Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ekskluzive Jon Tarifa: Jetoj në Holandë, por shpirtin e kam në Tiranë

Këngëtarët shqiptarë mundohen të çajnë në skenat botërore dhe të ndërtojnë një karrierë ndërkombëtare, ndërsa Jon Tarifa preferon të kundërtën. Suksesin global e ka tashmë, por dëshira e tij ishte që të bëhej edhe pjesë e skenave shqiptare dhe e realizoi. Joni jeton prej vitesh në Holandë dhe karriera e tij muzikore ka nisur pikërisht në vendin e tulipanëve. Ai është një ndër vokalistët më të kërkuar dhe ka shumë fansa të cilët e ndjekin në të gjitha koncertet e tij live. Kalimi i pushimeve në Shqipëri, përveçse një traditë e përvitshme për të takuar familjen lidhet edhe me projektet e tij të reja. Ne patëm fatim ta intervistonim dhe të mësonim mbi ekskluzivitetin e projekteve të reja dhe përgatitjet e dasmës, madje para fansave dhe të ftuarve…

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Jon! Pasi kalove ca kohë në Shqipëri, je kthyer sërish në Hollandë…
Jon Tarifa: – Përshëndetje! Ndodhem në Hollandë tashmë se nuk mund t’i lejoja më vetes pushime. Kam filluar përsëri punën intensive.
– Para se të flasim për punën, na trego, ku i kalove pushimet në Shqipëri?
– Zgjodha të pushoja në Himarë me të fejuarën dhe me vëllain.
– Si shkuan pushimet?
– Shumë mirë; u kënaqëm. Ishte më mirë se vitet e tjera që kemi qenë, më pastër, shërbim më cilësor dhe natyrisht, bukuritë natyrore që ka vendi ynë, të lënë pa fjalë. Shqipëria është një vend vërtet i bukur.
– Pushimet në Shqipëri besoj se janë të lidhura më shumë me familjen që ke këtu…
– Sigurisht që janë të lidhura edhe me familjen time, por nuk është vetëm kjo arsyeja. Unë e dua shumë vendin tim dhe sa herë vij, marr një kënaqësi të madhe.
– Të flasim për projektet muzikore… Me çfarë po merresh aktualisht?
– Jam në fazën finale të krijimit të një singëlli të ri, të titulluar “Bumpy Roads”, që do të jetë gjithashtu kolona zanore e një filmi të shkurtër dokumentar holandez, “Baardbroders”.
– Si të erdhi një mundësi e tillë?
– M’u propozua si ide dhe e pranova me dëshirë. Besoj se është diçka mjaft emocionuese të dëgjosh muzikën tënde të luajtur në një film.
– Me sa dimë, njëkohësisht, po punon edhe për albumin tënd të ri. Në ç’fazë është puna?
– Më vjen mirë t’ju tregoj se të gjitha regjistrimet për albumin tim të ri muzikor tashmë kanë përfunduar. Tani jemi në fazën e prodhimit e të miksimit. Deri më tani, çdo gjë ka shkuar shumë mirë, sipas parashikimeve dhe jam i kënaqur me punën e bërë.
– Çfarë do të përmbajë albumi?
– Ky do të jetë një album unik, shumë i veçantë, pasi është një përmbledhje stilesh të ndryshme muzikore. Do të ndihen si ndikime të muzikës klasike, ashtu edhe ndikime nga muzika rege, rok, pop, xhaz dhe sigurisht, nuk mund të mungojë hip-hopi. Ky album e merr dëgjuesin me vete në një rrugëtim sa muzikor, aq edhe lirik. Tema e tij është thuajse universale, sa realiste, aq edhe surrealiste: e kaluara, e tashmja, e nesërmja do të jepen të gjitha bashkë në projektet muzikore.
– Në një treg muzikor të komercializuar, a është një iniciativë e rrezikshme paraqitja te publiku me një album?
– Është e vërtetë që në tregun muzikor po sundon arti i komercializuar dhe e pranoj edhe teorinë që ky art do të fitojë mbi artin e vërtetë përsa u përket fitimeve financiare. Ky lloj arti është një industri kulturore që motivohet nga fitimi dhe prodhon fitim. Problemi qëndron te fakti se ai shkon po aq shpejt sa vjen, ndërsa arti i vërtetë qëndron dhe mbijeton në të gjitha kohërat. Unë përpiqem të bëj këtë të dytën dhe ardhja me album për mua synon t’i përkasë artit të vërtetë që nuk sheh si primar përfitimin financiar.
– Si shkuan xhirimet e klipit “Bumpy Roads”?
– Videoklipi u filmua në Shqipëri dhe besoj se do të lançohet për pak javë, së bashku me filmin. Kameramani dhe regjisori i këtij dokumentari udhëtuan nga Holanda në Tiranë dhe Mitrovicë për të filmuar.
– Kjo këngë vjen solo apo në bashkëpunim?
– “Bumpy Roads” është një bashkëpunim i imi me një artist shqiptar të muzikës hip-hop nga Kosova, i quajtur KAS. Ai ka lindur dhe jeton në Norvegji. Pjesë e këngës është edhe një këngëtar i muzikës R&B/Soul, Kvvesi Asante, i lindur në Gana, që jeton dhe punon në Florida.
– Sa e vështirë është të dallohesh në një treg që po globalizohet?
– Shumë e vështirë është, por unë bëj atë muzikë që më pëlqen dhe që e ndjej më shumë. Kështu mbetesh original dhe besoj se kjo funksionon. Ai që e bën muzikën time të veçantë është edhe kombinimi i stileve të ndryshme muzikore. Unë përpiqem të mos bëj atë çfarë bëjnë të tjerët.
– Po shijon suksesin e këngës së fundit “Till the Sun Comes Up”. A je i lumtur me mënyrën se si është pritur ajo deri tani?
– Kjo këngë, të cilën unë e kam shumë për zemër, është pritur mjaft mirë. Ata që e kanë dëgjuar atë live në koncert, e kanë pëlqyer edhe më shumë. Është një këngë e gëzueshme dhe çdo herë që e këndojmë në koncertet tona, ajo e entuziazmon dhe e ngre publikun peshë.
– Pse i qëndron kaq fanatik muzikës live?
– Unë gjithmonë këndoj me një bandë muzikore dhe live. Çdo album, përfshirë dhe këtë të fundit, gjithashtu, është regjistruar live. Jam fanatik i muzikës live pasi atëherë e ndjen vërtet muzikën.
– Si u krijua banda me të cilën performon?
– Duke qenë i angazhuar në skenën muzikore këtu në Hagë, kam pasur mundësi të takoj, të njihem e të bashkëpunoj me shumë muzikantë të shquar. Muzikantët me të cilët punoj dhe këndoj janë të gjithë shokë të mi. Me ta jemi njohur përpara se të formonim grupin që kemi sot. Jemi një familje!
– Duke ardhur nga një realitet tjetër, si e sheh skenën muzikore në Shqipëri?
– Me modesti, por edhe me keqardhje. Më duhet të them se nuk jam i familjarizuar me skenën muzikore shqiptare. Nga sa kam dëgjuar dhe kam arritur të kuptoj, në të dyja anët e kufirit ka një jetë muzikore shumë vibrante dhe premtuese. Ka shumë talente. Ajo që kam vënë re për keq është se nuk ka shumë grupe muzikore që luajnë live. Në Holandë ndodh krejt ndryshe.
– Kush mendon se është simboli i talentit muzikor për shqiptarët?
– Për mendimin tim, pishtarin e mban Rita Ora. Ajo është një talent i rrallë me të cilin duhet të krenohemi të gjithë.
– Së shpejti, do të martohesh. Deri ku ke shkuar me përgatitjet e dasmës?
– Po, do të martohem këtë vit me të fejuarën time, me origjinë nga Indonezia. Çdo gjë po shkon mirë, sipas parashikimeve. Kemi përcaktuar vendin, një mjedis i bukur në periferi të Hagës dhe datën. Tani për tani, këto janë kryesoret. Së shpejti, do të nisim t’u dërgojmë ftesat e ceremonisë së dasmës familjeve edhe miqve tanë në Shqipëri e në Holandë.
– Sa e njeh e fejuara Shqipërinë?
– Ajo ka ardhur shumë herë në Shqipëri për pushime. I pëlqen vendi ynë dhe është familjarizuar mjaft mirë me kulturën tonë. Sa herë më jepet rasti të vij në Tiranë, ajo dëshiron të më shoqërojë. Këtë verë, për të parën herë, e vizituan Shqipërinë dhe familjen time edhe prindërit e saj, të cilëve u pëlqeu Tirana, Korça, Gjirokastra, Saranda dhe çdo vend tjetër që vizituam.
– Ka mësuar e fejuara të gatuajë “shqip”?
– Po, ka mësuar byrek, pastiçe. (Qesh)
– Meqë nuk jemi të ftuar në dasëm, po ju themi “u trashëgofshi” që tani, por jam kurioz të di se çfarë kulture do të marrë fëmija juaj…
– Do t’jua dërgojmë ftesat edhe juve! (Qesh) E vështirë, por kemi kohë të mendojmë për ato gjëra. Sigurisht që kulturën shqiptare do ta marrë, kjo është më se e sigurt.
– Jon, do ta lije Holandën për Shqipërinë?
– Unë vdes për Shqipërinë dhe e dua shumë Tiranën, qytetin ku kam lindur, por në këtë fazë të jetës sime, ende nuk di se cila do të jetë e ardhmja ime. Ajo që mund të them është se ndihem mjaft mirë në Holandë, ku kam studiuar, jetoj e punoj për 17 vite. Ky vend është bërë atdheu im i dytë. Në Tiranë kam prindërit, vëllain dhe familjen time të shtrenjtë, kam ende disa shokë dhe kujtimet e dhjetë viteve të fëmijërisë sime që jetova në vendlindje, por në Holandë kam shumë shokë e miq dhe mbi të gjitha, këtu kam shoqen time të jetës. Këtu jetoj e punoj, edhe pse mendja dhe një pjesë e shpirtit tim janë gjithnjë, ditë e natë, në Tiranë.

Do të zgjidhje Shqipërinë apo Holandën…
– …për ushqime?
– Byrekun dhe fërgesën me gjizë nuk i ndërroj me asgjë! (Qesh)
– …lule?
– Holandën, sigurisht.
– …punë?
– Holandën.
– …afrimitetin e njerëzve?
– Shqipërinë. Jemi më të ngorhtë me njëri-tjetrin.
– …koncerte?
– Nuk mund t’i ndaj.
– …suksesin?
– I zgjedh të dyja! (Qesh)

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Vrimat e zeza mund të çojnë në universe të tjera

Next Post

Ilir Meta: “Ja, përse e kërcënuam dëshmitarin e CEZ-it”

Advertisement