Sunny Hill Festival do të mbahet në Prishtinë dhe në Tiranë. Ministria e Kulturës dhe Komunës së Prishtinës nëpërmjet një deklarate të përbashkët, kanë njoftuar se Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht.
Sipas deklaratës, Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë.
“Institucionet qendrore dhe lokale bashkarisht, sipas mandatit që kanë, do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm. Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë. Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht. Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror”, thuhet në deklaratë.
Po kështu edhe kryebashkiaku Erjon Veliaj shprehet se ky është një super lajm për të gjithë. “Sunny Hill Festival – Edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë! A jeni gati për një super verë elektrizuese në të dyja kryeqytetet shqiptare? Jam shumë i lumtur që edicioni special i këtij viti i “Sunny Hill Festival”, do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht. Një super lajm për të gjithë! BASHKË!”, shkruan ai.