Ka ardhur së fundi me luk të ri dhe me këngë të re… Me “Motivi im”, Eni na ka sjellë freskinë e pishinës dhe njëkohësisht, “të nxehtin” e komenteve të shumta mbi pozën e saj nudo… një gjë është e sigurtë; edhe këtë herë, Eni ka bërë atë që di të bëjë më mirë: Të tërheqë vëmendjen e të gjithëve. Nuk është hera e parë që bukuria e saj përflitet nëpër mediat tona, ndërsa ka dy ditë që po përflitet edhe trupi e pamja e saj prej engjëlli, siç e quajti Greta…

Në këtë intervistë, Eni shprehet se në atë pozë ka qenë e veshur. A thua të jenë vetëm efektet që po çmendin fansat? Së shpejti, Eni vjen me dy bashkëpunime të reja, si gjithmonë, ndryshe nga të mëparshmit. Ju ftoj të lexoni planet e Enit, me gjithë çiltërsinë që karakterizon këtë vajzë…

 

Rita Rrjolli: – Eni, sa kohë të mori realizimi i këngës “Motivi im”?

Eni Koçi: – Mjaftueshëm, duke marrë parasysh që të gjithë personat që kanë punuar me mua në realizimin e kësaj kënge, kanë qenë maksimalisht të përkushtuar.

– Kush e mendoi dhe vendosi për ndërthurjen me ritme orientale?

– Faktikisht, ka qenë diçka që mua më ka pëlqyer që në momentin e parë që e kam dëgjuar dhe mendova se është tepër e ëmbël dhe e bukur. Kështu, erdhi kjo këngë siç edhe e dëgjoni sot…

– Çfarë ka ky klip ndryshe nga të tjerët?

– Besoj se ndryshimi fillon që nga luku. (Buzëqesh)

– Dhe, meqë jemi te luku… Kujt ia besove atë?

– Me zgjedhjet merrem personalisht, por sigurisht që më ka ndihmuar American Fashion, si dhe Hair & Makeup Ada.

– Në klip je veshur me të kuqe… Kjo është ngjyra jote e preferuar?

– Më pëlqen e kuqja, por s`mund të them që e kam të preferuarën time, edhe pse me sa kam dëgjuar, është ngjyrë shumë e mbarë.

– Klipi yt i fundit zgjoi shumë komente. Në disa prej tyre u tha se je zhveshur shumë… Si u përgjigjesh atyre?

– Në klip kam qenë aq e veshur, sa për të mos u konsideruar e zhveshur.

– A ka ngjashmëri klipi yt me klipin e fundit të Nora Istrefit?

– Sapo hapa klipin e Norës dhe nuk shoh asnjë lloj ngjashmërie.

– Për sukses, do të pranoje bashkëpunim me një këngëtarë të muzikës tallava?

– Muzika tallava, nuk mund ta mohojmë që i pëlqen pjesës dërrmuese të shqiptarve. Po ashtu, edhe mua, madje mund të them që e kam një projekt me një këngëtar që konsiderohet dhe realisht është, më i miri i asaj rryme. (Qesh)

– “Të ka lali shpirt” e këndon me vete?

– Po… Është këngë shumë e bukur.

– Ke një tatuazh në trup, ashtu si djali që ishte model në klip?

– Jo, nuk kam.

– Ke menduar të realizosh një të tillë?

– Nuk e kam menduar dhe as nuk e kam në plan.

– A është kënga dedikim për një person në veçanti?

– Jo, absolutisht. Është një këngë me tekst komercial.

– Kënga që nuk lodhesh kurrë duke e kënduar…

– Faktikisht, asnjë nga këngët e mia nuk rri duke i ridëgjuar, ndaj s`di të them.

– Cili është këngëtari që po simpatizon më së shumti këto kohë? Pse?

– Xhezon Derulo… I dëgjoj shumë këngët e tij.

– Plane për pushime, ke bërë?

– Mbas sezonit veror të koncerteve, besoj patjetër se do të bëjmë pushime familjarisht.

– Mes pishinave dhe plazhit, ti zgjedh…

– Të dyja i preferoj, por gjithsesi, uji i detit është shumë i shëndetshëm.

– Pushimet e tua zgjasin dhjetë ditë apo një muaj?

– Ah, s`ka kohë për aq shumë. Zgjasin vetëm një javë.

– E shikon verën edhe ti, si shumë këngëtarë, si stinën me fluksin më të madh të punës?

– Sigurisht. Këtë verë, unë do të jem në të gjithë bregdetin shqiptar.

– Projektet e tua më të afërta…

– Dy këngë dhe klipe të reja tepër interesante, madje mund të them, edhe bashkëpunime interesante.

– Raportet mes këngëtarëve i shikon si raporte mes dashurisë edhe urrejtjes?

– Nuk e kam parë ndonjëherë në këtë këndvështrim. Thjesht, i respektoj të gjitha kolegët, dikë më shumë e dikë me pak, normalisht, në përputhje me marrëdhëniet që kemi.

– A ekziston xhelozia mes kolegeve femra?

– A, s’e di… Nuk më ka rënë rasti ta konstatoj.

– S’e ke ndjerë kurrë një xhelozi të tillë?

– Jo.

– Le të flasim pak për ty edhe Gretën… Sa kohë kaloni bashkë?

– Zakonisht, takohemi mbas aktiviteteve të përditshme, vetëm në darkë, kur jemi të dyja në shtëpi.

– A është ajo si gjithë motrat e tjera që u tërheqin veshin më të vegjëlve?

– Jo, Greta është fare tip tjetër dhe ke mundësi komunikimi me të. Kemi marrëdhënie shumë të mira.

– A je ti si të gjithë të vegjëlit, që u marrin rroba nga garderoba motrave?

– Mes motrave ndodh gjithmonë shkëmbimi i rrobave. (Qesh)

– Dëshira jote më e madhe…

– Të vazhdoj studimet për Mjekësi dhe, paralelisht, të vazhdoj me hapa më të mëdhenj në muzikë.

– Shoku, apo shoqja socialiste që ke…

– S`kam. (Qesh)

– Diçka të fundit për femrat që duan të të ngjajnë?

– Mundohuni të përfitoni cilësitë më të mira!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *