Doktoresha Detina Zalli punon në universitetin e Harvardit, si kërkuese shkencore dhe lektore. Ajo është edhe themeluese e institutit jofitimprurës “VVe speak science”, që ka si qëllim përditësimin e publikut shqiptar me të rejat e fundit të shkencës së mjekësisë. Këtë javë biseduam me të për kolesterolin dhe për rreziqet që sjell ai…
Adrian Rakipi: – A mund të na thoni fillimisht se ç’është kolesteroli?
– Kolesteroli është një substancë yndyrore që gjendet në të gjitha qelizat. Trupi ynë ka nevojë për kolesterol, për të prodhuar hormone, vitaminën D dhe substanca që ndihmojnë për tretjen e ushqimeve (acidet biliare) dhe ai e prodhon vetë sasinë e kolesterolit për të cilën ka nevojë. Kolesteroli gjendet në disa ushqime, andaj ai mund të merret edhe me anë të të ushqyerit. Në kushte normale, kolesteroli nuk mund të tretet dhe të transportohet në gjak, ndaj për t’u transportuar, kolesterolit i nevojiten lipoproteinat, të cilat janë qeliza të përbëra nga yndyrna në brendësi dhe proteina në pjesën e jashtme. Dy lipoproteinat më të rëndësishme që trasportojnë kolesterolin janë: LDL (lipoproteina me densitet të ulët) dhe HDL (lipoproteina me densitet të lartë). Kolesteroli i lartë është një fenomen që haset shpesh sot dhe që shkakton shumë patologji të rënda.
– Në fakt, shpeshherë dëgjojmë termat “kolesterol i mirë” dhe “kolesterol i keq”. Ku qëndron ndryshimi mes tyre dhe ç’do të thotë një vlerë e lartë e kolesterolit?
– Kolesteroli LDL është i njohur edhe si “kolesteroli i keq”. Një nivel i lartë i LDL-së çon në një formim të kolesterolit në arterie dhe më pas, në bllokimin e tyre, pa përmendur këtu pasoja të tjera negative. Kolesteroli HDL quhet edhe “kolesteroli i mirë”. Kjo për shkak se lipoproteinat me densitet të lartë e transportojnë kolesterolin nga pjesët e tjera të trupit tuaj drejt mëlçisë, e cila e largon kolesterolin nga trupi. Zakonisht, thuhet se ke kolesterol të lartë, kur sasia e LDL-së në gjak është mbi 190 mg/dl. Ky kolesterol i tepërt depozitohet në murin e arterieve, të cilat ngushtojnë perimetrin e tyre. Duke u ngushtuar perimetri, zvogëlohet fluksi i gjakut, gjë që i varfëron dhe i privon indet nga oksigjeni e substancat ushqyese. Kjo gjendje është shkak për ishemi dhe, nëse pllaka e kolesterolit e ngushton të gjithë enën e gjakut, duke e bllokuar tërësisht atë, arrihet në infarkt të zemrës.
– A ka një mënyrë për ta ulur nivelin e kolesterolit, që të mos arrihet në situata të tilla fatale?
– Sigurisht që po. Kolesteroli është një faktor rreziku që mund të ndryshohet duke u bazuar te dieta ushqimore, ushtrimet fizike dhe barnat. Siç e dimë, mënyra e të ushqyerit ndikon në shumë sëmundje. Gjithashtu, ushtrimet fizike kanë një rol kyç. Të gjithë kemi mundësi që 30 minuta në ditë të bëjmë një aktivitet sportiv. Nuk ka rëndësi se çfarë aktiviteti zgjidhni, e rëndësishme është të lëvizni të paktën 30 minuta në ditë. Preferoni shkallët në vend të ashensorit, zbrisni një stacion më përpara se stacioni i zakonshëm dhe pjesën tjetër të rrugës bëjeni në këmbë. Faktor tjetër që mund të ndryshojë nivelin e kolesterolit janë ilaçet. Ekzistojnë barna specifike për pacientët që e kanë të pamundur të ulin nivelin e kolesterolit në mënyrë natyrale, ndonëse unë do të këshilloja të mos ishte e nevojshme arritja deri te barnat, sepse fare mirë kolesteroli mund të ulet me një regjim ushqimor rigoroz.
– Cilat ushqime janë efikase për të ulur nivelin e kolesterolit?
– Një ushqim i rëndësishëm është tërshëra. Ngrënia e një tasi tërshëre çdo mëngjes është vërtetuar që ul kolesterolin, sepse tërshëra përmban fibra të tretshme që reduktojnë vlerat e LDL-së. Këto fibra pengojnë futjen e kolesterolit në qarkullimin e gjakut.
Ngrënia e vetëm 5-10 gramëve nga këto fibra e ul nivelin e LDL-së dhe të kolesterolit. Për të rritur sasinë e fibrave, ju mund t’i shtoni tërshërës fruta, si banane apo luleshtrydhe. Një tjetër ushqim janë arrat dhe frutat e thata. Ngrënia e një grushti me arra çdo ditë i mban enët e gjakut të shëndetshme. Arrat, bajamet e lajthitë janë të pasura me acide yndyrore, të cilët janë vërtetuar se e mbajnë zemrën të shëndetshme dhe po ashtu, ulin nivelin e LDL-së. Për të ulur nivelin e kolesterolit duhet të fusni në dietën tuaj medoemos peshkun. Peshku është një nga ushqimet kryesore që konsiderohet si ndihmës i zemrës së shëndetshme. Peshku jo vetëm që mbron zemrën nga ritmet e çrregullta dhe ndihmon në uljen e tensionit të lartë të gjakut, por ul edhe gjasat e trombozave. Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon konsumimin e peshkut, së paku dy herë në javë. Një nga super-ushqimet e këtij shekulli është pa dyshim avokadoja. Ajo është e pasur me yndyrna të pangopura të cilat rrisin nivelin e kolesterolit te mirë, HDL-së. Avokadoja përmban edhe beta-sitoserol, një yndyrë bimore që redukton absorbimin e kolesterolit nga ushqimi. Mundohuni të shtoni avokadon në sallatë, në supë dhe në sanduiçe. Listës së ushqimeve kundër kolesterolit do t’i shtoja medoemos hudhrën, sepse hudhra pakëson kolesterolin, ul presionin e gjakut, parandalon rrezikun e trombozave, si dhe lufton infeksionet. Është vërtetuar që hudhra parandalon ngjitjen e copëzave të kolesterolit me njëra-tjetrën dhe me murin e enës së gjakut. Përsa u përket lëngjeve, evitoni lëngjet e frutave të gatshme që kanë shumë shtesa dhe shtoni në dietë çajin. I ftohtë ose i nxehtë, çaji është i pasur me flavonoide, të njohura si antioksidantë të fuqishëm kundër oksidimit të LDL-së. Kështu, ato pengojnë formimin e pllakave të kolesterolit.
– Një këshillë të përgjithshme për të gjithë ata persona që vuajnë nga kolesteroli i lartë…
– Në një situatë si kolesteroli i lartë, një rëndësi të madhe ka të jeni striktë dhe të vendosur në dietën tuaj. Gjithçka e keni në dorë me anë të ushqimeve. Përpiquni të jeni të kujdesshëm dhe të mos e teproni me ushqime me shumë yndyrë, të skuqura dhe të gatshme. Rikthejuni perimeve dhe frutave. Bëni aktivitet sportiv dhe relaksohuni. Ky i fundit ka rëndësi, sepse stresi mund t’ju shkaktojë rritje të kolesterolit. Përpiquni të lini duhanin. Sipas një studimi, lënia e duhanit rrit me deri në 5% nivelin e kolesterolit të mirë. Dhe, së fundmi, qeshni më shumë. Kot nuk thonë, e qeshura është ilaç!