– Përshëndetje. Jam Amarildo nga Korça, kam 3 vjet i fejuar, por problemi këtu është se mua më rri mendja tek e fejuara e parë. Mendoj për të fejuarën e parë dhe qaj për këtë vajzë. Kam 3 vjet që jam ndarë prej saj, por nuk e harroj dot. Kam marrë vesh që është martuar e ka edhe një vajzë, i kam dërguar gjëra për vajzën dhe për atë e kam ndërmend ta ndihmoj përsëri që ta bëj për vete. E dua shumë dhe nuk di si të veproj. Ju, çfarë më këshilloni? Mos vallë po bëj gabim që më rri mendja tek ajo?
– Ça mendon, t’i prishësh familjen asaj, kur ajo ka edhe vajzë? Bën mirë t’i rrish larg, shiko të fejuarën tënde, mos e lër pas dore, duaje dhe respektoje se do humbasësh edhe këtë që ke. Antonia
– Amarildo, do bëje shumë mirë nëse tregohesh i sinqertë me të fejuarën që ke tani, por ti a je i sigurt që ish-e fejuara të do siç e do ti? Unë të kuptoj shumë mirë si ndihesh, por bëji gjërat me pjekurinë më të madhe, sepse do lëndosh njerëz që ndoshta nuk e meritojnë. Shpresoj ta gjesh një zgjidhje dhe të jesh i lumtur. Viola
– Tregoji të fejuarës ndjenjat që ke për atë tjetren që nesër pasnesër të mos vuajnë për budallallëqet e tua edhe fëmijët që do të sjellësh në jetë. Se, po të jetë pak inteligjente e fejuara jote do të dijë vetë si ta menaxhojë situatën, pavarësisht dhimbjes që do të provojë. Më mirë një fund me dhimbje sesa një dhimbje pa fund. Dalina
– Zgjohu, se je në gjumë, prano realitetin e mos kujto gjërat e mira që ke kalu me ish-in, por dhe të këqijat se po të kishit kaluar mirë, s’do ndaheshit, trap. Ervi
– Po për të fejuaren aktuale a ke menduar ndonjëherë? Si do të ndihej ajo po të ishte në vendin tuaj?! Marsia
– Është e lehtë të japësh një mendim, por tepër e vështirë ta përjetosh vetë, ndaj mendimi im është që çdo gjë e ka koha në dorë, jeta do ndryshojë, gjithçka e krejt pa kuptuar ti do ecësh në drejtimin tënd, ajo në drejtimin e saj, ndaj mos e mundo veten, zemra nuk komandohet. Dona
– Kur e doje kaq shumë, pse e le? Bëji hyzmetin kësaj që ke se ajo ka familjen e saj. Enka
– Një gjë pyes unë se pse s’e deshe ti sa e pate në krah? Pse iku ajo te tjetri? Kjo tregon se je një k… nga mendtë si një, si 20 të fejuara me pasë. Aida
– Mendoj që ti mor djalë, je hala në gjumë. Zgjohu dhe jeto jetën me të fejuarën e lene të kaluarën mbrapa. I thonë një shprehjeje: nëse personin e parë e ndërron me të dytin, zgjidh të dytin se po ta doje të parin, nuk do ta ndërroje me të dytin. Mendoj se ti duhet thjesht t’i bësh vetes një leksion e të vish në planetin Tokë sepse qenke në qiell me mendje. Ardiana
– Do bësh mirë të rrish larg dhe të kontrollosh ndjenjat e afshet e tua, se është shumë vonë për këtë që mendon. Ndryshe do t’i bësh lëmsh të gjithë, bashkë me mendjen tënde. Mendimi im është. Petro
– Po ç’të duhet ajo tani? Çdo njeri kur martohet ka mbaruar punë dhe ti martohu dhe mbaro punë dhe shih familjen tënde. Anxhela
-Ndahu edhe me këtë të dytën, prit sa të martohet dhe fejohu me të tretën e mendo për të dytën, ndahu nga e treta, lëre të martohet, fejohu me të katërtën e me radhë, vazhdo të njëjtën gjë, çoju dhurata, paguaj llogaritë e shpenzimet dhe puno një jetë të tërë si hamall për ish-të fejuarat. Ti mendo edhe paguaj, se qejfin e bëjnë të tjerët. Dritani
– Mire e ke, vazhdo kështu se ia vlen. Disi
– Kot e ke me dhurata, provo hapi një llogari bankare hahah. Bruno
– Unë kam menduar t’i bëj magji të fejuarës së parë, ta ndaj nga i shoqi, por neve na ndau mamaja ime, sepse çfarë i blija të fejuares së parë e kërkonte dhe mami. Me të fejuaren e dytë nuk shkoja mirë se e kapa me një tjetër duke u puthur. Nuk mund ta harroj të fejuarën e parë unë qaj për këtë vajzë. Lido
– Mundohu ta harrosh sa më shpejt, kjo gjë do ishte më mirë për ty sepse në rast se tenton të lidhesh përsëri me atë vajzë kam përshtypjen se ajo vajzë mund të të shkaktojë shumë më shumë dhimbje se ç’po ndien tani. Ledi
– Atëherë mos e merr në qafë të fejuaren e dytë, qenke injorant, kur nuk u deshet kur ishit bashkë çfarë kërkon nga e fejuara e parë kur ajo qenka bërë me fëmijë? Je totalisht gabim, mblidh trutë se do të të lërë edhe e fejuara e dytë, apo edhe me këtë kështu do veprosh?! Je totalisht gabim, hiq dorë dhe përkushtoju të fejuares së dytë. Kjo tregon që ti nuk ke karakter si burrë! Kamila
– Harroje o daku. Një gjë që të iken nga duart, nuk kthehet më. Genti