Devis Muka është një ndër personazhet më interesantë të skenës shqiptare. Ai është një aktor i talentuar që nuk njeh limite, më mirë të themi, një shoumen i lindur. E kemi parë në teatër, në kinematografi, e kemi parë në spektakle televizive, herë me aktrim e herë me kërcim, por gjithmonë ia ka dalë të bëjë publikun për vete. Djaloshi simpatik ka arritur të fitojë zemrat e shumë vajzave, por ai është rrëmbyer nga femra që ka në krah, në një dashuri të sinqertë dhe pa formula. I qeshur, “i çmendur”, i dashur, pozitiv, cilësojeni si të doni, por ai kërkon të jetë thjesht Devi. Nesër do të fillojë sezoni i ri i “Pa limit” dhe aktori që ka vitin e dytë si pjesë të kastit, premton shumë surpriza… mjafton ta ndiqni. Devi nuk na zhgënjen kurrë!

 

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Devis! Si je?

Devis Muka: – Mirë, faleminderit. Po përgatitem t’u përgjigjem me shumë kënaqësi pyetjeve tuaja.

– Me çfarë po merresh tani që po flasim?

– Po shtyp ullinj. (Qesh)

– E çfarë do të bësh me ta?

– Vaj ulliri. (Buzëqesh)

– Po me ndonjë impenjim më të rëndësishëm, po merresh?

– Po përgatitem për sezonin e ri televiziv dhe po ashtu, për atë në teatër. Jam duke punuar shumë dhe besoj se kudo që do të angazhohem, do të bëj gjëra të bukura. Më pret një sezon i ngjeshur dhe me impenjime.

– Si e vlerësoni sezonin që latë pas në “Pa limit”?

– Viti i kaluar ishte një test i rëndësishëm për ne. Mos harroni se vinim me një format krejtësisht ndryshe nga ajo çka ishte parë në televizionet shqiptare. Sfida u kalua me sukses dhe “Pa Limit” i theu limitet e shikueshmërisë. Ne nuk e dimë realisht se si do të jetë, pasi ai është një shou i improvizuar dhe nuk i dihet asnjëherë limiti. Vetëm një gjë është e sigurt; ju vini limitin dhe ne do ta thyejmë atë!

– Po afron edhe sezoni i ri i “Pa limit”…

– Po, nesër jemi në transmetim.

– Si po ecin përgatitjet?

– Super, super, super… Po ecin shumë mirë, jemi në hapin e duhur dhe do t’u dhurojmë shumë të qeshura teleshikuesve. Besoj se e kemi bërë gjithçka siç duhet, jemi të motivuar dhe ndihemi gati.

– Çfarë risish do të sillni këtë vit?

– Ky vit vjen me shumë surpriza të reja. Kemi menduar të sjellim gjëra që nuk janë bërë vitin tjetër, në mënyrë që të kemi më shumë larmi.

– Do të jenë rubrikat e sezonit të kaluar?

– Rubrikat që janë pëlqyer më shumë do të jenë edhe këtë sezon, por me një ndryshim të madh: Do të jenë më të bukura.

– Kush do të jenë protagonistët? Nga ajo që keni reklamuar në “Facebook”, do të afrohen personazhe të rinj…

– Keni të drejtë, këtë vit do të kemi ndryshime edhe në kastin e aktorëve. Do të na bashkohen dy vajza të reja shumë simpatike, që do të japin energji shtesë.

– Ky është viti i dytë për ju si pjesë e Top Channel. A do të vazhdojë ky bashkëpunim edhe përtej “Pa limit”?

– Për momentin, jam shumë i kënaqur pasi jam në një televizion që nuk njeh limite. Dëshira ime është të jem sa më pranë publikut në ekran ose në skenë. Nuk e di se çfarë do të bëhet më tej; mbetet ta shohim.

– Meqë prekët teatrin, a keni ndonjë projekt të ri për t’u ngjitur në skenë?

– Unë nuk mund ta harroj kurrë dashurinë e parë. Madje, edhe kur e lë mënjanë, nuk më lë ajo mua. Kam edhe projekte për teatrin… Së shpejti do të nis një projekt shumë të rëndësishëm teatror.

– Konkretisht?

– Më lini të mbaj diçka surprizë për publikun. (Qesh)

– Pas aventurës në “Dance vvith me”, vazhdoni të kërceni?

– Sigurisht që kërcej. Kërcej kur ka trafik, kërcej lart e poshtë kur jam me vonesë, kërcej kur duhet të paguaj faturat. Kërcej vazhdimisht; ne shqiptarët e kemi këtë dhunti nga belaja.

– I ruani marrëdhëniet me Olta Bokën?

– Ruajmë marrëdhënie shoqërore dhe kam shumë respekt për të.

– Duke shikuar sjelljen tuaj në “Pa limit”, sa i “çmendur” jeni në jetën tuaj private?

– Ka momente kur nuk jam i çmendur. (Qesh) Çmenduria është ilaçi më i mirë qetësues për kohën tonë.

– Jeni një person që e merrni jeten seriozisht apo me shaka?

– Jeta është një shaka serioze.

– Marko Bitraku sapo është ndarë nga jeta dhe me sa kam vënë re, ju jeni prekur shumë…

– Është e vërtetë. Ai ka qenë një aktor i mrekullueshëm dhe në radhë të parë, një njeri shumë i mirë. Bitraku ishte profesori im, ishte miku im e mbi të gjitha, ishte një mjeshtër i zanatit tonë. Shpreh ngushëllimet për familjen e tij.

 

Devisi dhe dashuria

– Keni një marrëdhënie të gjatë me vajzën që keni në krah. Në çfarë faze është dashuria juaj?

– Dashuria nuk ka faza. Është diçka që, o e ndjen, o s’e ndjen.

– Cila është e veçanta që ju bëri të bini në dashuri me të?

– Dashuria nuk ka formula. Është ndjenja më e bukur dhe kuptimplotë për një njeri. Ai që mendon se e ka gjetur, do të përfundojë beqar.

– Është xheloze ajo për ju?

– Dashuria jonë bazohet në besimin reciprok.

– E mbani kurorën e princit të kaltër?

– Sot nuk ka më princa. Unë përpiqem të më duan si Devi, por pa kurorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *