Redaksionale
E kam menduar gjatë nëse duhej ta shkruaja këtë. Jo sepse tema është e vështirë, por sepse sot duket sikur të gjithë e dinë përgjigjen për gjithçka. Mjaftojnë disa minuta në rrjetet sociale që të ndeshesh me “specialistë” të çdo fushe, njerëz që flasin me të njëjtën siguri për mjekësinë, arsimin, gazetarinë, ekonominë, ligjin apo psikologjinë. Ky fenomen nuk është vetëm i lodhshëm; ai është edhe i padrejtë ndaj atyre që kanë studiuar, punuar dhe sakrifikuar për të ndërtuar një profesion. Pikërisht për këtë vendosa ta shkruaj këtë artikull. Jo për të heshtur mendimet e askujt, por për të kujtuar se opinioni nuk e zëvendëson ekspertizën dhe se respekti për profesionin e tjetrit është një nga treguesit më të rëndësishëm të një shoqërie të shëndetshme.
Ka diçka që i duhet njeriut edhe më shumë se shkolla dhe arsimimi, Integriteti.
Diplomat kanë vlerë, arsimi është themeli i zhvillimit të një shoqërie por asnjë diplomë nuk mund të zëvendësojë karakterin.
Sot po jetojmë në një kohë kur gjithnjë e më shpesh shohim njerëz që i hyjnë profesionit të tjetrit pa respektuar mundin, përvojën dhe etikën që ai profesion kërkon. Është e lehtë të marrësh një titull. Më e vështirë është të fitosh respektin që ndërtohet me vite pune, sakrifice dhe përkushtimi.
Ka njerëz për të cilët puna nuk është thjesht një burim të ardhurash, është identitet, eshtë pasion. Është zanati që kanë ndërtuar me djersë, me net pa gjumë, me gabime nga të cilat kanë mësuar dhe me vite përvojë. Kur dikush e trajton atë profesion si diçka që mund të bëhet pa përgjegjësi, nuk cenon vetëm profesionalizmin, cenon edhe shpirtin e atij që ia ka kushtuar jetën.
Integriteti do të thotë të respektosh kufijtë e profesionit tënd dhe të mos e nënvlerësosh punën e tjetrit. Do të thotë të mos pretendosh se di atë që nuk e di, të mos marrësh merita që nuk të takojnë dhe të mos e zëvendësosh përkushtimin me dukjen.
Shkolla të jep dije, përvoja të bën më të aftë, por integriteti është ai që të bën të denjë për besimin e njerëzve.
Në fund, nuk janë diplomat që flasin më fort, është mënyra si punon, si sillesh dhe sa i qëndron besnik profesionit dhe vlerave të tua.
…sepse profesionet nuk humbasin kur u mungojnë diplomat, ato humbasin kur u mungon integriteti.






