U desh një kontroll rutinë i njërës prej task-forcave të DPSHTRR-së në kryeqytet që të zbulonte se në çfarë gjendje është situata e linjës së autobusëve urbanë të Unazës së Tiranës.
Kompania që i ka në administrim këta autobusë e ka cuar gjendjen e tyre deri në ekstrem të amortizimit dhe papërgjegjshmërisë, por duke harruar një detaj shumë të rëndësishëm dhe thelbësor… se ka të bëjë me jetë njerëzish, madje me shumë syresh.

Të gjithë e dimë se linja e urbanëve të Tiranës është një prej linjave që ka ngarkesën më të madhe të udhëtarëve në çdo ditë të vitit në kryeqytet. Madje në një ditë të vetme me autobusët e kësaj linje udhëtojmë me mijëra apo me dhjetra mijëra qytetarë nga i gjithë vendi.

Por po ashtu e dimë mirë se kjo linjë ka dhe autobusët më të amortizuar, ku shpesh i kemi parë edhe të ndotin jo pak ambientin me tymra e blozë, por edhe të bëjnë defekte në mes të rrugës.
Në jo pak raste kemi qenë dëshmimtarë se si këta autobusë, madje shumë herë edhe të toleruar nga shteti dhe Bashkia, krijojnë vonesa dhe bllokojnë unazën duke bërë qëndresa të paparashikuara apo duke ecur mjaft avash për të grumbulluar sa më shumë njerëz nëpër stacione.
Por u desh një kontroll rutinë i taks-forcës së DPSHTRR-së, që të kostatonte se një prej autobusëve të linjës së Unazës ishte pa bërë kolaudimin.

Kjo do të thotë se qytetarët që ishin udhëtonin me këtë linjë ishin në mëshirë të fatit.

Një autobus i pakolauduar dhe pa kontrollin teknik periodik mund të shkaktojë që nga një incident nga ai më i thjeshti, tek aksidenti më dramatik, duke pasur parasysh numrin e udhëtarëve që mbart dhe trafikun e dendur në rrugët e Tiranës.

Por autobusi urban i pakolauduar mund edhe të marrë flakë, siç kemi parë të ndodhë në rrugërt tonë me shumë autobusë, dhe pasojat mund të jenë katastrofale.
Por ne ngremë edhe një pyetje, pas gjithë kësaj… Po policia Rrugore e Tiranës, që nuk lë automjet pa ndaluar dhe pa gjobitur, që në gjithë këto muaj vere ka bërë kërdinë me gjoba dhe heqje patentash, a i kontrollon ndonjëherë autobusët urbanë të Unazës?Këta të fundit çdo ditë kalojnë, madje nga dhjetëra herë në ditë përpara hundës së kontrolleve dhe postoblloqeve të policisë rrugore në kryeqytet. Por ose efektivët e rrugores bëjnë sikur nuk i shikojnë, ose ata janë palë me kompaninë private, duke e toleruar këtë të fundit.

A nuk ka policia rrugore të drejtën që të kontrollojë, ndalojë dhe gjobisë për cdo shkelje çdo automjet si në rrugët nacionale ashtu dhe në ato urbane?
A i ka parë ndonjëherë Policia Rrugore e Tiranës autobusët e Unazës? Nëse nuk i ka parë deri më sot ka bërë një gabim mjaft të madh, por nëse vijon ti shikojë ende dhe të mos veprojë, po bën një faj dhe është pjesë e një vepre penale me përgjegjësira të mëdha.

Përse ka vendosur Erion Ahmeti që të lërë jashtë fokusit të punës së policisë rrugore edhe transportin publik? Neglizhencë apo preferencë?

Gjendja e Linjës së Unazës shqetëson edhe personalitete dhe qytetarë

Mjeku i njohur Tritan Kalo disa ditë më parë u ankua për autobusin e linjës së Unazës së Tiranës. Përmes një postimi në Facebook ai tha se e kupton brengosjen që është krijuar për afganët mirëpo nuk duhen nënvlerësuar dhe ish-afganët e para 30 viteve, duke ironizuar veten e tij dhe qytetarët e Tiranës.

Postimi i plotë

Kohë kovidiane….26.08.2021….Zotërinj KM/ER dhe KB/EV. Ju mirëkuptoj për brengosjen ndaj Afganëve të sotëm, POR mos na nënvlerësoni edhe ne “ish Afganët e para 30 viteve”…. Nëse doni t’a nisni ditën me nerva të cingërisura, ju ftoj të merni me mua çdo mëngjes linjën e Unazës për të shkuar në punë….E keni të garantuar pritjen më së paku 30 minuta në stacion, autobuza pa kondicioner që edhe breshka do t’ua kishte zili për “ecjen e tyre”, mbingarkesën në pasagjerë duke rritur rrezikun e transmetimit të virusit Sars-Cov2/Covid-19, etj, etj…. Mirë uji që na mungon nëpër çezma, pluhuri e papatërtia që gëlojnë kudo dhe kurdoherë, POR së paku të ndiheshim të mirëtrajtuar dhe mirëkuptuar si qytetarë taksapagues të rregullt në Kabulin/ Tiranën tonë….JU FALEMIMDERIT PËR MIRËKUPTIMIN tuaj edhe në këtë rast!!!!

/Marrë nga Priza.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *