Supermarket
– Para dy netësh pashë në ëndërr sikur isha vetëm në një supermarket ushqimor dhe në dorë mbaja një djalosh të vogël të cilin nuk e njihja, ama i blija shumë gjëra. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka?
– Supermarketi në këtë rast, tregon nevojën tuaj për t’ju plotësuar nevojat emocionale dhe fizike. Blerja e gjërave tregon që duhet të pranoni disa kushte në jetë që t’ju plotësohen ato nevoja që përmendëm. Fëmija janë mendimet tuaja, planet për të ardhmen. Është gjithçka në dorën tuaj. Nëse ju bëni disa kompromise të vogla, gjërat mund të shkojnë shumë mirë. Gjithë të mirat.
Varreza dhe mur
– Pashë një ëndërr në varreza, shkova me shoqen time t’i shikoja dhe pastaj kalova një tel. Doja të largohesha, por m’u shfaq një mur i bardhë dhe m’u desh që të kthehesha mbrapa. Çfarë do të thotë kjo ëndërr? Faleminderit.
– Flet për një frikë të brendshme e cila ju pengon të ecni përpara. Duke qenë se keni parë edhe varreza, edhe mur përpara dhe jeni kthyer sërish mbrapa në atë pikë ku e keni lënë veten, ëndrra ju sugjeron të kapërceni pengesat që ju duken të pamundura. Është në dorën tuaj të kapërceni gjithçka, qoftë edhe një mendim të gabuar apo frikë që keni brenda vetes.