Pallati i Kongreseve në datën 20 maj, shpërtheu nga duartrokitjet dhe muzika e publikut. I mbushur plot e përplot, të gjithë në këmbë, duke kënduar dhe kërcyer, ata shijuan çdo moment të recitalit të 7-të të këngëtarit të mirënjohur Bujar Qamili. Mjeshtër i madh në skenë, ai risolli jetë me anë të këngëve të tij, nga jugu në veri dhe Kosovë. Të ftuar emra të mëdhënj të muzikës e humorit shqiptar si Shkëlzen Jetishi, Marjana Leka, Parodistët e Vlorës, Zyliha Miloti e Besnik Çinari, Bes Kallaku e Erion Isai, artistë të rinj shkodranë e shumë e shumë emra të tjerë të cilët nën moderimin e ikonës së ekranit shqiptar Silvana Braçes, recitali i Bujar Qamilit mori përmasa të jashtëzakonshme. Ne e ndoqëm recitalin e tij dhe më pas realizuam edhe këtë intervistë…!
Fabjola Kuburi:-Recitali juaj i 7-të ju risolli në Pallatin e Kongreseve me një publik të jashtëzakonshëm. Si ndiheni pas këtij recitali?
Bujar Qamili:- Të të them të drejtën jo se ishte recitali im, por nuk i mungoi asnjë gjë duke filluar nga repertori i këngëvë jo vetëm shkodrane, por kishte brenda dhe këngë të Shqipërisë së mesme , nga jugu dhe Kosova. U ndjeva jashtëzakonisht mirë sepse publiku më shoqëroi gjatë 3 orevë me duartrokitje dhe duke qëndruar në këmbë.
-Prej sa kohësh u morët me organizimin e tij?
-Kam plot 6 muaj që merrem me organizimin e këtij recitali, duke filluar nga repertori i këngëve, të ftuarit që ishin, formacioni orkestral, skenografia e cila ishte në nivel shumë të lartë artistik etj.
-Në recital sollët këngë të vjetra, të përpunuara por edhe të reja, si e gjetët boshtin mes tyre?
-Gjithmonë kam patur parasysh në çdo recital të jap tek publiku këngën e bukur origjinale shkodrane dhe përveç kesaj unë atë natë isha i pranishëm dhe më një repertor këngësh të reja ku publiku i pëlqeu dhe duartrokiti me shumë kënaqësi.
-Kishit një numër të madh arstistësh të ftuar në këtë recital dhe emra të mëdhenj, si u bë përzgjedhja e tyre?
– Unë u mundova të gjej artistë që janë dhe miqtë e mi sepse kisha parasysh ndërrimin e kostumeve të mia gjatë gjithë koncertit dhe ishte e pranueshme që ata të ndërhynin që skena mos të qëndronte bosh.
-Ju mbeti ndonjë merak të ndonjë këngëtari që nuk erdhi dot apo nuk e ftuat dot?
-Jo . Ata të cilët kisha menduar erdhën kështu që jam shumë i kënaqur.
-Pallati i Kongreseve ishte plot e përplot, “vetëm Bujar Qamili mund ta bëjë një gjë të tillë” ishte fraza që shoqëronte gjithë mbrëmjen, si ndihet Bujar Qamili nga ky vlerësim i publikut?
– Është mbase e vërtetë se ne po shohim këngëtarë të tjerë që po ju organizojnë kompanitë e fuqishme dhe ata nuk lodhen fare ndërsa tek unë qëndron ndryshe. I kam bërë të gjitha vetë që nga A deri tek ZH. Prandaj dhe publiku e di se Bujari i bën të gjitha vetë.
-Cilat prej këngëve tuajat janë më të preferuarat edhe nga publiku?
– Në përgjithësi janë të preferuara, por këto si “Hajde nuse në Shkodër, “Ky marak”, “Pranvera”, “Taksirat që mka xan mu” etj janë më të pëlqyerat.
– Keni fituar aq shumë çmime…por cili është çmimi që nuk ka çmim për ju?
– Duartrokitjet e publikut. Pa duartrokitjet e tij, nuk do të ishim as ne.
– Mbi 30 vite në skenë, çfarë kanë qenë këto vite për ju?
– Vite pune, përpjekjeje dhe suksesesh të njëpasnjëshme.
-Me pjesën më të madhe të kolegëve aty, takoheni edhe nëpër koncerte. Është ky ndër të paktat vende ku ndiheni më pak konkurentë me njëri-tjetrin?
– Nuk kam konkurrent sepse nuk i shoh më këtë sy. I shoh si miq. Njihemi prej kohësh.
-Cili është realiteti artistik në Shkodër? Mendoni se aktiviteti artistik është transferuar tashmë në kryeqytet?
– Në asnjë mënyrë. Shkodra ëshët i vetmi qytet që organizon koncerte më shumë se çdo qytet tjetër në Shqipëri. Shkodra realizon festivalin e Këngës Popullore Qytetare “ Lulebore”, “Ahengu shkodran” me këngëtarët më të mirë, koncertin e Pranverës, festivalin Kombëtar të fëmijëve” dhe shumë të tjerë.
-Ndiheni më shumë i realizuar në familje apo në karrierë?
– Po të mos ishte familja s’do kisha karrierë….
Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!