Endri Kenga, eshte djaloshi nga Martaneshi, i cili I ka kushtuar muzikes pothuajse gjithe jeten, qe ne femijerine e tij. Ai ka marre pjese ne festivale muzikore por nuk ka munguar edhe me prurje klipesh, bashkepunime dhe jo vetem. Ai ka nje projekt te ri ne dore, e veçanta e se cilit eshte, pjesemarrja ne klip e boksierit me fame nderkombetare, Gjetan Keta.
– Endri, kur je ngjitur për herë të parë në skenë dhe çfarë ka ndryshuar që atëherë?
– Ngjitja e parë në skenë ka qenë kur isha fëmijë. Në atë kohë mora pjesë në një koncert që zhvillohej në shkollë, ku dhe u vlerësova me çmimin e parë. Asokohe edhe pse një skenë e vogël më dha një frymëzim të madh për të filluar rrugën e muzikës.
– Kënga që të ka bërë të njohur, ka qenë bashkëpunimi me Lisandra Rrapën, një baladë e këndshme. E dije që atëherë që kjo këngë do kishte sukses?
– Po, ky bashkëpunim që mban titullin “Shpirti im” ka patur frytet e tij pozitive, duke më bërë më të njohur në publik. Bashkëpunimi ynë ishte rastësor, por që në të vërtetë u prit mirë. Punuam me shpirt që kjo baladë të pritej mirë dhe mendoj se ia kemi dalë.
– Ndërkohë po sjell një klip të ri, që me sa di, ka diçka të veçantë, çfarë konkretisht?
– Po, aktualisht jam duke punuar për këngën solo të radhës. Kam menduar që në këtë këngë të kem pjesë të rëndësishme kampionin e boksit Gjetan Keta.
– Pse Gjetan Keta?
– Zgjodha Gjetanin, sepse mendoj se e ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë prej vitesh si kampion boksi dhe pse jo të mos këndojmë si një nder kombi. Tjetër arsye është se jemi dhe patriotë (qesh).
– Ti ke dy klipe të lançuara, po përgatit të tretin, ke qenë edhe pjesëmarrës në një edicion të Top Fest, ku e gjen veten më mirë, tek festivalet apo tek realizimi vetjak i klipeve?
– Të jemi i sinqertë nuk mund t’i ndaj dot, sepse të dyja më falin sadisfaksion të veçantë. Kënga pjesëmarrëse në Top Fest “Tek unë s’ekziston” më dha emocion të veçantë, por sërish mendoj se secila prej tyre ka veçoritë e veta dhe më japin jetë teksa këndoj, pra nuk ka rëndësi nëse është festival apo realizim klipi, mjafton që unë këndoj më shpirt në të dyja rastet.
– Baladën, ti vetë e quan si zhanrin më të mirë për t’u përfaqësuar?
– Në fakt deri më tani jam përfaqësuar me këtë zhaner në publik, pasi dhe kënga tjëtër e imja që mban titullin “Përgjitmonë bashkë” është baladë, por këndoj dhe zhanre të tjera. Përveç se tek baladat e gjej shumë mirë veten edhe tek këngët popullore, “Martaneshi vend i mirë”, por mendoj se baladat janë më të këndshme për të rinjtë. Prekin më shumë zemra (qesh).
– Sa vështirësi ka një këngëtar, të realizojë një këngë “të hajrit”?
– Eh…vështirësitë janë të shumta. Duhet kohë dhe përkushtim absolut për të aritur atë që kërkon dhe në fund ndodh sërish që të jesh i pakënaqur, pasi prapë kërkon akoma më shumë…Veç kësaj pjesë vështirësi ka edhe në gjetjen e bashkëpuntorëve të cilët luajnë rol të rëndësishëm në realizimin e një këngë cilësore.
– Sa e madhe është dëshira jote për të qenë pjesë e skenave muzikore shqiptare?
– Këtë dëshirë të madhe e ka treguar dhe pjesëmarrja ime në “Top Fest”. Vlerësoj çdo event muzikor dhe kurrsesi nuk më mungon dëshira për të qenë pjesë e tyre.
– Për ty muzika është thjesht muzikë apo dhe një mënyrë të jetuari, pra një kulturë e tërë?
– Aktualisht për mua muzika është thjesht muzikë, pra është diçka që më rrjedh ndër vena dhe nuk e përdor si mënyrë përfitimi.
– Jeta përtej muzikës, me se meresh tjetër përveç saj?
Studioj, jam duke përfunduar masterin për Financë – Bankë dhe njëkohësisht menaxhoj një biznes privat.
– Për ty, një femër duhet të jetë më tepër e bukur apo e zgjuar?
– Femra…Përse jo mos t’i ketë të dyja?! (qesh).
– Çfarë kanë të përbashkët, femrat dhe muzika?
– Femrat dhe muzika kanë të përbashkët “melodine”. Të dyja duan kujdes absolut për të patur një drejtim të duhur qoftë personal apo dhe artistik.
– Çfarë do ishe tani nëse nuk do këndoje?
– Bota e artit ka qenë gjithnjë synimi im, kështu që mendoj se nuk do hiqja dorë kollaj nga muzika.
– Ku e merr frymëzimin Endri?
– Frymëzimi për muzikën ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Në përgjithësi jam tip që shikoj çdo gjë me pozivitet dhe shpesh frymëzohem edhe nga gjëra të së përditshmes, si natyra, njerëzit, dashuria.
– Kënga është një mënyrë të shprehuri të atij që e këndon, pajtohesh me këtë mendim?
– Deri diku mendoj se po, por jo gjithmonë ndodh kështu pasi varet çfarë kërkon të sjellësh për publikun dhe jo gjithmonë do të jesh libër i hapur për to (qesh).
-Në fund, diçka për të shtuar për muzikën në përgjithësi dhe atë tënden në veçanti?
– Muzika është një term shumë i gjerë, secili ka shijet e veta. Nuk jam dakord kur disa persona gjykojnë muzikën e të tjerëve, për më tepër shijet muzikore. Secili është i lirë të dëgjojë dhe të këndojë muzikën që e bën të ndihet mirë. Në fund të fundit ky është dhe qellimi i muzikës që të mbush zemrat e njerëzve në momente të bukura, por edhe kur janë të trishtuar. E rëndësishme është që të mos kalojmë asnjë ditë pa dëgjuar muzikë.