Jemi në muajin më të nxehtë të vitit ku të gjithë kërkojnë të freskohen pranë detit, ndërsa ai është një ndër dixhejt më të mirë dhe më të kërkuar të momentit… është Dj Sardi. E kush më mirë se Sardi do të na fliste rreth jetës së natës të zhvendosur në bregdet dhe tendencës së pushimeve këtë verë? Edhe pse kjo verë për të ka nisur me më shumë punë dhe shumë pak pushime, Sardi përsëri gjen kënaqësi në faktin që të tjerët kënaqen me muzikën e tij. Meqë pushimet ende nuk kanë mbaruar, Sardi ju tregon se cila është tendenca e pushimeve këtë verë, cilët janë vendet me jetën e natës më të bukur, kush e pëlqen më shumë jetën e natës? Por jo vetëm kaq…
Mia Buci: – Sardi, si ka nisur kjo verë për ty, më shumë me punë apo me pushime?
Dj Sardi: – Kjo verë ka nisur me shumë punë, pa pushime, duke u marrë me këngën e re dhe me klipin. Pastaj koncertet, që ishin të programuara…
– Si pushon një dixhej?
– Të flas për veten… pushimet e mia janë shumë të pakta.
– Ku qëndron vështirësia më e madhe e të punuarit gjatë sezonit të verës?
– Vështirësi nuk kam sepse është diçka që e bëj me pasion, thjesht lumturohem kur njerëzit argëtohen e kërcejnë me muzikën time. Aty marr sadisfaksionin më të madh të punës time.
– Ti vetë, je i kënaqur me jetën që bën?
– Po, në shumicën e kohës jam i kënaqur. Ndonjëherë mund të kem dëshirë të isha me pushime, por është një shprehje që thotë: “Zgjidh një punë që e dashuron dhe nuk do të punosh asnjë ditë në jetën tënde”. (Buzëqesh)
– Besoj se fitimet e justifikojnë lodhjen…
– Janë të kënaqshme. (Buzëqesh)
– Në cilin vend paguajnë më mirë?
– Nuk ka një vend që paguan më mirë apo keq sepse unë kam një çmim për çdo koncert timin.
– Dihet që një dixhej edhe udhëton shumë… Cilat plazhe ke frekuentuar më shumë këtë verë?
– Për momentin, udhëtimet janë vetëm për punë dhe janë këtu rreth Ballkanit.
– Cili prej tyre të ka lënë mbresa më të veçanta?
– Nga udhëtimet e punës së këtij viti ishte Budva në Mal të Zi. Isha i ftuar për uikendin e hapjes së sezonit në klubin më të mirë në Ballkan “Top hill”.
– …po ato vende që i ke në listë dhe që mezi pret t’i vizitosh në vazhdim?
– Çdo vend ka karakteristikat dhe në çdo vend mezi pres të shkoj. (Buzëqesh)
– Çfarë ndryshimi ka jeta e natës në kryeqytet me jetën e natës në klubet verore në bregdet?
– Jeta e natës në Tiranë është shumë e zhvilluar, por gjatë sezonit veror, edhe jugu merr një zhvillim po aq të madh sa edhe Tirana.
– Po shkuma partit, tendenca e kësaj vere, ku kanë qenë më të frekuentuara?
– Mendoj se në “Folie Marine”, sepse aty kam qenë edhe unë më shpesh.
– Me siguri, kur je në jug, nuk ia ndjen edhe aq mungesën Tiranës sepse sheh po të njëjtët persona…
– Pak a shumë po, por ka shumë turistë, kështu që bashkohen të gjithë dhe duket edhe pak më ndryshe. (Qesh)
– Ke arritur ta kuptosh se cili qytet e pëlqen më shumë jetën e natës?
– Sigurisht që Tirana.
– Duke marrë parasysh edhe faktin që dixhejt femra në Shqipëri janë shumë të pakta, a mendon se kjo është botë meshkujsh? Sipas mendimit tënd, është e vështirë për vajzën të bëhet dixhej i famshëm?
– Besoj se nuk ka punë të vështirë apo punë për meshkuj apo femrash, sidomos kur flasim për dixhej. Në qoftë se do të ketë pasionin e duhur, mund të bëhet, por është çështje vullneti.
– Më rendit 5 këngët hit të kësaj vere… ato më të preferuarat dhe që ti i luan në çdo mbrëmje tënden.
– Janë më shumë se pesë… I bie të mbushim gjithë gazetën me tituj këngësh. (Qesh) Këtë verë ka patur këngë shumë të bukura si shqiptare, ashtu dhe të huaja.
– Si të duket situata muzikore në Shqipëri?
– Mendoj se ka filluar të përmirësohet, duke u ngritur në nivele shumë të mira.
– Dhe duke qenë se ka shumë prurje dhe është më e vështirë të gjesh muzikë origjinale… Sa të vështirë e ke të ruash “rrënjët”, origjinalitetin në krijimet e tua, pa u prekur nga kopjet?
– Është pak e vështirë. Mendoj se çdo prodhues muzike ka stilin e tij.
– Duket se ti vërtet e mbështet Dafina Zeqirin sepse edhe bashkëpunimi juaj i fundit me titull “Tek ti” pati të njëjtin impakt e sukses si “Got your back”… Çfarë të frymëzon kur të duhet të krijosh muzikë për Dafinën?
– Mundohem të bëj më të mirën. Pastaj, Dafina është nga ato këngëtare për të cilën çdo gjë të vjen natyrshëm. (Buzëqesh)
– Unë e kam menduar gjithmonë se Dafina është një artiste me shumë stil, që i zotëron të gjitha cilësitë për të qenë e suksesshme edhe jashtë kufijve shqiptarë. Ti që ke bashkëpunuar me të, çfarë do të më thoje?
– Hëm, Dafina është një nga këngëtaret më të mira të Shqipërisë së Madhe (buzëqesh) dhe në çdo kontinent të botës të ishte, përsëri do ishte nga më të mirat.
– Ndonjë situatë interesante gjatë xhirimeve të klipit “Tek ti”…
– Në fakt, nuk kishte ndonjë situatë të tillë sepse gjithçka është bërë brenda dhjetë orëve, ngaqë ishim shumë vonë me xhirimet dhe nuk kishte kohë për situata. (Qesh)
– “Got your back”, “Tek ti”… Do të ketë një bashkëpunim të tretë mes jush?
– Po, sigurisht, kemi dhe do të kemi edhe në vazhdim. (Buzëqesh)
– Vera quhet edhe stina e flirteve… Më tepër flirton apo flirtojnë femrat me ty?
– Edhe flirtoj, edhe flirtojnë. (Qesh)
– Të intrigon më shumë një femër provokuese apo një e tërhequr?
– Nuk kam kësi problemesh. (Qesh)
– Çfarë duhet të ketë një femër që të bëhet shpirti yt binjak?
– Të ketë karakter të fortë, të jetë e sinqertë dhe të më kuptojë në punën që bëj.
– Vendi më cool ku ke punuar?
– Vendi me cool… Të gjithë vendet janë vendet më në modë në Shqipëri dhe unë luaj gjithmonë të këto, por këtë vit ishte dhe qershia mbi tortë “Top hill” në Budva, që siç e përmenda edhe më sipër, është ndër diskotekat më të mira në Ballkan e në Evropë.
– Këngëtarët më të kërkuar të kësaj vere për koncerte…
– Besoj se të gjithë artistët më të mirë sigurisht që janë edhe më të kërkuarit.
– Si do ta nisësh sezonin e ri në Tiranë?
– Akoma s’kam një plan për sezonin dimëror. Të mbarojmë verorin njëherë, më pas të shohim.
– Ke për mua dhe për lexuesit ndonjë gjë të rëndësishme për të thënë në këtë moment?
– Ju uroj pushime të mbara! (Buzëqesh)
– Projekti më i afërt, kur pritet të vijë në jetë?
– Projekti më i afërt besoj nga fundi i shtatorit. (Buzëqesh)