– Doktoreshë Mira, më skuqen shumë sytë kohët e fundit dhe nuk di si ku të drejtohem, sepse krurja që kam më bën të mendoj se kam alergji. Ju, çfarë mendoni?
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – Ju na jepni pak të dhëna për t’ju dhënë një përgjigje të saktë, pasi skuqja e syve ka disa shkaktarë. Ju nuk na shpjegoni nëse ju ka ndodhur edhe më parë dhe në çfarë stine. Mund të jetë thjesht virozë sezonale dhe nuk ke ç’i bën, ose mund të jeni alergjike edhe nga prodhimet e kozmetikës, pavarësisht se nuk e di nëse jeni mashkull apo femër. Nëse jeni femër, është mirë të shmangni përdorimin e kozmetikës, për të parë nëse e keni pikërisht prej tyre këtë shqetësim. Nëse e keni të pamundur të qëndroni pa kozmetikë, fare mirë mund të merrni rimel ose penel antialergjik dhe mundësisht, të jenë prodhime origjinale. Për më gjatë, do t’ju këshilloja të vini të bëni testin e alergjisë pranë klinikës sonë. Nëse nuk keni alergji, atëhere duhet të shkoni tek okulisti.