Unë që po ju shkruaj jam një zonjë që jetoj në Francë.

Kam qenë lexuese e rregullt e gazetës suaj dhe tani që jam larguar nga Shqipëria vazhdoj të lexoj historitë nga jeta në faqen tuaj në internet.

Shumë histori kam lexuar për ato çifte që u ka ardhur ndarja nga emigracioni. Sigurisht, jeta në mërgim të përplas me shumë të papritura dhe duhet të jesh shumë e fortë për t’i përballuar të gjitha. Unë jam një qytetare nga Elbasani dhe jetën në çift e fillova që në moshë të re. Me të mbaruar shkollën e mesme, u martova me ish-bashkëshortin tim, Dorjanin. Para disa vitesh emigruam në Francë në rrugë ilegale. Kur shkuam atje, na strehuan disa kushërinjtë e Dorjanit. Ata gjetën edhe një person me të cilin unë do të bëja një martesë për të marrë dokumentet. Në Shqipëri kishim bërë vetëm dasmën, por jo celebrimin. Qëllimi ishte që unë ose Dorjani të bënim një martesë për dokumentet dhe rastësia bëri që ta hidhja unë këtë hap, sigurisht, në marrëveshje me ish-burrin tim. Çdo gjë shkoi në rregull dhe mbas dy vitesh unë arrita të merrja nënshtetësinë franceze, sigurisht, kundrejt një shume parash. Jeta për mua dhe për bashkëshortin tim filloi normalisht dhe unë nisa të punoja disa punë njëherësh. Kam punuar që te pastruese e punë të tjera si kjo, derisa u shkollova, mësova gjuhën dhe punoja si përkthyese në një zyrë për të huajt. Ndërkohë, ne merreshim me dokumentet e divorcit me francezin dhe në Shqipëri bëra celebrimin me Dorjanin, në mënyrë që edhe atij t’i dilnin dokumentet. Mbas një viti mora vjehrrën në Francë sepse edhe atë do ta hidhnim mbi vete. Unë në atë kohë isha bërë me një vajzë. Dorjani gjatë gjithë kohës rrinte në shtëpi. Sigurisht, dilte edhe jashtë, por nuk kishte dokumente që të punonte, kështu që gjithë ekonominë e shtëpisë e mbuloja unë. Edhe paranë e menaxhoja unë. Vjehrrës kjo gjë nuk i pëlqente, i dukej sikur unë kisha dalë më e zonja se djali i saj, ndaj filloi të hidhte kunja siç e kanë nënat zakon. Unë as që e dëgjoja. Rrija gjatë gjithë ditës në punë, kishte raste edhe me orë të zgjatura dhe kisha arritur të grumbulloja shumë para. Bashkë me Dorjanin kishim vendosur të merrnim një shtëpi më të madhe me qira dhe do ta mobilonim me gjëra luksi. E kishim vendosur se jetën do ta bënim në Francë dhe si çdo shqiptar, edhe ne kishim dëshirë që të kishim një shtëpi të bukur.

Të gjitha mobiljet i blemë nga më të shtrenjtat. Vetëm krevati ynë shkoi pesë mijë euro e të gjitha pajisjet e shtëpisë mund të shkonin deri në pesëdhjetë mijë euro. Të gjitha faturat e blerjes ishin në emrin tim dhe me firmën time. Dorjani nuk kishte firmosur asgjë, për arsyet që ju shpjegova më lart. Nga gjithë këto që ju tregova, vjehrra filloi të kishte shumë inat dhe më tha se ajo ishte shumë sëmurë nga mesi e nuk mund të kujdesej më për vajzën. Atëherë unë vendosa të gjeja një zonjë që të më ndihmonte. Një mikesha ime, edhe ajo shqiptare, kishte punësuar një vajzë polake dhe ishte shumë e kënaqur prej saj. Ajo shkonte në punë dhe e gjente shtëpinë dritë. Plus kësaj, ishte vajzë e edukuar, me shumë norma. Mikesha ime më këshilloi të punësoja motrën e saj. Edhe ajo ishte shumë punëtore, vetëm se ajo do të jetonte në shtëpinë time se ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe dhe unë do ta mbaja në punë në të zezë, ngaqë nuk kishte as dokumente. Të dyja motrat qëndronin ilegalisht në Francë.

E takova vajzën dhe i shpjegova se cila ishte puna e saj; ajo do të flinte në një dhomë me vjehrrën dhe do të kujdesej për vajzën e për punët e shtëpisë. Ajo dukej një vajzë shumë imcake në fytyrë dhe në trup e unë e punësova në mirëbesim të plotë. Ajo fliste vetëm anglisht dhe Dorjani e vjehrra mund të komunikonin me të. Kishte kaluar një vit nga koha kur ajo ishte punësuar në familjen tonë dhe gjatë kësaj kohe, ne i kishim hedhur dokumentet e Dorjanit dhe ai e fitoi lejeqëndrimin në Francë. Çdo gjë në familje dukej sikur shkonte për mrekulli, edhe vjehrra kishte filluar të ishte më e qetë, sepse unë i jepja lekë në dorë që ajo të dilte dhe të mos rrinte gjatë gjithë kohës mbyllur.

Një ditë në darkë hyra në dhomën e vajzës që kisha punësuar për t’i lënë porositë për ditën e nesërme. Ajo kishte hapur një sirtar dhe sa më pa mua, filloi ta mbyllte sirtarin në një mënyrë të çuditshme, sikur donte të fshihte diçka nga unë. Unë e kuptova që aty diçka kishte. Ditën tjetër e urdhërova të shkonte tek e motra meqë unë e kisha pushim dhe përfitova nga rasti për të parë se çfarë fshihte ajo. Gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte se mos ndoshta ajo më vidhte ndonjë bizhuteri, të cilat i kisha shumë të shtrenjta, por nga ajo që pashë, ajo më kishte vjedhur gjënë më të shtrenjtë, bashkëshortin tim. Në sirtar gjeta një bllok shënimesh ku ajo shkruante momentet e njohjes me Dorjanin, momentet, kur ai i kishte shprehur dashurinë dhe të gjitha mesazhet që ata kishin komunikuar me njëri tjetrin.

Brenda bllokut ishte edhe një letër që ajo nuk e di kujt ia drejtonte, por ku shkruhej në anglisht: “Sot, Dorjani më tha se më do. Ai më ka premtuar martesë, pasi të ndahet nga gruaja e tij. Ai më shkroi se unë jam jeta e tij, dashuria e tij. Edhe pse kemi një diferencë moshe prej njëzet vitesh unë e ndiej se e dua, e ndiej se ai do të më bëjë të lumtur. Ai nuk e do gruan e tij, pret të marrë dokumentet dhe gruan do ta përzërë nga kjo shtëpi. Pastaj do të jem unë zonjë e kësaj shtëpie. Këtë gjë nuk ma ka thënë vetëm Dorjani, por edhe e nëna e tij, vajzën e tij do ta rris vetëm unë. Ajo më do më shumë mua sesa të ëmën, se ajo është gjithë ditën në punë e nuk kujdeset për të”. I lexoja të gjitha ato dhe duart më dridheshin, ndërsa lotët nuk më ndalonin. Ajo vazhdonte me tej duke shkruar: “Sot në ditëlindjen time, Dorjani më bëri dhuratën më të bukur që kam marrë ndonjëherë, një varëse floriri ku në një zemër ishin shkruar inicialet tona. Është një kujtim që do ta mbaj për gjithë jetën”.

E mora vajzën në telefon dhe i kërkova që të vinte në shtëpi. Pastaj telefonova edhe policinë. Para se të vinte policia, e qëllova atë me një pëllëmbë që do ta mbajë mend gjithë jetën, ndërsa Dorjanit i thashë: “Nuk je gjë tjetër veçse një pedofil i shëmtuar që ma shpif. Do ma paguani shtrenjtë këtë që më bëtë”. Ai nuk po kuptonte asgjë dhe më thoshte: “Të lutem zemër, qetësohu, çfarë ka ngjarë? Nuk po të kuptoj!”. Më pas u hodh e ëma: “Mirë ta bëri, ti nuk e meriton djalin tim, e ke bërë si lodër në duart e tua!”. E mbërtheva edhe atë njëherë prej flokësh dhe e tunda mirë. Më pas, me bllokun e shënimeve qëllova Dorjanin në fytyrë: “Merri dhe lexoi tradhtitë e tua”.

Ai m’u ul në gjunjë dhe më betohej për kokën e vajzës se nuk më kishte tradhtuar dhe se të gjithë këtë histori e kishte filluar e ëma e tij. Ajo, për t’u hakmarrë ndaj meje, donte që djali i saj të lidhej me atë vajzë dhe unë të vuaja për këtë gjë, por unë u tregova e fortë. Pasi erdhi policia, i tregova bllokun dhe u thashë se Dorjani ishte martuar me mua vetëm për dokumente. Atij ia hoqën edhe dokumentet që i kishin dhënë dhe e kthyen në Shqipëri bashkë me të ëmën. Vajzën e kthyen në vendin e saj se ishte ilegale dhe mua më vunë një gjobë që e kisha punësuar atë në të zezë. Ja, pra, kështu u shkatërrua familja ime. Ish-vjehrra deshi të më bënte gropën mua, por ra vetë brenda, bashkë me djalin e saj.

Sot ata më luten për të parë vajzën dhe më thonë se janë penduar, ama ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron, kështu edhe puna e tyre. Unë sot jetoj me vajzën time, punën e kam lënë dhe jam në asistencë. Dua të rris vajzën dhe t’i përkushtohem plotësisht asaj. Historia me Dorjanin ishte vetëm një ëndërr e keqe të cilën dua ta harroj sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresoj që këtë histori ta lexojë edhe ai dhe të kuptojë se çfarë ka humbur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *