Siç e kemi prezantuar edhe herë të tjera në faqet e gazetës tonë, Bali është organizatore spektaklesh në Belgjikë, por edhe këndon, sepse muzika është bërë tashmë pjesë e jetës së saj. Këtë herë, ajo vjen me një intervistë paksa ndryshe, ku flet për dëshirat, synimet, të bukurën dhe jetën e saj…

 

Fabjola Kuburi: – Bali, këtë herë, bisedën tonë dua ta nisim pak më ndryshe. Ti je organizatore spektaklesh dhe njëkohësisht këndon, që do të thotë se je shumë e angazhuar. Si nis një ditë e zakonshme për ty?

Bali: – Unë ndoshta jam mes njerëzve të pakët që zgjohem duke buzëqeshur. Pi kafen e mëngjesit dhe vazhdoj punët me radhë sepse vërtet jam shumë e zënë me punë.

– Je mama e dy vajzave. Na trego diçka më shumë për marrëdhëniet e tua me to… Për çfarë bisedoni, a grindeni dhe për çfarë qeshni më shumë?

– Unë jam mamaja më e lumtur në botë sepse kam dy vajza të mrekullueshme dhe kam marrëdhënie të jashtëzakonshme me to. Ato gjithmonë më bëjnë kritika për veshjen time, por unë i kaloj me një buzëqeshje të ëmbël. Bisedojmë për gjithçka, jemi si dhomë rrëfimi për njëra-tjetrën.

– Sa kanë mësuar ato nga ty?

– Unë mendoj se ato kanë mësuar shumë prej meje, ama edhe unë kam mësuar prej tyre.

– Të treja jeni të bukura, po pa hatërmbetje, kush është më e bukura?

– Për syrin tim, të dyja vajzat janë si yje sepse i kanë ngjarë mamit. (Qesh)

– Cila është gjëja më pozitive që ti ke?

– Kam përshtypjen se është buzëqeshja. Më kanë komplimentuar shumë njerëz për buzëqeshjen e ëmbël që kam. (Buzëqesh)

– Cili është kujtimi më i bukur i jetës tënde?

– Kur kam qenë në shkollën 8-vjeçare dhe merresha me muzikë e kërcime. Isha valltare në estradën e Durrësit. Kur hyra, isha vetëm 10 vjeçe dhe vazhdova deri nga mosha 14 vjeçe e gjysmë. Kam kujtime të mrekullueshme nga ajo periudhë.

– Si e kalon mbrëmjen Bali?

– Kam shumë dëshirë dhe ndihem mirë kur i kaloj mbrëmjet duke parë televizor. I shijoj ato mbrëmje!

– Ku ndryshon dita nga nata për ty?

– Dita është bërë për të bërë punët, për të mbyllur angazhimet, ndërsa nata është për të qetësuar veten nga lodhja e ditës.

– Çfarë konsideron gjënë më të rëndësishme në jetë?

– Më e rëndësishmja nga të gjitha është familja ime, Suela, Xhuli dhe nipi im Kleo.

– Cili ka qenë vendimi më i vështirë që ke marrë?

– Vendimin më të vëshitrë e kam marrë para dy vjetësh, kur vendosa të jetoja vetëm. Ka qenë vërtet një vendim shumë i vështirë për t’u marrë.

– Je impulsive apo i mendon gjërat 100 herë?

– I mendoj dhe i mendoj shumë madje.

– Po me fansat, si i ke marrëdhëniet? Krijon shoqëri me ta?

– Jo, mundohem të mbaj distancë sepse afrimiteti i tepërt krijon probleme.

– A ka ndonjë ndryshim në jetën tënde sentimentale?

– Ka ndryshime të përkohshme, por jo të përhershme. (Buzëqesh) Ndoshta sepse unë kërkoj mashkullin ideal, por nuk gjendet që nuk gjendet ai mashkull! (Qesh)

– Si e personifikon ti mashkullin ideal?

– Për mua, mashkulli ideal është i kulturuar, e do punën, është i rregullt dhe pak i bukur, se, ku u pa ndryshe?! (Qesh)

– Po ti, a je femra ideale?

– Unë, për sa e njoh veten, për ideale e njoh. (Buzëqesh)

– Cili është mashkulli më seksi në botë për ty?

– Ka shumë që në syrin tim duken të tillë, por do të veçoja Leonardo Di Kaprion.

– Difekti që i njeh vetes…

– Ah, më dole në shteg, jam shëndoshur pak, por do ta rregullojmë.

– Cila është dita më e lumtur e jetës tënde?

– Dita kur lindi nipi im, Kleo! Ai na e lumturoi jetën.

– Pa cilin send të grimit nuk mund të bësh dot?

– E dua makiazhin dhe më pëlqen ta bëj vetë; të kuqin e buzëve nuk e ndaj.

– Çfarë ka në çantën tënde, gjithmonë?

– As vetë nuk mbaj mend se çfarë ka aty; kam të gjitha sendet e makiazhit, parfumin, syzet e diellit dhe ato optike, një bllok të vogël dhe një stilolaps, sepse më pëlqen të mbaj ndonjë shënim të bukur.

– Po me dhuratat, si i ke punët?

– Jo, nuk kam qejf të bëj, por as nuk dua të më bëjnë dhurata.

– Cilat janë ikonat e tua në muzikë?

– Nga të huajt më pëlqen shumë Shakira, kurse nga shqiptarët do veçoja Artiola Toskën dhe Sinan Hoxhën.

– Cilat janë ato tre gjëra të rëndësishme që synon t’i bësh deri në fund të jetës tënde?

– Gjëja e parë që kam synim është të kujdesem për fëmijët e mi deri në fund të jetës sime. E dyta, të kujdesem për veten time, e treta, të kem muzikën në krah gjatë gjithë jetës sepse e dua shumë. Me respekt, Bali Belgjikë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here