– Përshëndetje, i nderuar instruktor. Jam Albani, 41 vjeç. Dua të bëj 10-15 pompa në mëngjes, por a më dëmton kjo gjë nëse ha mëngjes pas 15-20 minutash? Për shembull, i filloj ushtrimet në orën 06.40 dhe ha në orën 07.05 minuta, sepse në orën 07.30 duhet të shkoj në punë.
Mario, instruktor: – I nderuar Alban, ju bëni shumë mirë që mendoni të stërviteni dhe një sekuencë kohore shumë të shkurtër, por do ishte mirë të gjeni një orar tjetër më të përshtatshëm, pas pune për shembull, që t’i bëni ushtrimet me nge dhe më pas të ushqeheni sipas rregullave të stërvitjes. Përgjithësisht, koha e të ngrënit është 1 orë e gjysëm ose dy orë pas stërvitjes sepse muskujve u duhet një periudhë kohore prej dy orësh ose një ore e gjysëm për t’u rikuperuar.
Përderisa ju bëni vetëm 15 pompa, që nuk janë një stërvitje shumë e rëndë, mund të konsumoni diçka në orën që ju më përshkruani në letër, por kini parasysh gjithmonë që të jetë një ushqim jo shumë i rëndë, si për mëngjes, i lehtë dhe i shëndetshëm. Ai nuk ju dëmton, thjeshtë mund të keni ndjesinë e rëndimit në stomak, ose djegie dhe rrezikoni të shtoni më shpejt në peshë. Nëse nuk e keni problem shtimin në peshë, nuk është problem, në rast të kundërt, duhet të bëni kujdes. Nëse nuk rrini dot pa ngrënë direkt pas stërvitjes, do t’ju sugjeroja të konsumoni ndonjë frut, përgjithësisht, ato me përmbajtje fibrash, një gjysëm bananeje dhe pak rrush.
Gjithsesi, unë do t’ju sugjeroja që të gjeni një orar më të zgjatur për t’i bërë ushtrimet pa i ushtruar vetes presion psikologjik sepse po ju ikën koha për të ngrënë apo se më pas duhet të vraponi për në punë.