Egla Ceno është aktorja shqiptare që mbërthen pas interpretimit publikun dhe i dhuron shpirt, buzëqeshje, lot ashtu si shpirti i personazhit të cilin interpreton. Sapo uli siparin shfaqja “Natën ma” një pjesë e jashtëzakonshme në të cilën Egla interpretonte Xhesin, një personazh që të linte pa frymë bashkë me një tjetër aktore të madhe si Iliri Vinca dhe me regji të Ema Andreas. Egla, këtë herë vjen në një rrëfim alfabetik le ta quajmë, e gjatë rrugës nxjerr në pah edhe shumë të vërteta të bukura dhe ndonjë peng të vjetër që nuk ka mundur t’a finalizojë për arsye të situatave që vetë jeta i ka krijuar…!

 Fabjola Kuburi:- A për arritjen… Cilën konsideron arritjen më të madhe të jetës tënde? Mua më pëlqeu shumë “Natën ma”…!

Egla Ceno:- Faleminderit Fabjola! Arritje… Nuk di çfarë kam arritur saktësisht në këtë aspekt që prek ti. Vetë fjala ‘’arritje’’ imponon si fillim një objekt, një destinacion dhe pastaj kohën që duhet për të mbërritur atje. Di një histori që thotë saktësisht si e përjetoj këtë “punën e arritjeve”:

Një biznesmen po qëndronte në breg të detit kur pa një peshkatar me një varkë të vogël që po afrohej. Në varkë kishte 7/8 peshq. Biznesmeni përshëndeti peshkatarin dhe e pyeti se sa kohë i ishte dashur për t’i zënë ata peshq. “Shumë pak” u përgjigj peshkatari.

Atëherë biznesmeni e pyeti: “Pse nuk qëndrove më gjatë për të kapur më shumë peshq?”

Peshkatari i tha se kishte peshkuar mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e familjes së tij.

Biznesmeni vazhdoi: “Çfarë bën me pjesën tjetër të kohës?”

“Fle deri vonë, pastaj peshkoj pak, luaj me fëmijët, rri me gruan, shkoj çdo natë në qëndër në fshat, pi verë dhe i bie kitarës me miqtë e mi. Mundohem të gëzoj jetën” u përgjigj peshkatari.

Biznesmeni: “Unë jam i suksesshëm dhe mund të të ndihmoj. Kalo më shumë kohë duke peshkuar dhe me fitimet bli një anije peshkimi të madhe. Pastaj mund të blesh disa të tilla dhe në vend ta shesësh peshkun me ndërmjetës mund të shesësh direkt. Hap biznesin tënd dhe kontrollo produktin dhe shpërndarjen. Zhvendosu nga ky fshat i vogël në një qytet të madh ku do mund edhe të zgjerosh biznesin.”

Peshkatari pyeti: “Sa kohë duhet për të bërë gjithë këtë?”

“15-20 vjet”

“Po pastaj?”

Biznesmeni buzëqeshi dhe tha se aty fillon pjesa më e mirë. “Shpall shitjen e biznesit dhe bën miliarda!”

“Miliarda? Po pastaj?”

Biznesmeni: “Pastaj do dalësh në pension. Do mund të shkosh në një fshat të qetë larg qytetit, do flesh deri vonë, do peshkosh pak po pate dëshirë, do luash me fëmijët, do kalosh kohë me gruan, do shkosh në mbrëmje në fshat për të pirë verë dhe për t’i rënë kitarës me miqtë… ”

– B për besimin… Duhet shumë punë që të fitosh besimin tënd?

– Besimi është nevojë. Me të lidhen marrëdhëniet tona më të rëndësishme. Marrëdhëniet me miqtë, familjarët, kolegët, dashurinë. Është shumë e ndërlikuar sepse kur besojmë, dorëzojmë një pjesë tonën tek tjetri por është e nevojshme ta bëjmë sepse pa besim do ishim qënie nevrotike të tmerrshme, as një taksi nuk do merrnim dot se nuk njohim dhe rrjedhimisht nuk besojmë te shoferi i mjetit…Si i bëhet?! Unë e shoh si mënyrën si pozicionohemi në përgjithësi ndaj jetës, jo ndaj disa personave në veçanti. Në raste të veçanta besimi është si unaza e martesës…”një status”.

– C për cilësinë… Cila është cilësia më e domosdoshme për një aktor/e?

– Nëse dikush është në gjendje të numërojë cilësi objektive që përkufizojnë një aktor, ia fut kot! Personalisht ajo që unë vlerësoj te një aktor/e, është kur rezulton psikologjikisht i besueshëm.

– D për dëshirën… Do t’ia plotësoje vetes edhe ato dëshira që rrezikojnë të lëndojnë njerëzit që ke pranë?

– Fjala “dëshirë” në thelb ka të bëjë me Uni-n. Nuk do doja që Uni im të kalonte në kufijtë e egocentrizmit. Dua që njerëzit që kam pranë, të jenë mirë dhe nëse kjo do varej ekskluzivisht nga unë apo nga dëshirat e mia, do isha në gjëndje ti anulloja të gjitha për t’i parë ata mirë.

– E për erosin… Atë e gjen ngado, edhe në klipe e në shfaqje teatrale. Pse ndodh kështu?

– Ndoshta e ke fjalën për banalizimin e erosit sepse të thuash eros duhet t’ia nisësh nga mitologjia klasike, filozofia, psikologjia, arti. Fjala eros është korruptuar kaq shumë nga kultura jonë sa duket sikur eros-i është baraz me lakuriqësinë trupore. Në të vërtetë kështu e kemi shndërruar ne, e kemi katandisur në “shit-blerje.”

– F për fobitë… Ke të tilla?

– Kam posi. Kam frikë të rri në mes të turmave të mëdha me njerëz.

– G për gabimin… Cili është gabimi që nuk do t`ia falje kurrë, askujt madje as vetes?

– Ti bësh keq dikujt me vetëdije dhe me dëshirë. Këtë nuk e toleroj fare. Gjithashtu edhe të bësh dy herë të njëjtin gabim, tregon që nuk je gjë tjetër veçse një gdhë.

– H për hulumtimin… Kur hulumton për të krijuar personazhet, kjo është zgjedhja jote apo urdhër i stafit?

– Është ekskuzivisht kënaqësia ime më e madhe. Zona ime!

– I për ikanake… Je ndopak e tillë?

– Jam! Të gjithë jemi. Vet jeta ikën. Ne ikim përgjithmonë një ditë të bukur. Kur nuk kam më çfarë të them, të bëj, të jap apo të marr, iki. Por para se të bëj këtë, JAM!

– J për jetën… Çfarë e bën jetën kaq të shtrenjtë?

– Jeta është një dhuratë që na është bërë. Është e shenjtë dhe si e tillë duhet jetuar për aq kohë sa na është dhënë.

– K për kujtimet… një kujtim që ti e shikon si gjënë më me vlerë për ty dhe që doje ta jetësoje?

– Nuk më pëlqen të shkoj për gjueti kujtimesh.

– L për lamtumirën… Qan kur duhet të ndahesh me dikë qoftë edhe me një personazh?

– Të gjithë kemi jetuar më shumë se një lamtumirë në jetë…vetë jeta është copëza lamtumirash…deri në lamtumirën finale.

– M për miq… Ke shumë të tillë apo je selektive?

– Miqësia është një nga format e dashurisë. Përmblidhen në të gjithë idealet për të cilat ia vlen të luftosh. Nuk është aspak e lehtë të kesh miq të vërtetë në sasi.

– N për natën… Ke frikë nga errësira?

– Jo. E kam kaluar atë fazë :)

– O për objektin… Cili është objekti më i dashur për ty?

– Nuk jam e lidhur me objektet.

– P për… Përgjithmonë!

– Nuk ka asnjë aparat fotografik që të shkrepë një foto të “përgjithonë-s”. Nuk ekziston në asnjë fjalor një shpjegim me kuptim të fenomenit “përgjithmonë”. Përgjithmonë po…por ka një skadencë. Këtë mendoj kur dëgjoj “përgjithmonë”

– Q për qëllimin… Cili është ai kryesori në jetën tënde?

– Të mundohem ta shijoj…si puna e peshkatarit që të tregova në fillim.

– Rr për rrezik… Të pëlqen rreziku apo i shmangesh atij?

– Më pëlqen gjithmonë të rrezikoj.

– S për sentimentalizmin… Je ndopak sentimentale?

– Jam shumë dhe jo për zgjedhjen time por sepse kështu jam gatuar.

– T për takimin… Të josh ideja e një takimi të rastësishëm?

– Vetëm po të kishte si subjekt Sir Morgan Freeman.

– U për urinë… Atë që njerëzit e varfër e ndjejnë përditë, ndryshe nga ne të dy.

Me urinë nuk bëhet shaka, nuk spekullohet! 24 mijë njerëz në ditë vdesin sot nga uria në botë. 24 mijë në ditë! Sot, kur kazanët e plerave të supermarketeve gjigande janë plot me ushqime që nuk kanë shitur dot dhe nuk mund të shesin sepse kanë skaduar një ditë më parë. Flas nëpër Europë ku kam jetuar se në vendin tonë nuk shkon asgjë dëm. Na shesin sapunin për djath pa pikë skrupulli, me kosto shëndeti! Sot kur nëpër televizionet tona flitet për dietën, si të humbasim peshë, si të evitojmë ushqimet bla bla bla e të hamë ushqimet bla bla bla… më kap një siklet kur e flas sepse e ndiej veten pa fuqi për të ndryshuar gjërat.

– V për veprën…ndonjë merak për ndonjë vepër?

– Kur isha studente në Akademinë e Arteve, viti i fundit, bëja 3 punë njëkohësisht nëpër televizione si regjisore dhe asistent regjisore, rastësisht u gjenda në mes të një… ngjarje le të themi sepse për artin tonë ishte ngjarje… po realizohej telenovela e parë shqiptare që më vonë publiku e njohu me emrin “Njerëz dhe fate”. M’u propozua por nuk kishte akoma një ide si do ishte. Mora laps e letër dhe nisa ta shkruaj. U nisa nga historia ime personale. Krijova të parin personazhin e babit tim i cili ka qënë kinooperator dhe vdiq në moshën 48 vjeçare kur unë isha ende adoleshente. Isha shumë e lidhur me të dhe doja që në një farë mënyre ai të vazhdonte të jetonte… Krijova “babin” dhe vajzën, që në telenovelë u quajt Era. Doja në një farë mënyre të materializoja marrëdhënien me tim atë. Ngjarjet më larguan nga Tirana drejt Gjermanisë për studime dhe e braktisa atë projekt. U lumturova shumë kur mora vesh që personazhi i babit tim kishte ngelur dhe akoma më shumë që rolin e luante Robert Ndrenika. Gjithashtu edhe për Erën. Eni është një mike e veçantë për mua edhe sot e kësaj dite dhe nuk mund të kishte patur zgjedhje më të mirë për rolin e vajzës që kisha skicuar për vete. Sigurisht që do kisha dashur ta kisha çuar deri në fund, por nuk ishte e thënë.

– Y për yjet…mund te flasin yjet?

– Sigurisht që flasin…për kë di të dëgjojë.

– Z për zemrën…dëgjon më shumë zemrën apo arsyen?

– Të dish “të dëgjosh”, është art, është të dish të heshtësh. Unë do doja të isha një “dëgjuese” e mrekullueshme, nuk ka rëndësi çfarë dëgjon….zemrën, arsyen, lulet, yjet, njerëzit, detin, erën…Për mua, rëndësi ka të dish të dëgjosh.

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *