“Këta artistë apo të ashtuquajtur njerëz VIP, harrojnë se pa ne do të ishin persona anonimë”
Është nga qyteti i Laçit, por ka vite që jeton, punon, madje është një prej emrave më të kërkuar të shou-bizit në Kosovë. E njohin të gjithë me emrin e shkurtër Maksi, por ai quhet Maksim Gjokaj. Maksi vjen në këtë rrëfim të tij kur tregon arsyen se pse jeton në Prishtinë, ofertat që ka, si dhe pse nuk mund të shkruajë çdo informacion që di…
– Maksi, e nisim këtë intervistë duke shuar një kuriozitet: Nga je dhe pse jeton në Kosovë?
– Natyrisht, me zë të lartë e them dhe do ta pranoj se kam lindur dhe jam rritur në Laç, ndërsa me origjinë jam nga Mirdita e kuqe. Ka disa vite që falë ofertave dhe profesionit tim si gazetar dhe moderator jetoj dhe punoj në Kosovë, por kam ftesa për të qenë edhe në Shqipëri e bashkëpunoj ndonjëherë për programe të ndryshme të shou-bizit edhe atje.
– Është e vështirë të jesh njeri i shou-bizit?
– Sikur ta dija në hapat e parë të mi që ky profesion që e bëj me dëshirë prej më shumë se 15 vjetësh nuk do të respektohej e të paguhej ashtu si duhet, do të kisha zgjedhur një profesion tjetër, ndoshta të këndoja, natyrisht, me regjistrim, si shumë të tjerë… (Qesh)
– Je bërë pishman?
– Nganjëherë them se sa shumë do të thoja e shkruaja nëse do të isha i sigurt dhe do të paguhesha sa mund të paguhet një lajm i tillë në botë.
– Pse, ti ke frikë të shkruash diçka që di?
– Aspak frikë, por një lajm që blihet shumë, duhet edhe të shitet shumë. Ka ndodhur që për një shkrim nga dikush të marr mijëra kërcënime e sharje, deri te familja. E çfarë faji ka familja ime që të ofendohet nga një person që deri më dje nuk e njihte askush e falë shkrimit apo intervistës sime u bë i njohur?
– E kush na qenka ky apo kjo?
– Disa të cilët sot më janë bërë edhe miqtë e mi më të mirë, por këta artistë apo të ashtuquajtur njerëz VIP, harrojnë se pa ne, do të ishin persona anonimë.
– Mes gazetarisë së shkruar edhe programeve televizive, cilin do të zgjidhje dhe cilin do të lije?
– Më duket se kohët e fundit po bëj një harmonizim të mirë të të dyjave. Unë në fakt kam përfunduar me rezultate të mira Fakultetin e Gazetarisë ku notën maksimale e kam marrë në moderim. Të qenit në radio e televizion e shkrimet kanë ardhur si pasojë e kontaktit me këta persona në mediat radio-televizive. Për momentin, kam kontratë me një media të shkruar në Kosovë dhe Evropë e për fushën e moderimit kam plot oferta, por jo serioze, ndërsa kam zgjedhur prej dy vjetësh të jem i pavarur. Aty ku kam një ftesë serioze, në Kosovë, Shqipëri apo edhe në Diasporë shkoj dhe moderoj. Ka ikur koha ime që të reklamohem në një televizion dhe profesionalizmi im të mos respektohet qoftë edhe me një kontratë serioze.
– Cili është ndonjë projekt më i ri që të pret?
– Kam disa ftesa sidomos jashtë ku jetojnë shqiptarët për të qenë moderator në mbrëmjet e tyre, ndërsa vazhdoj të jem i angazhuar si prezantues kryesor i festivalit të njohur në Kosovë “Çelësi Muzikor” e njëkohësisht, të jem ai që ngacmoj çdo vit VIP-at që kalojnë në qilimin e kuq të “Zhurma Video Music Avvards”.