Karriera e Valbona Halilit është nga ato karriera që shkëlqejnë gjithmonë, me këngë dhe që qëndrojnë vetëm në majë. Valbona, prej një viti është nënë e një djali të vogël dhe në një vjetorin e tij, ajo ka menduar t’i bëjë dhuratë djalit, por edhe publikut, një këngë të re me titull “S’ka si çuni”…
Fabjola Kuburi: – Valbona, këtë herë ke ardhur me një këngë që ka lidhje të drejtpërdrejtë me jetën tënde private, por që i dedikohet edhe familjes në përgjithësi. Si lindi “S’ka si çuni”?
Valbona Halili: – Ky është një dedikim që unë ia kam dhuruar djalit tim Dean, në një vjetorin e lindjes së tij, pikërisht më 11 dhjetor. Kur bëhet prind, njeriu bëhet dyfish i dashur, dyfish i mirë, dyfish i lumtur dhe të gjitha këto m’i ka dhuruar djali im. Kështu, duhet ta falënderoja në njëfarë mënyre për lumturinë që na solli në familje. “S’ka si çuni” do të bëhet hiti prindërve që sjellin në jetë djem të shëndetshëm dhe bukuroshë, që sjellin harmoni në familje. Edhe vajzat janë lumturi më vete, por njeriu niset nga vetja për të sjellë diçka në jetë dhe ky është një dedikim personal.
– Besoj se bashkëpunëtorët janë të njëjtët…
– Po, kam bashkëpunuar për këngën me të madhin Edi Balili dhe me Max Production për klipin. U realizua bukur dhe jam e kënaqur nga puna e tyre. Kam kaq kohë që bashkëpunoj me ta dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
– Çfarë je në gjendje të bësh me një mikrofon në dorë dhe me një publik përpara?
– Kam përshtypjen se i kam dhënë provat se çfarë mund të bëj me një mikrofon para një publiku; të ndez zemrat e tyre dhe të paktën për aq kohë sa këndoj për ta, të ndihen mirë.
– Me çfarë do të doje ta sfidoje veten artistikisht e profesionalisht?
– Sfida më e çmuar është kur je aty ku do dhe i tregon botës që ia arrite.
– Je mërzitur ndonjëherë duke kënduar?
– Jo, kam pasur të bëj me publik të dashur dhe shumë të mirë. Kam marrë vlerësime, duartokitje e lule, por mërzitje asnjëherë.
– Si nis ideja e një kënge e më pas, e një klipi për ty?
– Jam gjithnjë shumë e matur në këngët që realizoj sespe kërkoj gjithmonë cilësi dhe vlerë. Muzika popullore ka vlera dhe nuk duhen shpërdoruar; duhen dashur dhe kënduar me shpirt.
– Ka ndonjë person me të cilin nuk ke patur mundësinë të punosh, por që do të doje të punoje?
– Të punosh me artistë të ndryshëm, që kanë bërë emër në artin shqiptar, është fat, por edhe aftësi personale. Kam vite në skenë dhe jam munduar me shpirt që me cilindo që më ka takuar situata dhe puna të bashkëpunoj, të jem korrekte.
– Një këngë që nuk është për shijen tënde…
– Nuk ka këngë të shëmtuar, nuk mund të mendohet një këngë si e tillë.
– Si e konsideron veten Valbona në muzikë?
– Jam vetvetja para atyre që e duan muzikën që sjell për ta. Bëhem njësh me publikun kur jam në skenë apo qoftë edhe kur këndoj në ambiente familjare.
– Je dakord me muzikën që po bëhet në këto kohë?
– Më ke bërë një pyetje të vështirë, por besoj se secili e gjen veten e tij aty ku duhet. Publiku vlerëson, publiku dëgjon dhe shikon.
– Ka diçka që nuk të pëlqen në këtë pikë?
– Ndryshimet janë normale në çdo fushë. Muzika është art dhe nuk e bën dot kushdo, ashtu si nuk është çdokush diplomat apo jurist. (Buzëqesh)
– I bën kjo gjërat më të lehta apo më të vështira?
– Sot jetohet me të vërtetën e shtrembër, por jo për mua. Unë jetoj dhe punoj në mënyrë time, në mënyrën e drejtë. Mendoj se do të jem kështu gjithmonë.
– Çfarë të bën nervoze?
– Kam mësuar të mos nervozohem shpejt dhe shpesh, i mendoj gjërat shumë dhe i marr me terezi. Nuk zgjidh gjë edhe nëse nervozohesh.
– Kënga më me vlerë shpirtërore që ke realizuar deri më tani?
– Oh, të gjitha, nuk mund të bëj dallime! I dua shumë të gjitha këngët e mia.
– Një gjë për të cilën ke qenë konfuze gjatë karrierës tënde muzikore…
– Asnjëherë dhe për asgjë. Shpirti im është plot me humanizëm dhe dashuri. Nëse i vë në përdorim këto, edhe karriera profesionale do të ecë, nuk ka ku të shkojë.
– Me çfarë e ka edukuar shpirtinValbona?
– Me dashurinë për jetën. Jeta është e bukur kur e jeton siç do dhe kur ke pranë njerëzit që do.
– Nëpër cilën rrugë i ke hedhur hapat në muzikë?
– Kam qenë gjithnjë me këmbë në tokë. E kam dashur muzikën që në gjenezë dhe gjithmonë i kam thënë vetes: “Duaje muzikën, këndoje, por qëndro me këmbë në tokë!”.
– Muzika është vetëm për veshin apo edhe për sytë?
– Nëse nuk ka vesh, në muzikë s’ka sy e nëse syri është i bukur, veshi mbushet. Gjithçka është e lidhur. Bukuria dhe muzika gërshetohen, por muzika, thellë-thellë, është talenti dhe zëri.
– Çfarë është dashuria në sytë dhe në mendjen tënde?
– Dashuria është ajo që çdo njeri e provon dhe e jeton me mënyrën e vet, por për mua dashuria më e madhe është ajo për familjen. Atë e kam të çmuar.
– Në duart e kujt do ta lije me kënaqësi zërin tënd?
– Në duart e dikujt që është profesionist dhe që di që në fund do sjellë fryte në punën time.
– Në ç’pikë do të doje të përmirësoheshe?
– Në çdo pikë. Njeriu është gjithmonë në kërkim për më të mirën.
– Je më e prirur të kapësh cilësitë e mira apo të këqija të të tjerëve?
– Dëgjoj shumë, i respektoj të gjitha çfarë thonë e bëjnë, por s’marr nga të tjerët sepse kur imiton, s’je vetvetja!
– Si argëtohet Valbona sot?
– Kam një djalë të mrekullueshëm që ma mbush jetën me dritë dhe shpirtin me frymë. Ai është koha ime më e bukur dhe më lumtur. Me atë merrem 24 orë dhe nuk mërzitem, e kam dashurinë time.
– Një kujtim i ëmbël fëmijërie…
– Eh, kam aq kujtime nga fëmijëria sa do të më duheshin ditë të tëra t’jua tregoja. Fëmijëria është ajo periudhë e jetës që sa herë që kujtohet, të sjell nostalgji. Njeriu ka nevojë për nostalgjinë…
– Në fund, nëse të them: “Faleminderit Valbona”, ti, çfarë më thua?
– Ju më thoni faleminderit dhe unë ju them faleminderit gjithashtu… Ju uroj të gjithëve, Zoti ju bekoftë vetëm me mirësi dhe lumturi.