– Zoti Naim, së pari, ju përshëndes! Dua një informacion në lidhje me pensionin social, sepse nuk jam shumë e informuar. Kam dëgjuar të flitet shumë për të, por nuk jam shumë e qartë. Kush e përfiton këtë pension? Zonja Naile.
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – E nderuar zonjë, sipas ligjit 104/2014, pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri, të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera, do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pensionin social përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Aktualisht si masë, pensioni social është në shumën 6 750 lekë.
– Për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP (Pensioni i pleqërisë) = PS (Pension Social) x vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100 x vite sigurimi x BV (baza e vlerësuar). Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994, deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Advertisement