SAMITI I MADRIDIT DHE SHQIPËRIA
Halil RAMA
Akademik & Mjeshtër i Madh
• Parë në këndvështrimin e strategjisë sonë të mbrojtjes, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Manushaqe Shehu, evidenton vlerësimin e rolit të Shqipërisë si aleate e NATO-s nga Presidenti i SHBA Joe Biden dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg
Në Samitin e NATO që u zhvillua në Madrid, Spanjë, përveç Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, si pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, ishte edhe zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Manushaqe Shehu. E vetmja grua shqiptare me gradën gjeneralmajor, aktualisht numri një i Forcave tona të Armatosura (e komanduar, pas zgjedhjes së ish-Shefit të Shtabit të Përgjthshëm të FA, Bajram Begaj në funksionin e Presidentit të Republikës), ajo e vlerëson mbajtjen e këtij Samiti 3 – ditor si një moment historik, për vendimet mjaft të rëndësishme që u morën për orientimin e kursit të sigurisë dhe mbrojtjes në një situatë delikate sigurie, ku Rusia dhe Kina vijojnë të sfidojnë rendin botëror të bazuar në rregullat ndërkombëtare.
Parë në këndvështrimin e strategjisë sonë të mbrojtjes, gjeneralmajor Shehu, evidenton vlerësimin e rolit të Shqipërisë si aleate e NATO-s nga Presidenti i SHBA Joe Biden dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg. Dhe ky vlerësim nuk është i rastësishëm. Referuar edhe vlerësimit të ambasadores së SHBA në vendin tonë, Yuri Kim në 13-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në Aleancë, se roli dhe vlerat e Shqipërisë si aleat i NATO-s vijojnë të rriten në mënyrë të vazhdueshme dhe se së shpejti, ekspertë amerikanë do të nisin një program të ri, i cili do të sigurojë që Shqipëria përmbush objektivat e kapaciteteve të NATO-s, gjeneralmajor Shehu, veç të tjerash e argumenton këtë me faktin se aktualisht, ushtarakët shqiptarë janë pjesë e mijëra trupave të vendeve të NATO-s, të cilët shërbejnë në operacionet dhe misionet e Aleancës në vendet baltike, Poloni, Rumani, Bullgari dhe në Kosovë. Po ashtu, edhe për faktin se Shqipëria kontribuon në rritjen e gatishmërisë së forcave aleate dhe modernizimin e strukturës së komandës ushtarake. Paralelisht, Shqipëria, bazuar në pozicionin e saj gjeografik dhe si anëtare fillestare e Koalicionit Global kundër të vetëquajturit “Shtet Islamik”, ajo mbështet aktivisht rolin e intensifikuar të NATO-s në luftën kundër terrorizmit si dhe projektimin e stabilitetit në dhe përreth zonës euroatlantike.
Në takimet e shtuara të nivelit të lartë politik në NATO, që prej datës 24 shkurt të këtij viti, Shqipëria, krahas vendeve të tjera të NATO-s, ka dënuar ashpër sulmin e provokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, duke e cilësuar atë si një shkelje të rëndë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe si një kërcënim tepër serioz për sigurinë euroatlantike. Gjithashtu, Shqipëria është pjesë e vullnetit të palëkundur të NATO-s për të bërë gjithçka që duhet për të siguruar dhe mbrojtur të gjithë vendet aleate.
Po në këtë këndvështrim ajo argumenton edhe kërkesën e bërë nga Shqipëria pranë kompanisë amerikane “Lockheed Martin” në lidhje me një porosi për raketa moderne antitank “Javelin”. Për të qenë sa më e saktë, edhe për këtë gjeneralmajor Manushaqe Shehu, i referohet deklaratës së Ministrit të Mbrojtjes Peleshi se kjo kërkesë është në kuadrin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe rritjes së kapaciteteve tona që Shqipëria ka në raport me NATO-n. “Është e vërtetë që ne kemi porosinë tonë aty si pjesë e rrugëtimit tonë të rritjes së kapaciteteve të FA-së, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së integritetit territorial të vendit tonë. Nuk është se ka lidhje me ndonjë kërcënim që të mos krijojmë panik, ne jemi një vend në NATO e kemi zgjidhur çështjen e sigurisë kombëtare, jemi një vend i mbrojtur. Ne do të vazhdojmë të ndjekim ritmin e NATO-s për t’u forcuar si pjesë e një aleance mbrojtëse. Theksoj se NATO nuk është kërcënim për botën, as për Rusinë e as për Rajonin sepse nuk ka për qellim të sulmojë, por ka për qëllim të garantojë mbrojtjen e vet”, ka deklaruar Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Rolin e vendit tonë në Aleancë, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Manushaqe Shehu e sheh edhe në kuadrin e përpjekjeve të Aleancës për mbrojtjen dhe sigurimin e territorit të Aleancës Atlantike, ku Shqipëria është dhe do vazhdojë të jetë plotësisht e angazhuar për të dhënë kontributin e saj në suazën e NATO-s. Kështu,-pohon gjeneralmajor Shehu, në dimensionin thelbësor aleat të Mbrojtjes dhe Shkurajimit, Shqipëria kontribuon ushtarakisht në përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive që nga Lufta e Ftohtë, nëpërmjet vënies në jetë të Pranisë së Përparuar të NATO-s në Lindje –EfP (Enhanced Forëard Presence).
Nga Samiti i Madridit, ajo evidenton gjithashtu, një vëmendje e veçantë që iu kushtua rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili vlerësohet si një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Kjo edhe për faktin se në këtë Samit u theksua se vendet e tij që aspirojnë për anëtarësim në strukturat euroatlantike, do të kenë mbështetjen nga Aleanca.
Qeveria shqiptare shprehu vlerësimin e saj për marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, që i hap rrugë anëtarësimit të dy vendeve nordike në NATO. Kryeministri Edi Rama propozoi nga ana e tij që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe, duke kërkuar nga vendet që nuk e kanë njohur të vlerësojnë qëndrimin e tyre.
Kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve të NATO-s miratuan Konceptin e ri Strategjik të Aleancës, duke përcaktuar prioritetet kryesore dhe qasjet për adresimin e sfidave për dekadën e ardhshme. Ndryshe nga Koncepti Strategjik i vitit 2010, i cili e cilësonte Rusinë si “partner strategjik”, koncepti i ri e paraqet atë si “rreziku më i madh i drejtpërdrejtë i Aleancës”, ndërsa Kinën si një vend në rritje dhe me politika ambicioze për të sfiduar interesat dhe sigurinë e Aleancës.
Pikërisht në këtë këndvështrim i sheh vendimet dhe rëndësinë e këtij samiti drejtuesja kryesorë e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor manushaqe Shehu (nga data 16 janar 2018 e në vijim kryen detyrën e Zëvendësshefit të SHP të FA) e cila vjen në këtë funksion mjaft të rëndësishëm pas një karriere të shkëlqyer në të gjitha nivelet e Ushtrisë Shqiptare. Veçanërisht gratë dhe vajzat oficere krenohen me profilin e shefes së tyre, doktore e shkencave, gjeneral major dhe juriste. Mbi të gjitha, tek ajo spikasin vlerat njerëzore. Personaliteti dhe karakteri i saj në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos me dinjitet për më shumë se tri dekada në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Ishte nga të parët që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri, ajo mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësuese e elitës intelektuale shqiptare.