Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:

– Unë e di që ti mund të financosh edhe një panair në Zvicër, i dashur mik Bajram Muaçaj. Po, atje në Skrapar, ndihesh “bio” oh, sa ka që e kanë harruar vendlindjen. Madje edhe skraparlinj. Por, ti, jo për atë Zot. E kam për nder që të njoh dhe kam shkruar për ty. Më kujton se ca të vërteta, siç është dashuria për vendlindjen, nuk vdes. Të uroj fort, nga zemra!

– Nuk është se ti del shpesh në TV, e dashur Arlinda Duda, por kur del, ia bën fora. Kur pashë autorët e librave që ke botuar, m’u duk sikur rashë nga një latërsi marramendëse. I pashë tek emisioni “Një ditë me”. Në fakt, si biopsikolog që mendoj se jam, edhe më parë, unë kam parë te sytë e tu (pikërisht aty) një përqendrim forcash dhe vullneti, të rrallë fare. Një qëndresë kolosale përballë vështirësive të përkthimit. Sidomos nga gjermanishtja, që e ka foljen në fund të fjalisë. Shkurt, them se vajza (gra, tashmë) i bëjnë një latërsim shumë të bukur femrës shqiptare. Urime nga zemra! Jam tifoz i yti!

– Para pak ditësh të pashë duke pirë kafe me Fatos Shehun, atletin e madh. Po edhe ti i tillë ke qenë, i dashur Aziz Ruli, madje të bënë edhe Mjeshtër të Madh. Por, bukuria e kësaj pune është se të dy kemi të njëjtën mbesë. Fëmijët tuaj janë martuar me njëri-tjetrin. Epo, kësaj i them atletikë, unë. Urime nga zemra të gjithëve!

– Alergjia ime ndaj lokaleve të të ashtuquajturit “Bllok”, është e certifikuar. 24 orë non stop aty mund të shohësh paradën e fallsitetit të njeriut. Për vete kam liqenin, kam Dushkun e Rexhep Tabakut, Shelqetin dhe Stajkën e Mark Babanit dhe Rrokut, kam Pukën time me pyje… Mirëpo, ja që aty, pikërisht aty te ky “Blloku”, takoj ndonjëherë njerëz që i kam fort për zemër, siç është gazetarja e mirënjohur Mira Kazhani. Është rikthyer në një emision dinjitoz të Topi. Epo, më kishte marrë malli, Mira, ti vajzë e mendimit fin dhe e bukurisë femërore! Të përqafoj fort, mike dhe kolege e vjetër. Suksese në çdo fushë…

– Pas kaq vitesh njohjeje, pas kaq shkrimesh dhe urimesh që të kam dërguar, shumë gjëra kanë ndryshuar, e dashur Jonida Shehu. Po, për atë Zot, jo dinjiteti yt si gazetare, nderi dhe krenaria e Memaliajt. Dhe sidomos drita që ke në sy. Ajo dritë, që më ka magjepsur prej kohësh. Ata sy që nuk dinë (apo nuk duan) të shtiren. Nuk e di a e ka edhe Henri Cili shqisën time? Shqisën time të përceptimit të bukurisë shpirtërore të tjetrit. Nuk e di! Po, druaj se… jo! Ka të tjera probleme ai! Gjithsesi, unë mbetem miku yt i orës 17, aty te Top-Channel. U bëfsh mama sa më shpejt, në mos je bërë! Të përqafoj fort.

– Nga përvoja ime e jetuar, apo leximet, më rezulton se më shumë për fitore, bërtasin ata që kanë humbur. Mjeshtra të mjegullimeve. Tipik është rasti i humbjes së Napolonit, në Borodivo, që ai e shiti për fitore. Pastaj, vjen një ish-drejtor, këtu në Tiranë që këdo që takon i thotë “Fitore, vetëm fitore” dhe ndërkohë është shëmbëlltyra e pabesisë. Ndërkohë, për fat, njoha një vajzë gjakovare, që Fitore kishte emrin. O Zot, çfarë sysh, të zinj, të bukur, kishte kjo bjonde! Pikë për pikë si sytë e një gjimnazisteje dikur, me mbiemrin Xhaçka, që vinte në portën e shkollës “Skenderbej” për t’i bërë unë asaj hartime. E merrni me mend ç‘fitore kisha arritur para shokëve, kur një vajzë e bukur të kërkon te dera e një reparti ushtarak. Dhe, ja tani, kjo fitorja tjetër, me emrin vërtetë “Fitore” nga Gjakova. E bukur si Miriana, gjakovarja tjetër, gazetare, por bjonde, mor Zot, nga ato që të rrëzojnë për tokë! Epo, ç’të them: Paç vetëm fitore, moj e bukura bankiere, Fitore!

– Legjendat urbane thonë se ti, i dashur Dritan Hila, ke për bashkëshorte një nga gazetaret më të spikatura. Uroj të jetë kështu, sepse e njoh edhe unë dhe e ndiqja emisionin e saj. Por këtë urim, e kam për një prononcim, analize, konstatim, thuaj ç’të duash, që ti ke shprehur në lidhje me çështjen CEZ, “Ata janë ne, dhe ne jemi ata”. Gjë më të bukur nuk ka. Ata nuk janë alienë, kanë të njëjtën pasaportë si ne (Me përjashtim të Lulit që ka dy). Vijnë nga i njëjti mjedis social dhe janë mbrujtur me të njëjtën psikologji korruptive, si shumica prej nesh. Kjo qe pak a shumë thelbësorja… Një Zot e di sa kënaqemi kur dikush thotë të vërtetën, i dashur Dritan. Edhe pse e thotë pa zhurmë e pa bujë, po ngjit kaq shumë në zemrat e njerëzve. Urime, i dashur koleg! Urime nga zemra!

– Biçikleta dhe gazetarja Rezarta e “Nevs-24” (“Gazeta shqiptare” më saktë) më duket se janë bërë një binom. Aq sa, edhe pse i kam dërguar edhe një libër, edhe një gazetë me urim, nuk zbret dot të më japë doren, për respekt. Mirëpo këto i kam kaluar unë. Më ka mbetur vetëm dëshira t’i shoh mirë dhe sa më mirë njerëzit, përfshirë edhe ty, Rezarta, me ose pa biçikletë qofsh. Urime nga zemra. Dhe… biçikleta ishte e veçantë si ti!

– Çasti kur po shkruaj këtë urim, është katër ditë para ndeshjes me Serbinë. Po, pavarësisht nga kjo, u gëzova me gjithë zemër që trajneri i Kombëtares tonë shqiptaro-italiane Xhani De Biazi, mori “Honoris Cauza” nga UE i Tirnaës. Të uroj edhe ty shoku im i shtrenjtë Adrian Civici si president i Universitetit, që di të qëllosh gjithnjë në shenjë. Të përqafoj fort!

– Kam mendimin se më shumë se fitorja, ndaj Tiranës të ka gëzuar atmosfera festive, në stadium, miku im i vjetër Gaz Demi. Dhe pastaj truri i shkrimtarit shkrepëtin: Korça ka mesonjtoren e parë, po edhe çamët kanë shkollen e parë shqipe, të ngritur nën hundën e grekut, nga Nderi i Kombit, Musa Demi. Kështu, jemi aty-aty për nga vlerat. Të përqafoj fort për sfidën me korçaret që e kanë aq merak!

– E diela e datës 4/10/2015 më solli shumë lumturi. Të pashë ty Ilda, me vajzën, që kishte aq dritë në sytë e bukur. Në një lokal të thjeshtë dhe me cigaren në tavolinë. Dhe m’u rindez ajo ëndërr që e kam edhe për vete: kur do të të shoh, me një karrocë, me një bebush të bukur brenda? Gjyshe, pra? Ti e meriton 500 për qind këtë lumturi. Dhe Zoti, do të jetë patjetër me ty. Të puth fort, ty, që engjëjt të heqin kapelen për shpirtin që ke!

– …të tillë natyrë ke ti, miku im i vjetër, Mjeshtri i Madh Tonin Alia: E do shumë sigurinë dhe përcaktueshmërinë. Kjo të ka çuar te suksesi gjithnjë në rritje i Ardenos. Dhe, kur e do një gjë, e do deri në fund. E kuptoj këtë nga këmbëngulja që ke për të lëvizur andej nga Liqeni, bashkë me Daven. I beson lëvizjes, i beson pa asnjë rezervë. Për këtë, të uroj. Të uroj fort, edhe kur nuk sheh, apo bën sikur. Je miku im prej 16 vjetësh, Tonin! Mos e harro këtë! Të përqafoj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *