Është shkodrane dhe si e tillë, nuk mund të mos kishte lidhje me artin. Mimoza Staka, këngëtarja e muzikës popullore shqiptare dhe jo vetëm, vjen për gazetën “Intervista” në një rrëfim sa të thjeshtë, aq edhe shpirtëror dhe të këndshëm. E do muzikën me çdo qelizë të sajën dhe kjo dashuri është trashëguar edhe te vajzat e saj, të cilat edhe pse janë me studime në fushën e drejtësisë, merren edhe me muzikë…
Fabjola Kuburi: – Mimoza, të kemi parë kohët e fundit në një klip me titull “O shoqet e mia”, një këngë me temë aktuale, e cila është pëlqyer mjaft në publik. Por, para se të flasim për këngën, ne duam të flasim për ty; kush është Mimoza?
Mimoza Staka: – Mimoza është një zonjë shkodrane, me kulturë në shpirt, që tregon kujdes për veten, familjen dhe karrierën. Jam e martuar dhe kam dy vajza të mrekullueshme; njëra ka mbaruar studimet për drejtësi dhe tjetra po i vazhdon. Të dyja i janë përkushtuar muzikës dhe kanë qenë soliste nëpër festivale ndërkombëtare qëkur ishin femijë. Kam një bashkëshort të mrekullueshëm që po ashtu tregon kujdes për mua, që karriera ime të shkojë mirë dhe të kemi një familje të këndshme.
– Si u takove me muzikën?
– Ndonjëherë mendoj se kam lindur bashkë me muzikën, sepse kam filluar të merrem me muzikë kur kam qenë shumë e vogël dhe që atëherë, nuk kam ndaluar për asnjë çast.
– Si ka qenë jeta jote artistike?
– Ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e ngjeshur sepse kam kënduar dhe vazhdoj të këndoj pothuajse në të gjithë Shqipërinë, si dhe në Evropë; në Austri, Zvicër, Belgjikë, Gjermani e më gjerë. Gjej rastin të përshëndes të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë që më kanë dëgjuar duke kënduar dhe më kanë mbështetur në karrierën time. U jam shumë mirënjohëse dhe u uroj gjithçka të mirë në jetë.
– Të kthehemi përsëri te klipi. A pate vështirësi në realizimin e tij?
– Nuk kam pasur ndonjë vështirësi në realizim, sepse idenë e kisha të qartë, e dija çfarë doja dhe me bashkëpunimin e atyre që u morën me realizimin e klipit, ia arritëm të nxjerrim një produkt të bukur. Është një realizim kompleks i elementëve, me tekst të Jorgo Papingjit, muzikë të Gëzim Mnerit, orkestim të Luan Dagistanit dhe veshjet nga Holta Ramadani.
– A ke ndërmend të bësh ndonjë këngë të re së shpejti?
– Po, jam duke punuar për një këngë të re, që besojs e deri në fund të shtatorit do të shfaqet në televizion.
– A mund të quhesh sot e suksesshme, në kuptimin e plotë të fjalës?
– Mendoj se duhet ende punë, sepse e mira nuk ka fund dhe suksesi po ashtu, ama jam gjithmonë me këmbë në tokë.
– Je e sigurt në vetvete?
– Duke ditur që kam shumë vite që këndoj e performoj live, jam shumë e sigurt në hapat që hedh dhe e sigurt në vetvete. Të tillë më ka bërë puna, së cilës i kam kushtuar gjithmonë rëndësi të veçantë.
– Cila është arma jote më e fortë në muzikë?
– Mua personalisht, muzika më bën të lumtur, më jep jetë. Realisht, bukuria qëndron te zëri dhe unë jam e lumtur që Zoti ma ka dhuruar zërin. Falënderoj Zotin që kam armën më të mirë për të ecur përpara, talentin dhe nuk më pengon asgjë për të qenë një artiste e vërtetë. Artisti vlerësohet nga zëri e talenti, jo nga format e trupit dhe performancat. (Buzëqesh)
– Më mirë të zgjedhësh apo të jesh e zgjedhur?
– Mendoj se më mirë të zgjedhësh sesa të presësh të zgjidhesh.
– Cila është gjëja e parë që të vjen në mendje sapo hap sytë në mëngjes?
– Si fillim, nuk harroj të falënderoj Zotin që më ka dhënë shëndetin dhe familjen. Çdo ditë mendoj si e si ta bëj ditën sa më pak monotone. (Buzëqesh)
– Të pëlqen jeta e natës apo ndihesh pak si e detyruar ta pëlqesh vetëm nga profesioni?
– Në fakt, jeta e natës ka vite që është pjesë e jetës sime sepse unë këndoj, por nuk jam e lidhur me të dhe nuk më pëlqen shumë. Edhe puna që më lidh me të, në jo pak raste, është shumë e lodhshme.
– Cila është ajo gjë që e vlerëson më shumë te vetja?
– Sinqeriteti, korrektesa dhe karakteri i fortë.
– Cili lloj muzike mund të të sjellë momente lumturie dhe qetësie?
– Të gjitha llojet, ama popullorja është muzika e shpirtit tim.
– Çfarë të bën të lumtur dhe çfarë të nervozon?
– Më lumturojnë pa fund sukseset dhe dashuria për njerëzit e mi më të afërt, sidomos e vajzave të mia, të cilat janë gjëja më e shtrenjtë dhe më e bukur e jetës sime. Mundohem të mbaj larg vetes njerëzit që më japin energji negative.
– Vishesh bukur dhe normalisht, ndjek edhe trendet e fundit të modës. A mund të ndikojë vërtet shoppingu në humorin e femrës?
– Jam këngëtare dhe normalisht, duhet të dukem bukur. Shoppingu ndikon edhe ndikon shumë. (Buzëqesh) Normalisht, ndjehem mjaft mirë kur blej gjëra të reja dhe që më shkojnë.
– Mendon se mund të blihet çdo gjë me para?
– Jo, janë disa gjëra që nuk mund të blihen me para, si për shembull dashuria. Ekziston një tendencë për të menduar se gjithçka mund të blihet apo zgjidhet me para, por për mua jo.
– Ku ndihesh më e shpërblyer, në planin profesional apo në atë personal?
– Ndihem e shpërblyer në të dyja planet dhe do të mundohem që t’i mbaj fort dhe të mos i lë të më ikin kurrë nga dora.
– Ku do të jetë Mimoza në të ardhmen?
– Në fakt, synimi im personal është që të eci vetëm përpara në muzikë. Nga muzika nuk do të heq dorë kurrë, ka qenë pasioni im dhe tani është ajo që nuk më lë mua.
– Në fund, të ngeli ndonjë merak nga kjo intervistë?
– Besoj se thamë pak nga të gjitha. Doja t’ju falënderoja juve për këtë intervistë të parë që mendoj se u realizua me sukses. Ju uroj suksese në punën tuaj dhe paçit vetëm të mira në jetë.