Marlen Qelia, është një nga zërat më të njohur të muzikës popullore shqiptare. Ai është tropojan më origjinë, por kjo nuk e pengon që të këndojë këngë nga të gjtiha trevat shqiptare. Kënga e tij e tij e fundit, e shoqëruar me klip “Kënga ime” duket se është pëlqyer shumë nga publiku dhe ai është shumë i kënaqur nga kjo pritje e publikut.
-Marlen, ti vetë je tropojan, megjithëse këndon këngë të të gjithë krahinave, apo jo?
– Përshëndetje. Së pari, ju falenderoj për intervistën. E vërtetë, unë jam tropojan, dhe ndoshta jam me fat, sepse tek ne nuk ka dallim krahinash. Kultivohet muzika e të gjithë trevave shqiptare.
– Kur je takuar për herë të parë me muzikën, dhe pse ndoqe rrugën e asaj popullore, tabanin e muzikës shqiptare?
– Me muzikën jam rritur. Im atë këndonte nga pak. Nuk ka qenë i shquar në atë fushë, por ka kënduar, kështu që unë u rrita me atë ndjenjë, dhe e vazhdova. Në njëfarë mënyre më ndoqi dhe fati, por muzikën unë e ndjej në shpirt, prandaj e ndoqa këtë rrugë.
– “Kënga ime” është videoklipi yt më i ri. Është pritur mirë nga publiku?
“Kënga ime” është një këngë të cilën mendoj se e kemi realizuar mirë, dhe besoj se është pritur shumë mirë. Me këtë rast, falenderoj Suzana Fazliun për tekstin, dhe Kujtim Shalën për muzikën e bukur.
-Ndërkohë, kemi parë që ke më tepër bashkëpunime sesa projekte solo. Mendon se janë më frytdhënëse?
– Çdo bashkëpunim ka anë pozitive, dhe mendoj që do të më duhet të bëj më shumë. Le t’ia lëmë kohës…
– Sa e dëmton turbo-folku tabanin e muzikës popullore shqiptare?
-Besoj se turbo-folk e ka dëmtuar shumë tabanin e muzikës, mirëpo që të konkurrosh në treg, duhet të ecësh me kohën, përndryshe do ta shohësh veten jashtë tij (qesh).
-Ti këndon “live” çdo natë. A nuk është e vështirë ta përballosh këtë?
-Të kënduarit “live” është pak i vështirë, por falënderimi i takon Zotit që më ka dhënë vokalin, e më jep forcë të punoj duke dhënë maksimumin tim.
-Ti këndon edhe nëpër dasma. Si ishte kjo verë për ty në këtë drejtim?
– Kjo verë për mua ishte si gjithmonë me shumë punë. E vetmja gjë që më mundon është që më duhet të lëviz sa në një qytet në tjetrin, në temperatura të larta. Por përgjithësisht kemi kaluar shumë mirë.
-Përveçse një këngëtar i mirë, je edhe prind. Na trego pak për anën familjare të Marlenit…
-Kam dy vajza, Marsida, 12 vjeç, dhe Oana, 5 vjeç, që i dua pafund! Janë gjithçka për mua. Për shkak të angazhimeve, s’mund t’iu kushtoj shumë kohë, por falenderoj time shoqe Brunildën, e cila kujdeset për të gjithë.
-Ma merr mendja se në një treg ku këngëtarët janë të shumtë, edhe xhelozia nuk ka si të mungojë. Ti vetë si i ke marrëdhëniet me kolegët?
– Marrëdhëniet me kolegët janë të shkëlqyera. Xhelozia është nën minimalen. Ata që më njohin, e dinë shumë mirë se sa i respektoj, si i pres kur vijnë, dhe si i kam ndihmuar kur kanë pasur nevojë për ndihmën time.
-Nëse të them që intervistës sonë i erdhi fundi, ti si do më përgjigjeshe?
– Ishte kënaqësi që pata rastin të realizojmë këtë intervistë dhe ju uroj suksese.