Dhuna, dita-ditës, lëndon më shumë se një femër

dhe problemi më i madh është se shumë femrav

e fatkeqe po u merret edhe jeta.

Urojmë të jetë sa më i shpejtë fundi i dhimbjeve të këtyre femrave të dhunuara, të cilat jetojnë me frikë dhe me një mungesë sigurie të madhe për jetën. Stop dhunës! Kjo frazë duket sikur shkon vetëm në vesh të femrave dhe jo në vesh të meshkujve, të cilët janë shkaktarët e dhunës, pse jo, edhe të vdekjes së femrave…

Unë që po ju shkruaj jam Eva. Me dëshirën time vendosa të ndaj me lexuesit një pjesë të hidhur të jetës sime bashkëshortore.Unë mendoja që nuk duhet të nxitohesh e të lidhesh që në moshë fare të re. “Të lidhen kur të kenë mbushur njëfarë moshe, të jenë pjekur e ta kuptojnë vërtet atë që kanë në krahë”, kështu thoja kur dëgjoja që vajza në moshë të re martoheshin. Ju them juve, lexuese të dashura, ta njihni mirë djalin me të cilin vendosni të qëndroni dhe të mos rrëmbeheni nga bukuria, nga makinat e bukura që kanë djemtë apo nga paratë që ata mbajnë në xhep, se janë vetëm gënjeshtra. Unë kam djalë vetë, e di se si i bën për vete femrat dhe më vjen keq se si ato e besojnë. Po ja, ai u merr makinat shokëve, lekët i ndajnë me shokët dhe rrinë pranë shkollave të mesme për t’u prishur mendjen gocave të reja. Shpesh e shoh rrugëve me vajza të ndryshme. Vetëm syrin më shkel dhe vazhdon rrugën. Kur vjen në shtëpi, thotë:

“Pse o ma mi ngul sytë ashtu me inat kur më sheh në rrugë? Unë kam të drejtë të kënaqem!”

Më copëtohet zemra që ai tallet dhe ato të shkretat i besojnë. Djali im është në shkollë të lartë, po ku mëson ai?! Rri rrugëve dhe jo në bangat e fakultetit. Provimet i merr duke kopjuar dhe merr nota të mira, po ç’e do? Kur e qortoj, më thotë:

“E ç’e dua shkollën, t’më tallin shokët?”

I kam folur, por fjala e mamasë nuk pi fare ujë te ne. I flas, por më thotë të shoh punët e mia se ai i di vetë punët e veta. Më vjen keq se si i besojnë vajzat, por gjithashtu shoh se vajzat sot nuk kanë fare kontroll nga prindërit e tyre dhe po marrin rrugë të këqija. Më vjen keq kur i shoh nëpër kafene me cigare që i nxjerrin nga çantat. Edhe im bir i ka ngjarë të atit. Burri im, ku të rrijë nëpër lokale dhe në shtëpi më vjen i dehur. Po ku mund të presësh një të mirë nga një njeri pa shkollë? Të dy me shkollë të mesme ishim kur u njohëm, domethënë, kur u martuam. Me mblesëri u martuam. Kurrë nuk doja të kisha edhe unë fatin e atyre çifteve që lidhen me mblesëri, por ja që atë që nuk e do, ajo të gjen. S’e doja sepse unë gjithmonë kam menduar se mblesëria nuk të lejon ta njohësh tjetrin vërtet. Mbase edhe e kam gabim, por unë nuk e njoha dhe u martova shpejt. Unë e nisa shkollën e lartë, por mbeta shtatzënë dhe e lashë, me mendimin se do ta vazhdoja, por nuk e bëra. Burri s’më la dhe vjehrra në atë periudhë u sëmur e nuk kishte kush t’i bënte shërbim, kështu që u detyrova të shërbeja dhe jo të studioja e të mbaroja shkollën e lartë. Tani, vjehrra ka 10 vjet që ka vdekur, por kur ishte ajo gjallë, më ndihmonte dhe më trajtonte mirë. Silleshin mirë me mua. Sidomos vjehrri, që më quante vajzën e tij dhe më donte shumë. Edhe unë, sigurisht, i respektoja shumë, por njerëzit ndryshojnë me kalimin e kohës dhe im shoq ndryshoi 100%.

Në shtëpinë tonë, unë dhe im shoq punojmë. Punojmë në privat. Djali harxhon paratë tona. Edhe burri, po ashtu, para nja pesë vjetësh filloi pijen dhe natë për natë e gjeje nëpër lokale. Më mungon një vajzë me të cilën mund të flisja si shoqe dhe t’ia hapja zemrën se po më shqyhet. Vetëm me mamanë kam folur gjithçka. S’më interesonte se nuk kishim gjendje të mirë ekonomike, por ai kishte dhunën dhe më dhunonte, edhe përpara se të pinte. Ai është kafshë, në kuptimin e plotë të fjalës. S’kam parë kurrë një ditë të bardhë pranë tij. Nuk më dhunonte vetëm mua, por edhe mamanë time, sepse ajo jetonte me mua në një shtëpi. Ajo më mbronte mua nga duart e tij, kurse ai i gjuante edhe mamasë sime. Ajo ka jetuar ferr pranë nesh, në shtëpinë tonë. Ajo ka vdekur tashmë. Ka nja tre vjet që u dha fund dhimbjeve të saj pranë nesh. Dhuna vinte si pasojë e një gruaje tjetër, që ishte në jetën e tij. Unë nuk dija gjë, por shoqet më thanë se e kishin parë shpesh me një grua bjonde dhe se takoheshin çdo mbasdite tek i njëjti lokal. U bëra kurioze ta mësoja se kush ishte dhe shkova e shoqëruar me dy shoqet e mia në lokalin ku rrinte ai. E pashë që erdhi në lokal duke qeshur dhe duke u sjellë shumë mirë me atë gruan tjetër. Kur pa se isha edhe unë aty, u çua nga tavolina, erdhi tek unë dhe më qëlloi me shpullë, më tha që të çohesha dhe pastaj iku e u ul pranë saj. Mbase ajo tjetra e dinte, mbase nuk e dinte që ai ishte i martuar, përderisa rrinte me të… kam kaluar një ferr të vërtetë për një kohë të gjatë, por me sa kuptoj, ai ka ca kohë që është ndarë prej saj, sepse ka ndryshuar shumë…

Në shtëpi, vjen më herët dhe rrogën e lë të gjithën tek unë. Jam çuditur nga ndryshimi i sjelljes së tij, por po më pëlqen që ka rënë dhe nuk është më ai burri i dhunshëm që ishte më parë. Në të vërtetë, jam shumë e lodhur mendërisht dhe dua vetëm të çlodhem e ta stakoj trurin që gjithçka ka qenë një ëndërr dhe unë jam zgjuar prej saj. Nuk e di as vetë se si kam qenë kaq e duruar me një njeri të pashpirt, ama një gjë ia uroj vetes me gjithë shpirt tani; që hallet për mua të kenë mbaruar këtu dhe ta jetoj në qetësi këtë jetë që më ka mbetur…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *