Je grua? Ke partner mashkull? A është ky partneri yt një qenie e ndërlikuar, që përfaqëson të gjitha stereotipet që thuhen për burrat? Dhe së fundmi, a do ti, si grua, të sakrifikosh karrierën dhe jetën tënde dhe t’ia kushtosh atij? Nëse u je përgjegjur “po” të gjitha këtyre pyetjeve, atëherë ia vlen të lexosh shkrimin tonë, që të tregon si ta bësh partnerin tënde për vete (edhe më shumë se tani). Për fat të keq, këshillat që do të japim më poshtë janë cilësuar si seksiste, të modës së vjetër, shumë naive dhe thjesht qesharake, por a e dini se çfarë nuk është qesharake? Shkenca! Kjo pra është një guidë shkencore për ta bërë partnerin të bjerë në dashuri me ty, ose, të paktën, të paaftë për të të lënë, që në fund të fundit, është e njëjta gjë…
- Mësoje si qenin e Pavlovit
A të tregon afërsi partneri? Të thotë se të do, ose se je e bukur, ose se i pëlqen të rrijë me ty, ose ndonjë gjë tjetër që ngjan për së largu me një kompliment? Nëse po, atëhere shpërbleje sapo ta thotë këtë gjë. Zbulo se çfarë i pëlqen dhe jepja sa herë tregohet i mirë me ty. Një birrë të ftohtë, një biskotë, një sanduiç, një lojë të re PS4, çfarëdolloj gjëje që ta lejon buxheti dhe koha. Kështu, do ta nxisësh që ta përsërisë sjelljen e mirë. Nëpërmjet këtij procesi të shpërblimit në përgjigje të sjelljes së tij, ai do të mësojë shpejt të jetë i dedikuar ndaj teje. Është e rëndësishme që jo vetëm të shpërblehen sjelljet e mira, por edhe të dënohen ato të këqija. Për shembull, nëse ai do të rrijë me shokët dhe jo me ty, ose do të flejë herët në vend që të rrijë gjithë natën duke folur me ty, sigurohu që ta dënosh: Merr në telefon policinë dhe thuaji se ka vënë një bombë, ose lëshoji një leopard të egër në dhomën e gjumit, që herë tjetër as të mos i shkojë mendja të flejë herët…
- Përpiqu të ngjash sa më shumë me të
Ke dëgjuar se të kundërtat tërhiqen? Harroje këtë! Shumë studime kanë treguar se njerëzit kanë tendencë të joshen nga ata që u ngjajnë. Kështu, partneri yt do të joshet më tepër nga ti nëse i kujton vetveten, qoftë për arsye shoqërore, kulturore, të edukatës, apo arsye të thella psikologjike. Prit flokët, vish rroba të njëjta, nëse ke mundësi, bëj edhe operacione plastike. Shumë shpejt ai do të bindet se është lidhur me kopjen ekzakte të vetvetes. Kjo do ta shtyjë të mendojë nëse është në rregull, apo jo, duke e bërë të brishtë dhe të varur. Ai do të jetë yti përjetë!
- Binde se vullneti i lirë është një iluzion
Një mënyrë e sigurt për ta penguar partnerin të të lërë është ta bindësh se njeriu nuk është konceptuar të marrë vetë një vendim! Këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe shkenca. Ajo thotë se ne nuk jemi të përgjegjshëm për veprimet tona dhe e kuptojmë se ç’kemi bërë, vetëm pasi shohim pasojat. Sigurisht, ka argumente kundër kësaj ideje, por ato nuk janë të rëndësishme. Nëse mund të bindësh burrin se vullneti i lirë është një legjendë, atëherë mund ta bindësh edhe ta braktisë idenë e pavarësisë dhe të evitojë çdo mendim për të të lënë dhe për të filluar marrëdhëniet me dikë tjetër. Ose ai do të ndjehet aq depresiv, pasi të mendojë se jeta nuk ka kuptim dhe do të rrijë me ty për shkak të mungesës së motivimit për të bërë ndonjë gjë tjetër.
- Mos e lër të djersitet
Nuk mjafton vetëm që ai të jetë i dedikuar ndaj teje, por duhet të sigurohesh që asnjë grua tjetër nuk ka shans t’i afrohet atij. Ndërkohë që teknikat e tua manipuluese e kanë thyer psikologjikisht në atë pikë sa asnjë grua tjetër të mos e shohë më si një partner të dëshirueshëm, duhet marrë në konsideratë edhe një komponent biologjik, djersa. Shumë studime të fundit kanë treguar se gratë joshen dhe eksitohen nga era e djersës që lëshon një burrë. Sigurisht, ti duhet ta pengosh këtë gjë, duke e ndaluar të djersitet. Ka shumë mënyra për ta penguar një burrë të djersitë: Mbaje të pahidratuar, apliko antitranspirantë kur ai nuk e ka mendjen, jepi ilaçe që veprojnë kundër nervave që shkaktojnë djersitjen, ose ndërhyrje kirurgjikale për prerjen e këtyre nervave. Ai duhet të jetë në gjumë të thellë për këtë ndërhyrjen e fundit, por ia vlen ta bëni!
- Merre peng
Po sikur të lësh mënjanë justifikimet e tjera dhe thjesht të kufizosh lëvizjet e tij? Meqë ti je gati të shkosh deri në ekstrem për të manipuluar partnerin, apo për ta penguar që të të lërë, pse të mos e marrësh direkt peng? Duke e detyruar të të shohë dhe të të ketë pranë në çdo orë të ditës dhe të natës, mbase forcohen lidhjet mes ju të dyve, nëpërmjet mekanizmit të rrezikut të vdekjes dhe dominimit. Nipërve tuaj do t’u pëlqente shumë kjo përrallë romantike!
- Qetësohu
A ia vlen të bësh kaq shumë përpjekje për lidhjen tënde, apo për çfarëdolloj lidhjeje? Atëherë qetësohu dhe pi diçka; kështu do të largosh stresin. Nëse e mendon mirë, nuk ia vlen barra qiranë të bësh kaq shumë manipulime qesharake për ta bërë dikë të bjerë në dashuri me ty, gjë që ai gjithsesi, nuk do ta bëjë. Atëherë, kurseji vetes kohë e dinjitet dhe vazhdo jetën tënde, sepse një ditë do të gjesh dikë që do të të dashurojë ashtu si je, me të mirat dhe të këqijat e tua, pa patur nevojë të bësh manovra dhe manipulime.