Nuk bëhet fjalë thjesht për një kronikë të zezë në shtyp dhe aq më pak, vetëm për një rrëfim, por në njëfarë mënyre, ky është një apel për ndihmë i bërë nga familja e Fidai Myrtos nga Lapardhaja e Beratit.

Kjo familje është detyruar të ikë jashtë vendit vetëm për shkak të një konflikti për pronësinë, që më pas i ka kushtuar edhe banesën. Rreth një muaj më parë, shtëpia e zotit Fidai është përfshirë nga flakët dhe për këtë, zonja Ardiana, bashkëshortja e Fidaiut, mes lotëve në komunikimin tonë përmes internetit, tregon se i është fshirë edhe shpresa e fundit për ta pasur sërish shtëpinë dhe pronën e tyre. Se si ka nisur gjithçka, na e rrëfen zoti Fidai…

I shokuar nga djegia e shtëpisë, për të cilën nuk dinë kujt t’ia vënë gishtin, ai tregon se është paraqitur në instanca dhe në zyrat përkatëse për të marrë një përgjigje, por më kot, pa asnjë rezultat.

Zoti Fidai, në datën 10.10.2012, një ditë para nisjes për në Francë, ia ka lënë pronën në ruajtje dhe në përdorim zotit Xhuliano (Ylli) Xhafa. Me pronë nënkuptohet toka dhe shtëpia, të dyja bashkë 5200 metra katrorë. Në janar 2013, vëllai i Fidaiut, Dhimitri (Amza) ka shkuar dhe i ka bërë presion Xhulianos duke e kërcënuar me vdekje. Pas këtij kërcënimi, ai e ka mbjellë tokën me jonxhë bashkë me vëllain tjetër Foti (Fatos) Myrto dhe edhe sot e kësaj dite kjo tokë është nën tutelën e tyre. Çdo detyrim për këtë tokë e paguan zoti Fidai, ndërkohë që nga ana tjetër, prodhimin e marrin vëllezërit.

Në datën 15.07.2011 është mbajtur edhe një procesverbal nga grupi i punës në komunën Otllak, dërguar nga kryetari i komunës, zoti Dalip Kanaci. Atë ditë ky grup pune ka verifikuar edhe tokën dhe gjatë verifikimit, në bazë të certifikatave të pronësisë rezultoi se 1336 metra katrorë mungonin në tokën e Fidaiut, pasi ishin marrë nga vëllai i tij, Fatosi. Në bazë të këtij verifikimi janë vënë edhe kufijtë mes dy vëllezërve dhe po nga ky grup pune janë vënë 13 shenja nga një metër, për kufi. Një ditë pas vendosjes së kufijve, zonja Sadika Myrto, bashkëshortja e Fatosit bashkë me djalin e saj shkuan te toka dhe i hoqën shenjat e kufijve. Në atë moment ajo thërret edhe kunatën tjetër Shqiponja Myrton, bashkëshorten e Dhimitrit dhe sipas tyre, ato e kanë ndarë tokën mes tyre në mënyrë të barabartë dhe që atë ditë kjo tokë është kështu.

“Unë nuk kam lënë vend pa u ankuar dhe polici pa shkuar dhe nuk kam gjetur asnjë ndihmë, nuk më kanë ofruar asnjë mbështetje. Para një muaji u dogj edhe shtëpia, u përfshi nga flakët dhe unë nuk kam as ku të fus kokën po të kthehem në Shqipëri, përveç faktit që kam konflikt edhe me vëllezërit dhe nuk kam se ku të shkoj. Shtëpia u dogj dhe unë nuk di se çfarë të bëj, jemi në pikë të hallit, nuk kemi gjetur askund asnjë ndihmë, prandaj edhe u drejtuam të flisnim me gazetën tuaj. Urojmë që të gjendet një zgjidhje dhe në fund të marrim të drejën tonë dhe atë që na takon. Shtëpinë dhe tokën, shtëpinë e djegur të shkrumbuar dhe tokën që e paguajmë ne, kur prodhimet i ha tjetërkush.

Edhe sa të shpeshta duhet të bëhen kronikat që shoqëria shqiptare të këmbëngulë në drejtësi e ndëshkueshmëri?  Edhe sa kohë më të errëta duhet të vijnë që jetës t’i rikthehet vlera?

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *