Riparimi i strukturave të betonit kërkon shumë kohë e shumë para, ndaj edhe shkencëtarët po studiojnë një mundësi tjetër: Vetëriparimin e tyre duke përdorur baktere që precipitojnë minerale kalciti.
Megjithëse betoni është materiali më i përdorur sot në ndërtim, ai ka një të metë serioze: Kur është nën tension, mund të çahet lehtë. Nëse këto çarje zmadhohen shumë, ato çojnë në gërryerjen e përforcimeve prej çeliku, të cilat jo vetëm janë joestetike, por edhe rrezikojnë vetë ndërtesën. Kjo është arsyeja pse shpesh inxhinierët përdorin në beton një sasi më të madhe përforcimesh çeliku sesa nevojitet, për të parandaluar zmadhimin e çarjeve të tij, por ky çelik shtesë ka kosto të lartë. Një mënyrë tjetër për të trajtuar çarjet është riparimi i tyre, por kjo mund të jetë shumë e vështirë për ndërtimet e nëndheshme, ose në ndërtimet e mbushura me lëngje. Kështu, zgjidhja më e mirë do të ishte një beton që të riparohej vetë!
Pikërisht këtë po studiojnë kërkuesit e TU Delft, Universitetit Teknologjik publik holandez. Duke injektuar baktere që bëjnë precipitimin e kalciteve (karbonat kalçiumi), është e mundur të shtohet aftësia e vetëriparimit të betonit. Meqë pH i betonit është shumë i lartë, bakteret e quajtura alkalofile janë të afta të mbijetojnë. Disa nga këto baktere janë përzier me masën e çimentos dhe, pas një muaji, është vënë re se sporet e tyre ishin përsëri të gjalla. Përdorimi i baktereve mund të bëjë një ulje të konsiderueshme të shpenzimeve, sidomos në strukturat e betonit me përforcime çeliku. Kjo do të thotë edhe se çështja e jetëgjatësisë së betonit duhet trajtuar ndryshe këtej e tutje. Riparimi me baktere është ideal për riparimin e depozitave që mbajnë brenda materiale të rrezikshme, sepse asnjeri nuk guxon të futet atje për rregullimin e çarjeve. Ndërsa për ndërtesat e banimit, duket se riparimi tradicional mbetet zgjidhja më e mirë sot për sot. Studimet janë përqendruar tani në krijimin e kushteve të duhura që bakteret të prodhojnë sa më shumë kalcit të jetë e mundur dhe në shpërndarjen e duhur të ushqimit për to. Gjithashtu, po studiohet si ndikojnë në jetën e baktereve kushtet, si ndryshimi i temperaturave dhe veprimi i sulfateve.
Advertisement