Ajo është e re,

e bukur

dhe me një dashuri të jashtëzakonshme për estetikën dhe të bukurën në përgjithësi.

Maskat e fytyrës, masazhet, trajtimet e ndryshme dhe kujdesi që duhet treguar  sidomos në këto ditë izolimi, Sara Dimraj, një shqiptare që jeton në Londër tregon se mund të realizohen në çdo kohë, mjafton dëshira. Ajo ka mjaft stil, e kuruar dhe detajiste Sara na rrëfen se është kundër ndërhyrjeve të tepruara, por kujdesi duhet të jetë sa më natyral dhe në moshën e duhur mund të bëhet edhe ndonjë ndërhyrje për të zbukurar ndonjë pjesë të fytyrës të cilën mosha mund ta sjellë në atë rënie. E lidhur shumë me prindërit e saj ajo i shikon si mbështetjen e saj më të madhe. I mungon Shqipëria dhe uron e shpreson që shumë shpejt të vijë duke qenë se e viziton çdo vit.

-Sara, për të bërë edhe një prezantim me lexuesit e Intervista.al ku ti je edhe e ftuar për herë të parë në këtë intervistë, si u bëre pjesë e fushës së bukurisë e konkretisht asaj të estetikës?

-Përshëndetje dhe faleminderit për ftesën Në moshën 6-vjeçare, fillova të kuptoja se fusha e estetikës ishte ajo që më bënte të ndihesha mirë, por kuptova dhe që e realizoja shumë mirë, duke bërë prova tek mami. Gjithmonë blija make-up të ndryshme tek dyqani “Take Care”, ku edhe sot i përdor me kënaqësi. Kur mbusha 14-vjeçe, prindërit dëshironin që unë të vazhdoja shkollën për Ekonomi. Ia plotësova dëshirën dhe vazhdova të studioja në këtë fushë vetëm një dy vjeçar, më pas u mundova t’ia shpjegoja në mënyrë tjetër se ajo që mua më përshtatet më së miri është fusha e estetikës. Prindërit gjithmonë kërkojnë më të mirën tek fëmijët e tyre, por gjithashtu arrijnë të kuptojnë më mirë se kushdo çfarë duam, e kush duam të bëhemi, prandaj ranë dakort me përzgjedhjen time. E dua gjënë e bukur t’a shoh tek të gjitha femrat.

 -A u përshtate shpejt në këtë fushë që përzgjodhe?

-Kjo ishte ëndrra ime. Kur e do diçka, përshtatesh me këdo dhe kudo që mund të ndodhesh. Unë sot jam në Londër dhe po kryej punën si trajnere, ku rezultatet janë mjaft të mira.

 -Cilat janë disa nga kushtet që duhen ndjekur që të përgatitemi përpara plazhit, maska, trajtime?

– Në fillim duhet të pastrojmë fytyrën me pastrues dhe toner, t’a hidratojmë lëkurën me maska, të cilat janë praktike dhe mund t’i bëjmë dhe në shtëpi duke i shoqëruar me masazh. Anti-age (kundër  rrudhave) më i mirë është kremi kundër diellit, me mbrojtje nga rrezet. Në qoftë se nuk mbrohemi nga dielli në plazh, atëhere fillojnë të shfaqen njolla. Solari krijon një shtresë tek lëkura dhe mbron çdo lloj ndotje. Të gjithë kemi njohuri se rrezet e  diellit shkaktojne sëmundje të ndryshme por edhe rrudha. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’a mbrojmë lëkurën duke përdorur hidratime të ndryshme për fytyrën, trupin etj.

 -Sara, ti jeton në Londër, por vjen shpesh në Shqipëri apo jo? Çfarë ke vënë re vit pas viti tek kujdesi për veten nga femrat shqiptare? Kujdesen më shume apo më pak?

-Po, e vërtetë. Unë jetoj në Londër dhe në Shqipëri vij çdo vit. Ndryshimi i parë tek femrat shqiptare është se bëhen më të bukura dhe kjo më bën të ndihem akoma më krenare. Femrat në Shqipëri kujdesen më shumë sesa italianët dhe anglezët.(Buzëqesh) Kujdesi i mirë dhe i patepruar quhet vlerësim për veten. Kështu duhet të ndodhë me të gjitha femrat. Secila është e bukur në mënyrën e vet.

 -E sheh veten tënde gjithmonë në këtë profesion?

– Po, është profesion që unë e dashuroj! Madje do dëshiroja që në kohën e lirë të bëhesha pjesë e modeling-ut. Ama, fushën e estetikës nuk e zëvendëson profesion tjetër.

-Ke përmasat e duhura për fotomodele dhe shoh që fotot i ke shume të bukura. I krijon vetë idetë, veshjet? Ke ndonjë inspirim, një shembull për t’u ndjekur?

– Nga natyra jam shumë sportive, prandaj veshjet i krijoj vetë dhe gjithmonë ndjek stilin që mua më përshtatet më së miri. Përsa i përket fotove m’i bëjnë prindërit, por ka dhe nga ato foto të cilat i realizoj vetë.

-Çfarë nuk do të pëlqente të klasifikohej si  kujdes, psh ndërhyrjet plastike apo edhe ato janë një lloj kujdesi?

– Unë jam më shumë tek gjërat natyrale. Ndërhyrjet për mua nuk janë kujdes. Nëse kujdesesh sipas hapave të duhura për lëkurën, absolutisht nuk nevojitet ndërhyrja plastike. Vajzat e moshës 25-vjeçare përdorin shumë botox tek faqet ose pjesa e ballit, por është një ndërhyrje e tepruar, pasi nuk kanë nevojë dhe duken shumë herë më të mira sesa me botox. Shumë botox të bën që të jesh dhe dukesh fallco. Duke filluar nga kjo moshë, më vonë fillojnë probleme me lëkurën. Ndërhyrje të tilla mund të bëhen në moshën 60-70 vjeçe, ashtu sikurse lëkura fillon dhe ndryshon, prandaj një ndërhyrje e tille është normale.

-Tani që jemi në karantinë, si e kaloni kohën, çfarë bëni, si është një ditë e zakonshme për ju?

– Zgjohem në mëngjes, në oren 9:00, që të arrij të realizoj planin e ditës. Gatuaj mëngjesin duke e shoqëruar me kafe, bashkë me prindërit e mi. Mundohem t’i ndihmoj me punët e shtëpise dhe më pas i jap kohë vetes për rrjetin social Instagram, ku nëpërmjet lidhjes live i jap keshilla vajzave të cilat janë të interesuara psh: pastrim fytyre,vmasah fytyre,  masazh trupi, stretching, maikyr, pedikyre etj. Më pas shikoj ndonjë film 30 min duke lëvizur, pak stervitje, pasi izolimi na ka bërë ta teprojmë paksa me ushqimin (buzëqesh)për të mbajtur veten në formë dhe për t’u ndjerë sa më mirë. Në darkë (është pjesa që unë e adhuroj më shumë) mblidhemi me familjen dhe shikojmë ndonjë film. Ndihem shumë mirë që familja ime është me mua në këto ditë të vështira.

-Çfarë mesazhi do japësh për shqiptarët në këto ditë të vështira?

-Të jemi të qetë, pozitiv dhe mos t’a stresojmë veten, pasi është një luftë botërore. Është e vështire sepse n’a mungon jeta aktive, por duhet t’a kalojmë edhe këtë situate, duke duruar dhe  kujdesur për veten. Për të gjithë shqiptarët më e rëndësishme se kurrë, duhet të rrini në shtëpi për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

 -Na ka ngelur ndonjë gjë pa thënë në këtë intervistë?

– Më mungon shumë Shqiperia. Kisha bërë plane për të ardhur në Shqipëri bashkë me shoqërinë, por gjërat morën rrjedhë tjetër. Aktualisht jam duke lexuar librin “The skin care bible” ua këshilloj të gjithëve t’a lexojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *