– Kam një pyetje për avokatin e rubrikës suaj. Jam një i burgosur, që i bëj vazhdimisht dokumentet për të përfituar nga uljet e dënimit që bën Presidenti, por nuk kam përfituar asnjëherë, sepse dosja ime humbet rrugës apo ai nuk e sheh të arsyeshme. Kam bërë 3/4 e dënimit dhe gjykata ka dhënë vendimin që veprën e kam kryer aksidentalisht, por nuk përfitoj asnjëherë nga uljet që bën Presidenti. Çfarë rruge ligjore të ndjek, sepse mendoj se mua më takon, pasi edhe sjelljen e kam shumë të mirë? A duhet të marr avokat? Problemi qëndron te gjykata apo tek ai që ka ndjekur çështjen time, ish-avokati? S’di si të veproj… Ju, çfarë më thoni?
Av. Aurel Celibashi, “Celibashi & Associates”, email: acelibashi@gmail.com, Celular: 0672011401, 0693082255: – I nderuar lexues, kërkesat tuaja për falje fillimisht depozitohen në Ministrinë e Drejtësisë, e cila pasi përpunon gjithë dosjen, në rast se e shikon të arsyeshme, ia nis atë Presidentit, i cili më pas, me dekret, vendos falje. Në rastin tuaj, normalisht, duhet t’ju vinte një përgjigje negative me shkrim.
– Personalisht, mendoj se me anë të juristit të burgut, duhet t’i drejtoheni me kërkesë Gjykatës së atij rrethi ku vuani dënimin, që të kërkojë lirimin me kusht. Kjo nisur edhe nga fakti që keni kryer ¾ e dënimit, por gjithashtu, sepse keni një sjellje të mirë. Kjo kërkesë mund të merret parasysh nga gjykata, më shpejt sesa kërkesa për falje drejtuar Presidentit. Këto kërkesa mund t’jua përpilojë juristi i burgut, sepse nëse do të merrni avokat, janë një sërë pagesash proceduriale për punën e tij dhe ndoshta e keni të pamundur t’i përballoni. Nëse i drejtoheni Gjykatës, aty do t’ju caktohet një avokat, i cili do të marrë përsipër t’ju mbrojë. Shpresoj t’ju kem sqaruar sa duhet. Me respekt.
Pregaditi faqen: V.V.