Nuk vlerësohem me para

Ajo është ndër femrat më të bukura në muzikën shqiptare, më e suksesshmja dhe më e përfolura, njëkohësisht… Këtë herë ajo është ftuar në këngën e Etnon “Shake it”, klipin e së cilës e ndez me performancën e saj. Në fund të fundit, kush mund ta tundë më mirë se Genta Ismaili?! Energjia edhe pasioni i saj i pashtershëm kanë bërë miliona fansa, duke bërë që Genta të jetë një ndër personazhet më të kërkuara në median rozë. Mirëpo Genta nuk është vetëm një seks simbol dhe një këngëtare tashmë e afirmuar. Unë kam arritur të perceptoj tek ajo një vajzë shumë të thjeshtë e modeste, pavarësisht suksesit që ka. Në këtë intervistë, Genta flet për sukseset e veta, për shoqërinë e familjen e gjithashtu, tregon diçka më shumë rreth mashkullit të saj ideal…

Rita Rrjolli: – Genta, “Shake it”… E kujt ishte idea për bashkëpunimin?
Genta Ismaili: – Unë jam e ftuar në këtë këngë. Thjesht, mora pjesë në refrenin e saj dhe ky bashkëpunim për mua ishte shumë i arrirë!
– Sa kohë të mori realizimi i klipit?
– Nuk ishte e nevojshme të bënim shumë dubla. Çdo gjë doli më së miri sepse ishim të tre të përkushtuar në punën tonë.
– I mbushi kënga të gjitha pritshmëritë e tua për sukses?
– Jam në çdo hap e në çdo gjë e suksesshme, kështu që po, i ka përmbushur të gjitha. Kënga arriti shumë klikime në shumë pak kohë dhe ky është një tregues i pagabueshëm.
– Diçka që të pëlqeu më shumë gjatë klipit…
– Refrenin e kam shumë merak. E këndoj edhe me vete shpesh nëpër shtëpi! (Qesh)
– Genta, thonë se ti, e “shake” (tund) më së miri…. E vërtetë?
– Kush e thotë këtë?! Ju? Atëherë, ju falënderoj! Ajo për të cilën përpiqem unë, është që ta bëj çdo performancë të paharrueshme, sidomos kur kam përpara mijëra fansa, që i admirojnë kërcimet e mia.
– Mbrëmjet e tua janë me një gotë verë mes miqve, apo me shishen e shampanjës në diskotekë?
– Për arsyen e punës, nuk i pëlqej shumë diskotekat. Ngarkesa e aktiviteteve të shumta, bën që gjatë kohës së lirë të parapëlqej relaksin me miqtë e mi më të afërt. Edhe ndonjëherë që dal për me e “shake” me shoqërinë (buzëqesh), zgjedh ndonjë vend të përshtatshëm.
– Dukesh shumë sensuale mes dy djemve më të pëlqyer në muzikën shqiptare… A jeni ju treshja perfekte për një bum mediatik?
– Djemtë janë kolegë shumë të mirë e çdo femër do të ndihej e privilegjuar në krahun e tyre.
– Bashkëpunimet për ty janë më të suksesshme se këngët solo?
– Kjo varet nga kolegët me të cilët je në bashkëpunim, por mendoj se fama e dy, apo tre personave, është gjithmonë më shumë dhe më e mirë se e një personi të vetëm.
– Ndonjë baladë, ke menduar të realizosh?
– Kam plane për këngë të reja. Nëse do të jenë baladë, apo jo, kjo i mbetet kohës…
– Genta, vitet kalojnë, po ti vazhdon të jesh shumë në formë… Cili është sekreti yt?
– Ju falënderoj! Mundohem të mbaj një regjim jete të shëndetshme si në ushqime, ashtu edhe në aktivitet fizik. Trupi i shëndoshë në mendje të shëndoshë, apo jo? Gjithmonë kam dëshirë të ndjek tendencat e fundit në flokë edhe grim, për t’u dukur thjeshtë e bukur.
– Si është një ditë e zakonshme e jotja?
– Zakonisht, është një kohë e kaluar me familjen. Kjo ndodh kur nuk jam e ngarkuar me punë, pasi ditët më të shpeshta i kam të mbushura me aktivitete, për shkak të të cilave mund të ndodhem sa në një qytet, në tjetrin, sa në njërin vend në tjetrin. Dita ime e zakonshme është me shumë miq rreth meje, gjë kjo që më pëlqen më së shumti.
– Dita më e keqe e jetës tënde?
– Nëse ka pasur të tilla, jam munduar t’i fshij nga kujtesa, ose t’i struk shumë thellë brenda vetes. S’dua as t’i kujtoj…
– Famën tënde ndër vite, me çfarë do ta krahasoje?
– Fama ime krahasohet me sakrificën. Është si një rrugë e gjatë ku në krye është suksesi i padiskutueshëm. Pa dyshim, fansat e mi janë mbështetësit kryesorë dhe unë i falënderoj për mbështetjen ndër vite. Vlen për t’u theksuar që në vitin 2008, me këngën “Eksploziv”, kam arritur mijëra klikime për një javë.
– A është fama, e barazvlefshme me paratë?
– Do të gënjeja nëse do të thoja që nuk është. Deri diku, sa më e famshme të jesh, aq më shumë fitime ke dhe aq më e kërkuar je në koncerte. E kundërta s’mund të jetë, pasi një njeri që ka shumë para dhe investon që të arrijë famën time, kurrë nuk ia del nëse nuk e ka talentin tim.
– Pra, sa e suksesshme (pasur) je ti?
– Jam mjaftueshëm e pasur sa nuk e kam humbur ndjenjën e humanizmit. Çdo gjë e ka një çmim, por Genta nuk vlerësohet me para!
– Një femër e zgjuar, a është gjithmonë e lumtur?
– Po, është gjithmonë.
– Ti, je e lumtur?
– Jam shumë e lumtur!
– A kemi diçka të re në jetën tënde private?
– Jo, nuk kam asgjë për të ndarë me median.
– Princi i kaltër ende s’ka ardhur, apo e ke lënë të ikë?
– Nëse do të kishte ardhur, ju siguroj që s’do ta kisha lënë të ikte! (Qesh)
– Ideali yt, si duhet të jetë?
– Thjesht, të jetë i sinqertë dhe i përkushtuar. Pamja fizike është relative. Kush nuk do ta donte një mashkull të bukur në krah?!
– Ti, a je femra ideale?
– Shumë më kanë thënë që jam. Unë kur e mendoj veten, mundohem t’i afrohem shumë ideales time, por s’di nëse ia dal.
– Një mesazh të fundit për fansat e tu…
– Thjesht, ju dua! Jeni frymëzimi im dhe ju premtoj që do të jem gjithmonë pranë jush!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *