– Para katër vjetësh kam pësuar aksident dhe kam ngelur sakat në një anë të trupit. Për këtë arsye, kam rënë në depresion. Doktori më ka shkruar të marrë Ladose 2 në ditë. Kam tre vjet që e marr nga 1 kokërr, kam dy muaj që e marr 2 kokrra dhe ndjehem më mirë. Dua të më jepni një këshillë, sa kokrra të marr në ditë, 1 apo 2 sepse kam hall mos varem nga to dhe nuk ndaloj dot pastaj? Faleminderit
Dr.Abaz Quka, neuropsikiatër, Klinika mjekësore “Nertila” Tel: 0696524440:- Përshëndetje zotëri i nderuar, E lexova me vëmendje letrën tuaj dhe si fillim do të doja t’ju shprehja keqardhjen time për problemin që keni kaluar. Në lidhje me shqetësimin që keni, do të doja t’ju shpjegoja se kjo është doza maksimale për këtë medikament (40mg në ditë). Në këto kushte, nëse një kokërr nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmirësuar situatën tuaj, ndoshta duhet të vazhdoni me këtë dozë. Nëse ju jeni ndjerë mirëedhe me një kokërr, atëherë do t’ju rekomandoja të vazhdonit me një kokërr në ditë (20mg). Duhet të dini se ky medikament nuk jep varësi, por ndërprerja e tij duhet bërë gradualisht (kur merret vendimi), me qëllim që të mos shfaqen shenja si ankthi dhe depresioni.
Ky është një medikament i grupit të antidepresiveve SSRI, i cili mund të përdoret edhe për disa vjet rresht, pa efekte anësore në shumicën e rasteve. Kështu nëse ju ndiheni mirë, unë do t’ju rekomandoja ta vazhdoni pa hezituar terapinë. Ndër të tjera, do t’ju rekomandoja edhe fizioterapinë ose notin (në varësi të deficitit motor që keni), të cilat mund t’ju përmirësojnë si anën motore edhe atë psikologjike. Qëndroni në shoqërinë e njerëzve të dashur për ju dhe dëgjoni muzikë të hareshme. Këto janë thjesht disa metoda natyrale që luftojnë depresionin. Mbetem në dispozicionin tuaj për pyetje të mëtejshme!