Alban Meha është një prej lojtarëve që po përjeton formën më të mirë nga shqiptarët që luajnë në Evropë, por edhe më gjerë. Kosovari luan në Kampionatin Turk të futbollit për ekipin e Koniasporit. “Snajperi” shqiptar ka luajtur në 20 takime dhe ka gjetur rrugën e rrjetës në 4 ndeshje. Për 29-vjeçarin, largimi nga Gjermania ku luante për Paderbornin ishte mjaft i vlefshëm dhe po shkon për mbarë. Në një prononcim për gazetën “Intervista” shqiptari tregon për aventurën e tij në kampionatin turk, përshtatjen në vendin fqinj dhe për Kombëtaren. Një temë kjo jo pak e sikletshme për të, pasi thirrja nga De Biazi i ka munguar edhe pse po kalon një moment mjaft të mirë, luan në një prej kampionateve më të forta të Evropës, ndodhet në vendin e tretë të renditjes dhe është kthyer në lider… Përplasjet që ka pasur me trajnerin kanë bërë të veten, por Meha nuk e pranon këtë fakt!

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Alban. Urime për vazhdimësinë e rezultateve pozitive!
Alban Meha: – Hej, ç’kemi?! Faleminderit nga ju për fjalët e mira dhe për faktin që më ndiqni.
– Dukeni i rilindur në Turqi!
– E vërtetë! Në Kampionatin Turk e kam gjetur veten mjaft mirë dhe po kaloj momente të mira. Kam shënuar katër gola dhe po luaj rregullisht.
– Asistet nuk i përmendët…
– Po tani duket sikur po lavdërohem, pastaj dihen ato. (Qesh) Jo, vërtet më ka ecur mirë.
– Javën e kaluar patët një fitore mjaft të rëndësishme…
– E vërtetë. Ishte një sfidë shumë e vështirë, por morëm tri pikët.
– A është e vërtetë që sa herë jepni asist apo bëni gol ju, skuadra fiton?
– Legjendë urbane. (Qesh) Më ka ecur mbarë dhe mund ta themi edhe këtë.
– Cilat janë objektivat e skuadrës për këtë sezon?
– Koniaspori në fillim të sezonit ka pasur si objektiv pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. Jemi në vend të tretë dhe jemi shumë afër realizimit të njërit prej objektivave të skuadrës. Nuk besoj se do ta lëshojmë këtë vend, pavarësisht se kemi ekipe shumë të forta nga pas, siç është Beshiktashi apo edhe të tjerë.
– Sa i rëndësishëm ishte goli në Kupë, pasi skuadra u kualifikua nga ky veprim?
– Ishte i rëndësishëm, pasi bëri që ekipi të kualifikohej. Më vjen mirë që dhashë kontributin tim për të mirën e skuadrës. Nuk dua të tregohem i ftohtë, pasi festova për golin sepse është emocion i madh.
– Cilat janë objektivat tuaja?
– Dëshiroj të jap më të mirën time për ecurinë pozitive të ekipit. Shpresoj që të kapim finalen e Kupës së Turqisë, pasi jemi në gjysmëfinale dhe na presin dy takime shumë të vështira. Sigurisht që edhe synimi i Evropës nuk bën përjashtim.
– Kur u transferuat, e prisnit të kishit këto rezultate?
– Të vërtetën doni apo të bëj si diplomat?! (Qesh)
– Të vërtetën, të vërtetën fare…
– Nuk e kam pritur që ekipi të ecte kaq mirë kur erdha në fillim. Turqia ka ekipe të tjera shumë të mira që kanë në përbërje edhe yje të futbollit evropian. Gallatasaraj, për shembull, Fenerbaçe, Beshiktash etj. Por, më bëhet qejfi që jam surprizuar për mirë.
– E keni menduar se çfarë do të bëni në fund të sezonit?
– Në ç’kuptim? Më duket pyetje tendencioze! (Qesh)
– Do të largoheni nga Koniaspori?
– Kam kontratë një vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për vitin tjetër dhe kam dëshirë të vazhdoj në këtë skuadër dhe në këtë kampionat, pasi më ka shkuar mjaft mirë dhe jam ambientuar me skuadrën. Asgjë në jetë nuk është 100 për qind absolute dhe nuk i dihet, por kam marrëdhënie shumë të mirë me drejtuesit e klubit.
– Ua keni fituar zemrat edhe tifozëve shumë shpejt…
– E vërtetë. Jam bërë si idhull për ta, nëse mund të shprehem në këtë mënyrë.
– A është Kombëtarja një temë delikate për ju?
– Jo, pasi është ëndrra e çdo futbollisti, ashtu siç është edhe e imja.
– Mendoni se do të ftoheni për miqësoret e radhës?
– Normalisht, dëshira ime është që ta marr ftesën nga Shqipëria. E pres apo jo, nuk varet nga unë. Dua që të vazhdoj me formën e mirë dhe shpresoj ta bind De Biazin.
– A keni biseduar tashmë me të?
– Të them të drejtën, nuk kam folur me të. Nuk e di a më ndjek, pasi jam në të vërtetë në një formë të mirë. Po luaj rregullisht, shkalla e vështirësisë në Turqi është e lartë dhe nuk besoj se ka diçka tjetër.
– Nëse nuk merrni ftesë, a e mendoni Kosovën si një alternativë?
– Nuk e di, s’e kam menduar më parë këtë. Për momentin, po mendoj vetëm për ekipin tim dhe të bëj më të mirën në Turqi.

Meha dhe Turqia

– Jeni përshtatur me jetën turke?
– Po, si në futboll. (Qesh)
– Si ka ndodhur diçka e tillë kaq shpejt?
– Nuk ndryshojmë shumë si popull, edhe për vetë historinë.
– Si tingëllon emri Alban te turqit?
– Deri tani nuk më kanë thënë gjë. (Qesh)
– Si e kaloni kohën e lirë?
– Kur kam kohë të lirë, ia dedikoj familjes sime.
– Do ta bëni futbollist djalin tuaj, Leounisin?
– Është i vogël akoma, por nuk do t’i imponohem çfarë të dëshiroj të bëhet.
– Kush i “llaston” më shumë fëmijët, ju apo bashkëshortja?
– (Qesh) Unë, ndoshta sepse kaloj edhe më pak kohë me ta. Të dy mundohemi t’i plotësojmë të gjitha “tekat” jo të dëmshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *