Distria Krasniqi fiton për Kosovën medalje të artë në Lojërat Olimpike Verore që po zhvillohen në Tokio. Kosova merr pjesë me 11 sportistë që garojnë në xhudo, mundje, not dhe atletikë.

Xhudistja e re nga Kosova Distria Krasniqi, fitoi medaljen e artë në xhudo duke mundur në finale japonezen Funa Tonaki. Distria Krasniqi u shpall fituese në kategorinë deri në 48 kilogramë.

“Ndihem shumë e lehtësuar, pasi një ëndërr që kam pasur që në fëmijëri, e realizova”, tha Distria para mediave pas fitores.

Në Tokio të Japonisë bashkë me ekipin olimpik të 11 sportistëve të Kosovës është edhe presidentja, Vjosa Osmani, e cila duke përgëzuar Distria Krasniqin shkroi në facebook: “Ajo ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës”.

Kjo është medalja e dytë e artë olimpike për Kosovën pas fitores së Majlinda Kelmendit po në kategorinë e xhudos në Lojërat Olimpike të vitit 2016, që u zhvilluan në Rio.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *