Hamdi Skeja: -Sava, faleminderit që pranove të flasësh për ne në këto ditë të nxehta vere. Na thuaj pak të lutem në fillim, kur fillove punë si gazetare në Radio Tirana 2?
Sava Lena: -Përshëndetje Hamdi! Sa bukur të kthehem në retrospektivë e të mbes aty (qesh). Që e vogël kam qenë degjuese dhe shikuese e rregullt e Radio Televizionit Shqiptar. Për mua ka qenë ëndërr të isha pjesë e atij institucioni. Shihja shpesh të djelave koncertet simfonike që transmetoheshin në Tvsh,por edhe programet muzikore të drejtuara nga Silvana Braçe. Ndërsa radio kishte një tjetër impakt tek unë, radio për mua ishte dhe vazhdon të mbetet dashuri. Isha dëgjuese e programeve të mbremjes nën drejtimin e Rezarta Reçit ku ndonjëherë bëhesha protagoniste si dëgjuese e rregullt duke recituar poezitë e mia. Njëkohësisht dëgjoja dhe programet muzikore të drejtuara nga Enkelejda Kumaraku dhe Andeta Radi. Një ditë telefonova në një program ku u shpalla fituese e një loje muzikore dhe pas saj përfundova e ftuar në programin e kësaj të fundit. Atëherë si një vajzë e re,e brishtë, m’u bë zemra mal që shkela në atë vend “të shenjtë” për mua, herë herë e mendoja edhe si të pa arritshëm. Duket se zëri im spikati në kohën e duhur në vendin e duhur. Regjisori atij programi Gazmend Agai më mbajti numrin e kontaktit dhe në një moment tjetër më njofton se kishin nevojë për disa të rinj që të prezantonin programe rinore. Unë atëherë vija pas një eksperiece të shkurtër televizive te TVA. Ka qenë janar i vitit 2003, ku unë shkoj të takoj shefen e departamentit e cila me propozon një program që kishte në mendje me titull “Një mesazh për ty”. Isha çdo ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me dëgjuesit në valët e kanalit të parë të Radio Tiranës. Mbaj mend që po atë vit kam bërë lidhjen e parë direkte me “Koncertin e pranverës” i cili ka qenë edhe i fundit ai i vitit 2003. Pasi bëra lidhjen direkte, me një celular nga ata të thjeshtët, kontaktoj me fituesin e atij viti Klajdi Musabelliun dhe të dy së bashku nisemi me vrap nga Pallatin e Kulturës ku mbahej aktiviteti në drejtim të Radio Tiranës, për të ndarë me dëgjuesit emocionet e fitores së çmimit të parë. Ndërsa shumë media prisnin prononcimin e artistit pas fitores, ne arritëm ta merrnim prononcimin e parë në kohë rekord. Pas kësaj do vazhdoja këtë rrugëtim të bukur ku çdo vit mezi prisja dhjetorin, jo si stinën e preferuar, por për të pritur festën e fundvitit “Festivalin e Këngës” e cila më jepte një sadisfaksion shumë të madh. Pas kësaj do ishin të shumta emisionet e një pas njëshme, por ato që më mbushnin shpirtërisht do mbeteshin ato muzikoret. Krijuam programin “Gjithçka shqip” në valët e Radio Tirana 2 në dhjetor të vitit 2003, (pasi në fillimet e mia punoja paralelisht në Radio Tirana 1 dhe Radio Tirana 2.)Kanë qenë me dhjetra programe që kam realizuar në radio, por ajo që realizoja se fundi ishte “Muzika ime”. Tek kjo e fundit u ndjeva vërtetë shumë mirë dhe vazhdova deri më 27 maj të këtij viti. Kam kaluar kohë shumë të bukura,kam qenë e angazhuar gjithë ditën me programe të ndryshme madje dhe në mesnatë, por nuk e bëja me sforco këtë punë, më pëlqente pafundësisht puna ime. Ndonjëherë këto 14 vite e gjysmë më duken shumë pak,më duket sikur fillimet ishin dje dhe sot sikur jam zgjuar nga një ëndërr e keqe.
-Sava, emisioni “Muzika ime” ishte më i plotësuari dhe ti ke qenë gjithmonë e vëmendshme duke pasur të ftuar ajkën e muzikës shqiptare. Si ke arritur, të ftosh artiste kaq të njohur të cilët vështirë se japin intervista…
-Sikurse e thatë ju të ftuarit e mia kanë qenë elita e muzikës shqiptare. Më ka pëlqyer gjithmonë që të vë në pah vlerat dhe jo t’u jap famë antivlerave. Kjo punë sa e bukur ka dhe vështirësitë e veta. Që në fillimet e mia jam munduar që të ruaj miqësinë me të gjithë artistët. Një ndër grupet e mia të preferuara kanë qenë Elita 5, të cilët i kisha takuar disa herë si fanse dhe më pas në rolin e gazetares. Miqësia ime me ta do të vazhdonte. Djemtë super të talentuar dhe të sjellshëm nuk më thanë asnjëherë “jo” sa herë i shqetësoja për intervista në radio apo në gazetë.
Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!