Vajza e Vladimir Putin, Katerina Tikhonova, ka një të dashur që mban mbiemrin Zelensky, njësoj si presidenti i Ukrainës.

Sanksionet kundër 35-vjeçares, të vendosura për shkak të pushtimit të Ukrainës nga babai i saj, kanë bërë që ajo të mos udhëtojë dot nga Moska në Mynih, për të jetuar me partnerin. Në këto udhëtime ajo shoqërohej nga një roje e shërbimit sekret rus.

“Daily Mail” shkruan se partneri i saj i ri, me të cilin ka një vajzë 2-vjeçare, është Igor Zelensky, 52 vjeç. Ai është një balerin profesionist dhe regjisor i lartë, i cili deri vonë drejtonte Baletin Shtetëror të Bavarisë.

Një gjë e tillë është zbuluar nga një hetim i gazetës së pavarur ruse të lajmeve “IStories” dhe gjermanes “Der Spiegel”.

Më parë Katerina, e cila është vajza e vogël nga martesa e Putin me ish-Zonjën e Parë të Kremlinit, Lyufmila Aleksandrovna Ocheretnaya, ka qenë e martuar me miliarderin më të ri të Rusisë, 40-vjeçarin Kirill Shamalov.

Ata u ndanë rreth vitit 2017 kur ajo filloi lidhjen me yllin e baletit. Edhe ky i fundit ishte i martuar më parë dhe ka dy vajza dhe një djalë me koreografen, Yana Serebryakova.

“Për dy vjet, nga 2017-a deri në 2019-n, nëna e vajzës së vogël duhej të udhëtonte nga Moska në Mynih dhe mbrapa shumë herë. Ajo jetonte në Rusi dhe babai i vajzës së saj në Gjermani. Emri i tij është Igor Zelensky”, thuhet në raportin e “Stories”.

Hetimi gazetaresk zbuloi dokumente që vërtetonin fluturimet e bëra nga vajza e Putin, dhëndri, mbesa dhe një dadoje e një roje sigurie.

Zelensky është një balerin i lindur në Rusi dhe me rrënjë gjeorgjiane. Ai nuk besohet se ka lidhje me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. 52-vjeçari u largua nga Baleti Shtetëror Bavarez muajin e kaluar, pasi mesa duket ka refuzuar që të dënojë luftën e përgjakshme të Putinit në Ukrainë.

Raporti thoshte se një burim i “Der Spiegel”në Baletin bavarez, kur është pyetur për ish-kreun e tij, është përgjigjur menjëherë se Zelensky ishte “me shumë mundësi partneri i vajzës së Putin”. Këtë burimi e ka thënë para se ta pyesnin për lidhjet e tij familjare.

Partneri i vajzës së presidentit rus përshkruhet si një nga balerinët më të suksesshëm të baletit në Rusi, një yll i Teatrit Mariinsky në Shën Petersburg dhe i kompanisë së Baletit të Nju Jorkut. Ai ishte solist i ftuar i Baletit Mbretëror në Londër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *