besim, për jetë, për shpresë dhe dashuri.

– A ndihesh me fat që interpreton pranë një ikone të artit shqiptar si Roza Anagnosti?

– Më shumë se sa fat, për mua, të luaja në skenë me një ikonë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare si Roza Anagnosti, është një bekim nga Zoti.  Zysh Roza (kështu i themi të gjithë ne të rinjtë) që në çastin fillestar të provave e deri sot ka qenë dhe vazhdon të ngelet një mbështetje shumë e madhe. Fat, nder, privilegj, bekim dhe sigurisht edhe krenari që luaj me të në skenë. Një artiste me një shpirt të madh dhe një njeri fisnik nga e cila çdo ditë mëson diçka të re. Dhe kjo ka vlerë të jashtëzakonshme!

– Çfarë ke marrë nga kjo pjesë në teatër?

-Kjo pjesë ka një ndjeshmëri shumë të thellë. Duke qenë roli im i parë i të tilla përmasave në teatër dhe me atë peshë emocionale, sigurisht që përgjegjësia ishte e madhe. Jam përpjekur të investoj shumë dashuri, pasion dhe punë tek roli dhe shfaqja dhe pas netëve që kaluan, duartrokitjet e publikut qenkan vërtet dhurata më e bukur që mund të marr pikërisht për punën që kam bërë. Por mbi të gjitha, Oskari më mësoi edhe mua shumë. Më mësoi të besoj më shumë, të dua më shumë, të qesh më shumë, të shpresoj më shumë dhe të jetoj çdo çast sikur të ishte i fundmi mbi tokë. Prandaj ky rol dhe kjo shfaqje për mua kanë vlerën e jetës, për gjithçka mësova, nga ana njerëzore dhe ajo profesionale.

Në fund të shfaqjes, spektatori mbetet me shijen e trishtimit dhe në njëfarë mënyre, ndihet i përfshirë, pasi sheh edhe veten në atë skenë… Është kjo meritë e dramës, e aktrimit fantastik, apo e një realiteti të hidhur të cilit nuk i shpëtojmë dot?

– Në fakt, gjatë shfaqjes, ngaqë përmendet aq shumë sëmundja, vdekja, konfuzioni, të krijohet mbase gabimisht ideja që në fund (dhe vërtet që fundi është tragjik) shija do të jetë ajo e trishtimit. Por unë besoj se është e kundërta e kësaj. Në shfaqje flitet shumë edhe për Zotin, për jetën, për dashurinë, për madhështinë e shpirtit njerëzor. Sigurisht që ndjesia e  trishtimit është e pashmangshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për një fëmijë që jeton ditët e fundit të jetës në spital, dhe kjo përcjell tek spektatori shumë ndjesi të bëra bashkë, keqardhjen, pamundësinë për të bërë diçka etj, por fundi është mbi të gjitha edhe një himn për jetën, prandaj edhe unë uroj që ky mesazh të përcillet dhe përthithet më së miri nga publiku.

Për ne që e shohim nga pozicioni i spektatorit, teatri është vërtet një magji. Po për një aktor teatri?

– Edhe mua më pëlqen ta quaj magji, mister. Ti lind dhe vdes brenda dy orëve çdo natë. Kalon nëpër ca skuta të thella të shpirtit tënd. Komunikon me spektatorin në një mënyrë krejtësisht të veçantë, çdo natë. Energjia që qarkullon në sallë është e çuditshme dhe kaq e mirë. Ti interpreton, të gjithë sytë janë tek ti, përqëndrimi është i lartë për të përcjellë emocion. Dhe pastaj të gjitha bëhen bashkë. Epo kjo vërtet që është magji!

Me çfarë do ta ndërroje teatrin? Çfarë të jep një ndjesi të ngjashme me atë që përjeton ndërsa aktron në skenë?

– Këtë nuk e di! S’e kam menduar ndonjëherë se me çfarë mund ta ndërroja teatrin. Unë e shikoj këtë profesion si një rrugëtim të gjatë për të zbuluar veten dhe për t’u bërë njeri më i mirë. Krijimi si proces të jep emocione të patjetërsueshme. Unë edhe shkruaj (shumë modestisht thënë kjo), prandaj herë pas here, atë ndjesi ma ka dhënë edhe çasti kur kam gjetur një subjekt për një tregim që mua më ka pëlqyer e shijuar shumë. Ec e merre vesh këtë punë!

Po një ndjesi të ngjashme me atë që përjeton kur duatrokitesh?

– Oh, ajo ndjesi është e pazëvendësueshme. S’besoj të ma japë diçka tjetër, asnjëherë!

– Franc, ti ke qenë edhe pjesë e “Alpazar” sezonin e shkuar në mos gaboj? Çfarë i dhurove Alpazarit dhe çfarë more prej tij?

– “Al Pazari” ka qënë një përvojë fantastike për mua. Njoha shumë miq të mirë me të cilët edhe sot e kësaj dite ruaj raporte shumë të mira. “Al Pazari” më ndihmoi shumë në rritjen time profesionale, prandaj gjej rastin edhe t’i falenderoj të gjithë, Gonin në veçanti, Beharin po ashtu dhe gjithë trupën. Dy vitet e mia atje kanë qenë shumë të bukura. Fitova vërtet shumë nga ai spektakël sepse është emocion i mrekullueshëm ai që ti merr nga njerëzit që të shohin e vlerësojnë çdo javë. Uroj që unë të kem dhuruar të personazhe të këndshëm dhe të qeshura të shumta.

Të mungon ky spektakël?

– Unë jam njeri shumë nostalgjik, në kuptimin që gjërat e së shkuarës, ato të bukurat sigurisht, kur i kujtoj gjithnjë më japin ndjesinë e mungesës. Për kënaqësinë, emocionet, ritmin, atmosferën, batutat, prapaskenat, e shumë ndjesi të tjera, sigurisht që më mungon “Al Pazari”. Ka qenë një përvojë e paharrueshme!

Tashmë ke edhe një tjetër impenjim televiziv, je pjesë e emisionit “Mos i fol shoferit” të Rudina Dembacajt. Si u ndodhe aty? Më trego pak më shumë…!

– Angazhimi im te “Mos i fol shoferit” erdhi shumë natyrshëm. Kur Rudina më foli për konceptin që do të kishte këtë vit emisioni, më tërhoqi shumë dhe m’u duk shumë interesant. Sigurisht, e falenderoj shumë Rudinën për këtë mundësi. Atje kam gjetur Ina Gjonçin, një mike timen shumë të mirë dhe aktore e mrekullueshme, Anna Likën, shoqen time të kohës së Universitetit që është kaq e veçantë në çdo gjë që bën, dhe shumë njerëz të tjerë që pata fatin t’i njoh e të punoj. Po e shijoj shumë “Mos i fol shoferit”.

 

Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për  1 euro ne muaj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *