– Përshëndetje i nderuar avokat. Kam një pyetje për ju: kemi jetuar 13 vjet në ishullin e Sazanit dhe kemi dëgjuar që do të kthehet në pikë turistike. A e përfitojmë shtëpinë ku kemi jetuar dikur?
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: – Përshëndetje i/e nderuar zonjë/zotëri! Ju falenderoj shumë që kontaktuat me rubriken: “Ju pyesni, avokati përgjigjet”. Ishulli i Sazanit është pronë e shtetit shqiptar. Në kohën që ju keni jetuar aty, keni pasur banesa shtetërore. Përsa u përket këtyre banesave, ato nuk janë trajtuar me ligjin e privatizimeve, pasi ishulli i Sazanit, në kohën që ka dalë ligji, ka qenë zonë ushtarake dhe strategjike. Si i tillë, ai nuk ka qenë objekt për privatizimin e pronave shtetërore, në rastin konkret, të shtëpisë së banimit tuaj.
– Duhet parë legjislacioni që duhet të nxjerrë shteti shqiptar për kthimin e kësaj zone nga ushtarake në civile, pra, turistike. Deri tani, kthimi i ishullit të Sazanit në ishull turistik është ende në kuadrin e diskutimeve dhe nuk ka iniciativë ligjore nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Shpresoj të jem i qartë me përgjigjen e mësipërme. Për çdo informacion, kontaktoni me info@durajlavv.com