27
– Doktor Agroni, ju përshëndes. A mund të më thoni si shfaqet sëmundja e parkinsonit dhe a mund të trajtohet ajo? Gjyshi im është 66 vjeç, thotë që e ka kapur kjo sëmundje, pasi “kam lodhje të trurit”, thotë dhe i dridhen duart. Është ky një tregues?
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Parkinsoni është një sëmundje që ka tre faza dhe nëse kapet në fazën e parë, ajo mund të kontrollohet nëpërmjet ilaçeve, mund të stabilizohet dhe të përmirësohet dukshëm. Parkinsoni është sëmundje neurologjike dhe shfaqet kryesisht në moshat 60-65 vjeçare. Shenjat e para janë dridhja e gjymtyrëve e sidomos e duarve, edhe në gjendje qetësie. Muskujt janë në përgjithësi të ngurtë dhe personat që vuajnë nga kjo gjë, kanë vështirësi në ecje, pasi nuk e mbajnë dot ekuilibrin. Përgjithësisht, sëmundja kap moshën e tretë, për shkaqe fiziologjike. Në qoftë se në moshën e re kemi 400 mijë qeliza në bërthamën e trurit, në moshën 60-vjeçare numri është reduktuar në 25 mijë. Ka shumë faktorë që çojnë në krijimin e kësaj sëmundjeje e cila shfaqet dy herë më shumë te meshkujt. Shpesh, alkooli, duhani dhe punët e rënda fizike që bëjnë meshkujt janë arsyet kryesore që çojnë drejt parkinsonit.
– Ka raste që kjo sëmundje shoqërohet me depresion, lodhje fizike dhe haluçinacione, por mund të kontrollohet. Nëse sëmundja rëndohet duke mos qenë nën kurim, i sëmuri mund edhe të rrëzohet shpesh gjatë ecjes, ndaj duhet trajtuar me kujdes. Ju duhet ta vizitoni gjyshin për të parë në çfarë faze është dhe që të marrë mjekimin.